Historike: Kongresi Amerikan akuzon Serbinë për diskriminim sistematik të Shqitarëve në Luginën e Preshevës!
Shkruan: Nehat Hyseni

Përpjekjet e pandërprera të shqiptarëve të Luginës së Preshevës: Medvegjës Preshevës dhe Bujanocit në 34-5 vitet e fundit, dmth nga vendosja e sistemit shumëpartiak dhe sidomos pas mbajtjes së Referendumit të vitit 1992 për autonomi politike dhe bashkim me Kosovën, kur shqiptarët në Serbi filluan organizimin politik të pavarur nga Beogradi, Leskovci dhe Vranja dhe formuan partitë shqiptare që artikulojnë dhe mbrojnë interesat e shqiptarëve. Tash për herë të parë çështja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës ka hyrë zyrtarisht në axhendën e politikës së jashtme të SHBA-së, pas një dëgjimi të posaçëm në Nënkomitetin për Evropë të Komitetit për Punë të Jashtme të Kongresit amerikan. Seanca, e udhëhequr nga kongresisti republikan Keith Self, këto ditë vuri në qendër të debatit pasivizimin administrativ të adresave të shqiptarëve dhe diskriminimin sistematik që autoritetet serbe i bëjnë ndaj shqiptarëve etnikë në jug të Serbisë. Pasivizimin administrativ të adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, e cilësoi si një praktikë “të papranueshme”, duke theksuar se ajo përbën një formë moderne të spastrimit të heshtur etnik. Sipas tij, politikat e Serbisë ndaj shqiptarëve dhe agresiviteti i saj ndaj Kosovës po krijojnë rreziqe të reja për paqen në Ballkan. “Serbia nuk mund të trajtohet si partner i besueshëm ndërsa vazhdon të shkelë të drejtat e qytetarëve të saj shqiptarë,” u shpreh ai, duke kërkuar që diplomacia amerikane të kalojë nga “tolerimi” në presion aktiv. Në dëgjim morën pjesë ekspertë të njohur të sigurisë dhe politikës ndërkombëtare, përfshirë: Edward P. Joseph, profesor në Johns Hopkins SAIS, Luke Coffey, analist në Hudson Institute, Max Primorac, këshilltar i lartë në Heritage Foundation. Ata theksuan se Serbia ka zbatuar për vite me radhë një strategji të qëllimshme ndaj Luginës së Preshevës, përmes: pasivizimit administrativ të adresave të shqiptarëve, presioneve institucionale, kontrollit politik të komunave, manipulimit demografik dhe ekonomik dhe marginalizimit kulturor të shqiptarëve. U konstatua gjithashtu se Serbia po manipulon demografinë e shqiptarëve, duke u përpjekur parreshtur për të zvogëluar numrin real të shqiptarëve në Serbi, me qëllim që ta zvogëloj numrin real të tyre, sidomos në komunën e Medvegjës ku pothuajse është arritur spastrimi i plotë etnik i kësaj komune nga Shqiptarët. Rëndësi të veçantë ka fakti se kongresistët nga të dyja partitë – demokratë dhe republikanë – u bashkuan në një konstatim të përbashkët, se: “diskriminimi i shqiptarëve në Serbi është sistematik dhe i rrezikshëm për stabilitetin rajonal”. Prandaj, në seancë u kërkua: rritja e trysnisë mbi Serbinë, rishikimi i politikës së SHBA ndaj Beogradit, rritja e mbështetjes për komunat shqiptare të Luginës dhe mbrojtje konkrete e të drejtave të qytetarëve që po goditen nga pasivizimi. Disa anëtarë të Kongresit e krahasuan situatën me praktikat e spastrimit administrativ në vende të tjera, duke paralajmëruar se tolerimi i mëtejshëm mund të çojë në përshkallëzim. Kjo është një arritje jashtëzakonshme dhe historike për shqiptarët në Luginën e Preshevë, që më në fund, çështja e diskriminimit sistematik të tyre ka hyrë fuqishëm në agjendën e politikës së jashtme të SHBA-së. Sepse, Sipas Joseph, injorimi i kësaj situate nga Perëndimi ka krijuar një “zonë gri pa të drejta”, duke i dhënë Serbisë hapësirë të lirë që të ndërtojë një realitet të ri demografik në kufirin me Kosovën. Ky moment është historik dhe është hera e parë që Luginës së Preshevës i kushtohet një dëgjim i posaçëm zyrtar në Kongresin amerikan. Kjo nënkupton: futjen e çështjes në dokumentet punuese të politikës së jashtme të SHBA-së, rritjen e vëmendjes në Departamentin e Shtetit dhe hapjen e rrugës për masa të drejtpërdrejta politike dhe diplomatike. Ekspertët e quajtën këtë zhvillim “moment të kthesës”, pasi për dekada Lugina ka qenë çështje e nënvlerësuar, ndërsa Serbia ka vepruar pa u ndëshkuar. Kështu, epoka e heshtjes për këtë pjesë të Shqiptarisë definitivisht mbaroi dhe dëgjimi në Kongres shënon fundin e periudhës së indiferencës ndërkombëtare ndaj Luginës së Preshevës. Për herë të parë, politikat diskriminuese të Serbisë u trajtuan si rrezik gjeopolitik dhe si çështje serioze e të drejtave të njeriut. Kjo krijon mundësi të reja për diplomacinë kosovare dhe shqiptare dhe i jep komunitetit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës një platformë të re amerikane, që realisht ka ngjallur shpresat për një të ardhme më të sigurt dhe më të barabartë.

Average Rating