Letër miqësore një mikut tim në Dardani
Eshref Ymeri

I dashur miku im dardan,
Siç jeni në dijeni, gjatë një periudhe 20-vjeçare (2004-2024), kam pasë botuar në internet 15 ese, kushtuar Kadaresë. Këto ese i kam përmbledhur në një libër me rreth 120 faqe. Libri titullohet “Kadareja në truallin e politikës”. Pra, jam ndalur në ato raste, kur Kadareja, në korpusin poetik dhe në publicistikën e tij, me një servilizëm politik të tepruar, qe rreshtuar në përkrahje të diktatorit Enver Hoxha. Librin ia dërgova për recension profesorit Agim Vinca, si poet dhe kritik në botën e letrave shqipe. Për më tepër, profesori, vite të shkuara, kishte botuar një Ese kritike, me titull “Ismail Kadare është bërë pjesë e një “darke të gabuar”, njëzet vjet më parë, me shkrimtarin apologjet të Millosheviçit” (faqja e internetit “Kultplus”. 19 tetor 2019). Meqenëse profesori nuk pranoi të bënte recensionin e librit, dyshova se mos i shkela në kallo: mos vallë edhe vetë ai ka notuar në kënetën e servilizmit politik? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, fillova të shtegtoj nëpër faqet e internetit dhe aty zbulova diçka që më befasoi.
Së-pari, profesori Agim Vinca paska qenë servil i Enver Hoxhës, të cilit i paskej kushtuar poezinë elegjiake me titull “Rënia e Enver Hoxhës”, pas rrëzimit në Tiranë të shtatores së diktatorit më 20 shkurt 1991, të shkruar një ditë më pas në Prishtinë.
Së-dyti, profesori paskej qenë edhe agjent i UDB- së, sepse, në median “Kojshia Show”, moderatori i saj, zotëria i nderuar Sadri Imeri, më 03 qershor 2025, kishte transmetuar në youtube intervistën me titull “Nafi Çegrani: Rexhep Qosja e Agim Vinca spiunuan për të vrarë Ukshin Hotin!”.
Po të mos ishte e vërtetë kjo deklaratë e Nafi Çegranit, pas kësaj interviste, do të ishte bërë publike ndonjë tjetër intervistë po në këtë media, ku duhej të ishte i ftuar profesori Agim Vinca, me kërkesën e tij këmbëngulëse, për të hedhur poshtë, me fakte, akuzën e mësipërme. Por profesori Agim Vinca nuk është paraqitur në këtë media për përgënjeshtrimin e akuzës, ka heshtur. Domethënë, moderatori Sadri Imeri paska zbuluar një sekret, që qenkej mbajtur i fshehtë për më shumë se një çerek shekulli.
Pasi u njoha me këto dy fakte tronditëse për vlerat intelektuale të këtij profesori, më 13 shkurt, në Portalin “Bota Sot”, botova artikullin “Agjenti i UDB-së, Agim Vinca, servil i Enver Hoxhës”. Në atë artikull nuk kam përdorur absolutisht as edhe një fjalë apo shprehje fyese, as edhe një shprehje të vetme përçmuese ndaj këtij profesori.
Më 16 shkurt, po në këtë portal, profesori Agim Vinca botoi artikullin me titull tepër fyes për mua, “Sulmi i pabesë i njeriut të pafytyrë”, në të cilin ka zbrazur tërë mllefin, krejt arsenalin e urrejtjes patologjike kundër meje, të shoqëruar me furinë e fyerjeve, përçmimeve dhe sharjeve të rënda në vijim:
dy fjalë për paskuilin e Eshref Ymerit, një njeri me emrin Eshref Ymeri, ky farë Eshrefi, matufi plak Eshref Ymeri, njeri i pafytyrë dhe shpifës ordiner, është dashur ta injoroja që në fillim, më vjen ndoht t’ia përmendi edhe emrin, le të vazhdojë po qe se do të rrëmojë edhe më tutje me turirin e tij në internet.
