
James Rubin: S’gjetëm prova për vrasje nga Thaçi e Krasniqi
James Rubin gjatë dëshmisë së tij në Hagë ka thënë se nuk kanë pasur asnjë të dhënë apo provë që Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin i lidhin me vrasje dhe ekzekutime.
Rubin ka folur për takimet me Thaçin. Ai e kujton kohën kur Thaçi shkoi si kryeministër në New York.
“Pas vitit 2000 kam pasur ndërveprim me Thaçin. Nuk më kujtohen të gjitha, më kujtohet takimi i parë ai ishte djal i ri, e kam takuar në një kohë të vështirë, nuk kishte funksion apo pushtet. Dhe herën e parë jemi takuar pas publikimit të kësaj në New York kur është bërë kryeministër. Erdhi në një restorant si kryeministër, dhe unë u habita nga kjo sepse kishte kaluar nga një djal i ri që punonte në rrethana të vështira, befasisht ishte bërë kryeministër. Kishin kaluar disa vite, 4-5 vite. Kjo ka ndodhur në një restorant në New York. Hera e fundit besoj duhet të ketë qenë rreth vitit 2018 kur po punoja në Uashington dhe ai ishte president i Kosovës”, tha Rubin. “Kontratë me qëllimin për të bërë paqe me Serbinë në përpjekje për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të sjellur paqe, isha i gëzuar ta shoh atë, ndoshta ne mund të jepnim fund konfliktit me njohje të ndërsjellë”, tha Rubin.
Në prezantimin e shkurtër që ia bëri James Rubinit, i cili gjatë kohës së luftës në Kosovë ka qenë ndihmës sekretar amerikan i Shtetit, avokati kryesor i ish-presidentit Hashim Thaçi, Lluka Mishetiq, ka theksuar se dëshmitari ishte i dërguar i lartë i sekretares së Shtetit Madeline Albright dhe u përfshi në Rambuje me përfaqësuesit shqiptarë të Kosovës dhe në demobilizimin e UÇK-së. Mishetiq tha se dëshmitari, Rubin, ka treguar paraprakisht në dëshminë e tij para mbrojtjes se në Rambuje, Thaçi i ka treguar se ishte i shqetësuar se nuk kishte autorizimet e nevojshme për të dhënë nënshkrimin e tij në emër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Rubin ka nisur dëshminë, ndërsa dy zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit të pranishëm në gjykatë.
Mbrojtja ka nisur paraqitjen e provave në gjykimin Thaçi dhe të tjerët duke thirrur dëshmitarin e parë këtë mëngjes. Sipas përmbledhjes së Mbrojtjes të lexuar në gjykatë, dëshmitari James Rubin ka shërbyer si Ndihmës Sekretar i Shtetit i SHBA-së për Çështjet Publike dhe Zëdhënës Kryesor nga viti 1997 deri në vitin 2000. Përfaqësues të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara janë të pranishëm në sallën e gjyqit për të shoqëruar dëshmitarin.
James Rubin gjithashtu ka deklaruar se edhe kur ka biseduar me miq të tij që kanë punuar në agjenci të inteligjencës, nuk i kanë dhënë informacione të tilla.
“Ne nuk kemi gjetur asnjë të dhënë, asnjë provë, asnjë informacion që lidhte pretendime të tilla për ekzekutime dhe vrasje me udhëheqës të tillë, as me zotin Krasniqi as me zotin Thaçi. Rreth 25 vjet që jam larguar nga Qeveria, kam pyetur të gjithë ata që kanë pasur informacion lidhur me këtë pretendim, dhe jo vetëm në vitet 2000, por edhe dekada më vonë, miqtë e mi që kishin informacione inteligjente kur kanë punuar ndonjë kohë, nuk më kanë dhënë informacione që bëjnë lidhjen e këtyre pretendimeve me ndonjërin prej drejtuesve të UÇK-së”, ka theksuar ai.
Rubin ka deklaruar se niveli i dezinformimit në Ballkan ka qenë shumë i madh, kryesisht i ndikuar nga Rusia dhe Kina për qëllime të caktuara. Po ashtu, dëshmitari u pyet për rastin “Panda” në Pejë, për të cilin tha se nuk i kujtohet konkretisht, por incidente të tilla të ngjashme kanë ndodhur.
Rubin, gjatë dëshmisë së tij në Hagë, ka deklaruar se deri në ndërhyrjen e NATO-s, ata nuk kanë besuar asnjëherë që UÇK-ja kishte strukturën që ata mendonin.
“Deri në ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, ne nuk e kemi besuar asnjëherë që UÇK-ja kishte strukturë që ne e mendonim që ishte një strukturë e mirëorganizuar ushtarake”, ka thënë Rubin.
Rubin ka theksuar se nuk merrte informacione nga misioni i GDOM-it në Kosovë lidhur me strukturën e UÇK-së dhe se ata ishin të fokusuar në lëvizjet e forcave serbe dhe veprimet e UÇK-së.
