Tensione në Tiranë, digjet Komisariati Nr. 3, lëndohen disa policë
Protestat në Tiranë janë përshkallëzuar edhe gjatë ditës së gjashtë, me përleshje mes protestuesve dhe forcave të policisë. Godina e Komisariatit Nr. 3 është sulmuar me mjete zjarrvënëse, ndërsa disa efektivë policie janë lënduar dhe janë dërguar me urgjencë në spital.
Sipas RTSH-së, protestuesit kanë hedhur mjete zjarrvënëse drejt godinës së Komisariatit Nr. 3, në rrugën “Mine Peza” në Tiranë, duke shkaktuar zjarr në një nga ambientet e brendshme të institucionit.
Flakët kanë përfshirë fillimisht njërën prej zyrave të komisariatit, duke kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të shërbimeve zjarrfikëse, të cilat kanë arritur ta vënë situatën nën kontroll.
Gjatë incidentit janë lënduar disa efektivë policie, të cilët, pasi kanë marrë ndihmën e parë, janë transportuar me urgjencë në spital për trajtim mjekësor.
Tensione në sheshin “Skënderbej”, policia përdor plumba gome dhe gaz lotsjellës
Sipas ATSH-së, protestat e së dielës nisën pranë Ministrisë së Arsimit, vijuan te selia e Partisë Socialiste dhe më pas u zhvendosën drejt Kryeministrisë.
Pasi mbërritën përpara Kryeministrisë, ku policia kishte vendosur një kordon sigurie dhe tre autobotë me ujë, një grup protestuesish hodhën gurë, mjete piroteknike dhe sende të forta drejt forcave të rendit.
Policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës dhe ujë me presion, duke i shtyrë protestuesit drejt zonës së Parkut Rinia.
Tensionet u përshkallëzuan gjatë pasdites, kur përplasjet u zhvendosën nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” drejt sheshit “Skënderbej”.
Sipas RTSH-së, protestuesit vazhduan të hidhnin gurë dhe sende të forta ndaj policisë, ndërsa forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës dhe ujë me presion për shpërndarjen e turmës.
ATSH raportoi se grupe protestuesish hodhën bomba molotov dhe gurë drejt efektivëve të policisë, ndërsa një prej policëve u përfshi nga flakët.
Gjatë përplasjeve, policia përdori edhe plumba gome, sipas raportimit të Top Channel.
Sulmohet selia e Partisë Socialiste, lëndohet një gazetare
Sipas Top Channel, protesta e së dielës nisi me grumbullimin e studentëve dhe qytetarëve pranë Ministrisë së Arsimit, ku pjesëmarrësit mbanin flamuj kombëtarë dhe kërkonin dorëheqjen e kryeministrit.
Disa të rinj kërcyen dhe kënduan në mes të rrugës, përpara efektivëve të policisë.
Njëri nga protestuesit u bëri thirrje pjesëmarrësve të mos ushtronin dhunë ndaj policisë, ndërsa efektivëve të mos dhunonin protestuesit. Më pas, në shenjë revolte, ai grisi certifikatën që kishte marrë nga ish-ministrja e Arsimit, Besa Shahini, si fitues i Olimpiadës së Historisë.
Pas momenteve të qetësisë, nisën tensionet dhe hedhja e gurëve drejt policisë pranë Ministrisë së Arsimit.
Gjatë përplasjeve mbeti e lënduar një gazetare, e cila u largua nga zona e protestës me ambulancë.
Më pas, policia i zhvendosi protestuesit drejt qendrës së qytetit, ndërsa disa prej tyre u shoqëruan në komisariate.
Protestuesit u ndalën edhe përpara selisë së Partisë Socialiste, ku hodhën gurë drejt godinës, goditën derën dhe thyen xhamat.
Përshkallëzohen protestat në Tiranë, molotovë e plumba gome, tre të lënduar
(E përditësuar) Protesta e studentëve, aktivistëve të shoqërisë civile dhe qytetarëve në Tiranë është shoqëruar me tensione të forta edhe në ditën e gjashtë. Protestuesit kanë hedhur bomba molotov, gurë dhe mjete piroteknike drejt forcave të policisë, ndërsa këto të fundit janë përgjigjur me plumba gome, gaz lotsjellës dhe ujë me presion.
Sipas ATSH-së, protesta nisi pranë Ministrisë së Arsimit, vijoi te selia e Partisë Socialiste dhe më pas u zhvendos drejt Kryeministrisë, ku Policia e Shtetit kishte vendosur një kordon sigurie dhe tre autobotë me ujë.
Tensionet u përshkallëzuan gjatë pasdites, kur forcat e policisë i shtynë protestuesit nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” drejt sheshit “Skënderbej”.
Molotovë ndaj policisë, një efektiv përfshihet nga flakët
Sipas raportimit të medieve, protestuesit hodhën breshëri bombash molotov drejt efektivëve të policisë, ndërsa flakët shpërthyen pranë këmbëve të tyre.
Gjatë përplasjeve, një efektiv policie u përfshi nga flakët.
Policia ndërhyri me ujë me presion dhe gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës, ndërsa përdori edhe plumba gome ndaj protestuesve të dhunshëm.
Protestuesit u kundërpërgjigjën duke hedhur gurë drejt policisë dhe institucioneve shtetërore. Ata vendosën barriera metalike dhe kosha mbeturinash në mes të rrugës, të cilëve më pas u vunë flakën.
Tre persona marrin ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka njoftuar se deri në orën 16:00, tre persona kanë marrë ndihmë mjekësore në Spitalin Universitar të Traumës.
Sipas njoftimit zyrtar, të lënduarit janë një efektiv policie, një 15-vjeçar dhe një përfaqësuese e medias.
“Gjendja e tyre është stabël, po kryejnë ekzaminimet dhe po marrin trajtimin nga stafet mjekësore dhe infermierore”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Ministria përgënjeshtron lajmin për vdekjen e një të mituri
Ministria e Shëndetësisë ka reaguar edhe ndaj informacioneve të shpërndara në rrjetet sociale për një viktimë gjatë protestave.
Autoritetet kanë përgënjeshtruar kategorikisht lajmin për humbjen e jetës së një të mituri, duke theksuar se informacioni është i pavërtetë.
Ministria u ka bërë thirrje mediave dhe qytetarëve të tregojnë përgjegjësi në verifikimin dhe shpërndarjen e informacioneve, për të shmangur përhapjen e lajmeve të rreme që shkaktojnë panik dhe tensione të panevojshme.

Average Rating