Kur u njoha me këtë vargan të tërë fyerjesh të këtij profesori të Universitetit të Prishtinës, m’u kujtua menjëherë emri i Samuel Xhonsonit (Samuel Johnson – 1709-1784), kritik letrar, leksikograf dhe poet anglez i epokës së iluminizmit, i cili ka thënë:
“E mira e të mirave është që t’ua varësh teneqenë atyre që të fyejnë dhe të përçmojnë, kjo për arsye sepse rrallë ia vlen të revoltohesh me ta, kurse inatin e tyre është shumë më mirë ta ndëshkosh me shpërfillje”.
Ai që fyen dhe përçmon dikë, në të shumtën e rasteve, mundohet të fshehë vetveten para të tjerëve. Kjo do të thotë se ai ka vënë një maskë agresiviteti, për të mos zbuluar dobësitë e karakterit të vet. Një shpërthim i tillë fyerjesh të rënda kundër meje, dëshmon më së miri se profesori Agim Vinca vuaka tmerrësisht nga mendjemadhësia ekstreme, qenka një krekacor i nivelit të lartë. Ky profesori Agim Vinca është intelektual erudit. Megjithatë, dija s’ka fund. Le të kujtojmë për një çast Sokratin e madh, i cili ka thënë: “Unë di që s’di gjë hiç”. Prandaj edhe Profesori Agim Vinca le të mundohet në këtë moshë të nderuar të lexojë librin e shkencëtarëve amerikanë Xhefri Jang (Jeffry Jang – 1950), psikolog, dhe Zhanet Klosko (Janet Klosko – 1953), psikoterapist, me titull “Out of the vicious circle” (Larg rrethit të mbyllur), botuar në vitin 1992. Në këtë libër profesori Agim Vinca do të njihet me metodat e shmangies së mendimeve agresive. Në libër ka materiale të mjaftueshme, me plot shembuj, skema ose shabllone, të formuara nën ndikimin e përvojës jetësore, të edukimit ose të mjedisit, të cilat kanë arritur deri në automatizim. Veç kësaj, profesor Vinca duhet të ketë parasysh se fyerjet janë si puna e bumerangut – ato i kthehen gjithmonë atij që i ka shqiptuar. Sepse kur dikush mundohet të poshtërojë dikë, ai, para së gjithash, ka poshtëruar vetveten dhe ka vërtetuar me fakte se i mungon edukata minimale, etika qytetare. Ky profesor me nam të madh më akuzon mua, duke më quajtur shpifës, vetëm sepse e kam quajtur servil, duke cituar poezinë e tij elegjiake, kushtuar rrëzimit të shtatores së diktatorit Enver Hoxha në Tiranë më 20 shkurt 1991, dhe strofën e fundit të poezisë së tij, me titull “Titos”, të botuar në vitin 1961 dhe të cituar nga zotëria Sylejman Aliu në Esenë me titull “Tito, Qosja dhe Vinca”, portali “Zemra Shqiptare”, 06 tetor 2009. Ky profesor më shan me fjalën “shpifës” se e kam quajtur spiun të UDB-së, ndërkohë që unë s’pata shpikur asgjë nga koka, vetëm kam zbardhur intervistën që pati transmetuar moderatori Sadri Imeri me Nafi Çegranin në median “Kojshia Show” më 03 qershor 2025, ku i intervistuari pati deklaruar: “Rexhep Qosja dhe Agim Vinca kanë spiunuar për të vrarë Ukshin Hotin”.
Agresiviteti i profesor Vincës, i mbarsur me urrejtje shumë të madhe kundër meje, është kaq i papërmbajtur, saqë ai ka qëmtuar me shumë kujdes nga leksiku i shqipes fjalët më fyese dhe më përçmuese ndaj meje.
