Bordi i Paqes, Trump: Kosova e Shqipëria do të kontribuojnë me trupa paqeruajtëse
Presidenti amerikan Donald Trump gjatë fjalimit të tij në takimin inaugurues të Bordit të Paqes në Washington DC ka thënë se Kosova dhe Shqipëria janë në mesin e shteteve që do të kontribuojnë me trupa paqeruajtëse.
“Shtetet përfaqësohen këtu jo vetëm me para, por që ofrojnë edhe personel për ruajtjen e paqes, për një paqe afatgjate, jo vetëm paqe që mund të thyhet pas dy javës. Indonezisë faleminderit shumë, Marokut, Shqipëria, Kosova, Kazakistani, të gjithë janë zotuar me trupa policore e ushtarake si paqeruajtës, me trupa, trajnim përkrahje për forcën policore palestineze, sepse po i sigurojnë tashmë njerëzit për atje. Tashmë kemi paqe në Lindjen e Mesme”, tha ai.
Trump falënderon Osmanin në mbledhjen inauguruese të Bordit të Paqes
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump derisa ka prezantuar liderët botëror pjesëmarrës në mbledhjen inauguruese të Bordit të Paqes, e ka falënderuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Faleminderit shumë, punë të mirë jeni duke bërë edhe ju”, i tha Trump, Osmanit.
Ky është takimi i parë i këtij bordi i thirrur nga presidenti amerikan. Përveç presidentes së Kosovës, në mesin e shumë liderëve botëror është edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Trump thotë se e ndali një luftë të mundshme Kosovë-Serbi
Presidenti amerikan Donald Trump gjatë fjalimit të tij në takimin e Bordit të Paqes sërish ka përmendur ndaljen e një lufte të mundshme në mes të Kosovës dhe të Serbisë.
“Shembull, Kosovë-Serbi, e kam bërë këtë. A mund të ngriteni ju lutem? Kosova-Serbia. Ju vlerësojmë. Dhe po ia dilni, e kur nuk ia dilni, më thirrni e ne do ta zgjidhim”, ka thënë ai.
Trump, për këtë organizim, tha se është një prej ngjarjeve më të rëndësishme ku ai është përfshirë si president i Shteteve të Bashkuara.
“Është treguar se nuk është asgjë e pamundur. Me mijëra njerëz po vriteshin në Gaza kur mora mandatin, por falë një diplomacie të pandalshme dhe me përkushtimin e gjithë njerëzve këtu, 59 shtete e kanë nënshkruar, merreni me mend Gazën. Kemi një gjë të shkëlqyeshme tashmë, kaq shumë njerëz në këtë sallë. Tashmë lufta është e ndaluar atje, mund të ketë shkëndija tek e tuk. Hamasi do të dorëzojë armatimin e vetë, këtë e kanë premtuar, sigurisht nëse nuk e bëjnë këtë do të ballafaqohen me kundërshtinë e madhe. Më kanë thënë se nuk duan të vdesin, nuk duan të vdesin, askush nuk dëshiron të vdesë. Armëpushimi është mbajtur dhe çdo peng i vdekur e i gjallë është kthyer në shtëpi”, tha gjatë fjalimi të tij Trump.
Trump: SHBA do të kontribuoj me 10 milidarë dollarë në Bordin e Paqes
Gjatë fjalimit të tij, presidenti Trump tha se SHBA-të do të kontribuojnë me 10 miliardë dollarë në Bordin e Paqes. “Ne kemi pasur mbështetje të madhe për këtë shifër. Dhe kjo është një shifër shumë e vogël kur e shikon këtë krahasuar me koston e luftës”, tha Trump, pa dhënë detaje specifike se për çfarë do të shkonte ky fond.
Trump tha se udhëheqësit e disa kombeve, përfshirë Kazakistanin, Azerbajxhanin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Marokun, Bahreinin, Katarin, Arabinë Saudite, Uzbekistanin dhe Kuvajtin “kanë kontribuar të gjithë më shumë se 7 miliardë dollarë për paketën e ndihmës për Gazën”.
“Kjo është shumë mirë. Faleminderit, shumë të tjerë po kontribuojnë. Ky është takimi ynë i parë”, shtoi ai.
Trump iu drejtua udhëheqësve të kombeve me të cilët ka punuar për të arritur marrëveshje paqeje, përfshirë udhëheqësit e Armenisë dhe Azerbajxhanit.
“Janë dy gjëra të vështira”, tha Trump, duke iu drejtuar dy udhëheqësve të këtyre shteteve. “Mendoni se kjo ishte e lehtë? Nuk ishte e lehtë. Këta janë dy njerëz të fortë, njerëz të mirë, por njerëz të fortë. Ne bëmë një marrëveshje, ata u përqafuan, ata e vendosën nënshkrimin dhe patëm paqe ndërmjet dy vendeve shumë të rëndësishme, dhe unë kurrë nuk do ta harroj këtë”, shtoi presidenti amerikan.
Tutje Trump tha se rezultati i bisedimeve me Iranin do të vendoset gjatë 10 ditëve të ardhshme. Më herët këtë javë, ministri i jashtëm i Iranit tha se SHBA-të dhe Irani arritën një mirëkuptim mbi “parimet udhëzuese” për bisedimet bërthamore.
“Tani mund të na duhet të bëjmë një hap më tej, ose mund të mos bëjmë”, shtoi Trump.

Average Rating