Profesori amerikan i psikologjisë në Universitetin e Oklahomës (University of Oklahoma), Robert Beron (1943), thekson se arsyet e agresivitetit të dikujt, të manifestuara përmes fyerjeve dhe përçmimeve të të tjerëve, mund të jenë të llojeve të ndryshme. Ka mundësi, – nënvizon ai, – që, në këtë rast, të kemi të bëjmë me pakënaqësinë e agresorit, me zilinë që e mundon, me kompleksin e inferioritetit që e bluan pa pushim, ose thjesht me prirjen për të nxjerrë në pah dëshirën për t’i pasur të tjerët nën pushtetin e vet. Arsyen e vërtetë të natyrës kaq agresive, deri në marrëzi, të profesorit Agim Vinca, e di vetë ky profesor, rrethi i miqve dhe ish-studentët e tij.
Për ta frenuar sadopak histerinë e urrejtjes së tij, këtij profesori erudit i rekomandoj të njihet me krijimtarinë e filozofit dhe të sociologut gjerman Gjergj Zimmel (Georg Simmel – 1858-1918), i cili ka lënë pas një aforizëm të shkëlqyer:
“Ndjesinë e fshehtë të fajit tonë, ne, paraprakisht, e maskojmë me urrejtje, e cila na vjen në ndihmë për t’ia veshur fajin dikujt tjetër”.
Nga sa u tha më sipër, rezulton se profesor Vinca, për fatkeqësinë e tij, u përpëlitka brenda rrethit të krekacorizmit, të servilizmit, të urrejtjes dhe të spiunimit.
Urrejtjen e vet kundër meje, profesor Vinca e ka ngritur deri në atë nivel, saqë s’përmbahet dot dhe e përcjell publikisht me shprehjen “më vjen ndoht t’ia përmendi edhe emrin”.
Ka shumë të drejtë profesor Vinca të shprehet në këtë mënyrë për dy arsye.
Së pari, sepse unë ia nxora të palarat në shesh dhe ai është i bindur plotësisht, që, themeli i moralit të njeriut, është frika para opinionit shoqëror.
Së dyti, “aroma” e emrit tim e bën t’i vijë ndot, e bën t’i vijë për të vjellë, sepse ai është rritur dhe edukuar me një tjetër “aromë”, me “aromën” e servilizmit prej bujkrobi ndaj Titos, armikut të popullit dardan dhe të krejt kombit shqiptar, të atij Tito krimineli, i cili e kishte në majë të gjuhës shprehjen “Ballkanit i duhet vetëm një administrator”, të atij Tito krimineli, i cili, në bashkëpunim me kriminelin Enver Hoxha, organizoi masakrën e Tivarit dhe shpërnguli me dhunë mijëra e mijëra shqiptarë drejt shkretëtirave të Anadollit.
Në mbyllje, i dashur miku im, dëshiroj të theksoj se fyerjet, përçmimet, sharjet me fjalë të rënda në adresë të dikujt, janë krejtësisht të palejueshme, krejtësisht të papranueshme për kodin tim moral dhe etikën time qytetare, për çka u jam përjetësisht shumë mirënjohës jo vetëm prindërve, por edhe mësuesve dhe profesorëve të mi, për edukatën, me të cilën më patën pajisur që prej fëminisë deri në përfundim të studimeve universitare Unë vetëm demaskoj, vetëm çjerr maska – vetëm me fakte, – sepse vetëm faktologjia, vetëm e vërteta është yll karvani për mua. Kurse profesori Agim Vinca, me fyerjet, me përçmimet histerike, me sharjet, me shprehjet poshtëruese në adresë time, dëshmoi fare shkoqur para opinionit publik, sidomos para studentëve të tij, se deri në ç’derexhe është katndisur mjerimi i tij intelektual.
Ju uroj shëndet dhe mbarësi.
Kaliforni, 28 shkurt 2026

Average Rating