Rubin ka deklaruar se në Grupin e Kontaktit ka pasur kontakte minimale me Jakup Krasniqin dhe se pika e kontaktit për udhëheqjen e shqiptarëve të Kosovës ishte Hashim Thaçi.
Sipas tij, pjesa më e madhe e anëtarëve të delegacionit ishin pro nënshkrimit të marrëveshjes. Po ashtu, u pajtua se konsultimi duhej të bëhej me komandantët e zonave.
Në këtë seancë, James Rubin pohoi se Ramë Buja, Sokol Bashota dhe Jakup Krasniqi përshkruheshin si persona të moderuar brenda UÇK-së.
Rubin: Thaçi nuk kishte autoritet e as mundësi të diktonte asgjë
(E Plotësuar, ora 13:45) Hashim Thaçi nuk ka pasur autoritet dhe as mundësi për të diktuar ndonjë gjë, ka deklaruar në dëshminë e tij James Rubin, i cili gjatë kohës së luftës në Kosovë ka qenë ndihmëssekretar amerikan i Shtetit.
Ish-diplomati amerikan James Rubin, në dëshminë para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, tha se shqiptarët vriteshin thjesht që ishin shqiptarë të Kosovës, dhe kjo filloi të ngjasonte me krizën në Bosnjë ku u vranë e masakruan njerëz thjesht për shkak të etnisë së tyre dhe jo për diçka se kishin bërë.
“Shqiptarët vriteshin thjesht që ishin shqiptarë të Kosovës, dhe kjo filloi të ngjasonte me krizën në Bosnjë ku u vranë e masakruan njerëz thjesht për shkak të etnisë së tyre dhe jo për diçka se kishin bërë. Dhe filluam të shihnim se po shfaqej e njëjta politikë, e njëjta gjë dhe kjo na bërë që ne të vepronim, ata ishin viktima, jo vetëm që ishin të shtypur me dhjetëra vite prapë po masakroheshin nga forcat paraushtarake dhe ushtarake serbe dhe ne nuk donim që të përsëritej tmerri i Bosnjës në Kosovë. Ky ishte qëllimi i politikes sonë””, tha Rubin.
Rubin shtoi se, bota, ShBA-të vendosen të angazhoheshin në nivel serioz, te angazhonin forcat ushtarake, NATO-n, madje bashkëpunuam edhe me rusët aso kohe të përpiqeshim ta parandalonim një gjenocid tjetër.
Rubin tha se nuk e shihte Hashim Thaçin si faktor kryesor në Konferencën e Rambujesë, por si një përfaqësues të qëndrimeve të delegacionit shqiptar. Sipas tij, Thaçi nuk ishte në gjendje të merrte vendime pa u konsultuar me të tjerët.
“Ai ishte një person të cilit i ishte caktuar detyra të komunikonte me ne nga udhëheqja kosovare, ashtu siç ishte ajo në atë kohë. Ne nuk e kishim kuptuar mirë se si funksiononte struktura udhëheqëse, por e kishim të qartë se ai nuk kishte autoritet dhe as mundësi për të diktuar ndonjë gjë. Thjesht pasqyronte vendimet që merreshin nga ajo zyra, diku e fshehur, zyra e udhëheqjes shqiptare që merrte vendime në grup dhe që nuk ishin gjithmonë të pranishëm. Kështu që atij i duhej të merrte leje nga ata. Ai nuk kishte mundësi vetë. Nuk ishte në gjendje të diktonte rregulla apo kushte. Prandaj, kur donim të bënim diçka shumë të rëndësishme, ai duhej të komunikonte me persona të tjerë për të marrë miratimin”, tha Rubin.
Rubin: Thaçi nuk kishte autoritet e as mundësi të diktonte asgjë|LIVE
Ish-diplomati amerikan deklaroi para Gjykatës Speciale se, për të arritur një marrëveshje paqeje, ishte e domosdoshme të arrihej pajtimi edhe me faktorin ushtarak, andaj Thaçi kryesonte delegacionin në Rambuje.
“Ishte i shqetësuar dhe tha se ishte nën presionin e komandantëve të UÇK-së në Kosovë dhe të financuesve të saj nga Evropa. Ata do ta konsideronin tradhtar. Ai ndjente se, po ta humbiste mbështetjen e Albright-it si mike, kjo do të ishte një katastrofë e vërtetë për kauzën e tij”, ka deklarua Rubin, icili shtoi se pas një takimi që kishte pasur me sekretaren amerikane Madeleine Albright, James Rubin tha se kishte bërë një shëtitje me Hashim Thaçin, gjatë së cilës ky i fundit i kishte shprehur shqetësimin dhe presionin që ndiente nga komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjithashtu Rubin theksoi se gjatë asaj shëtitjeje, koha ishte e ftohtë dhe se Thaçi kishte refuzuar të vishte pallton që ai i kishte ofruar. Për këtë ngjarje u pyet edhe në gjykatë dhe Rubin e pohoi se ishte e vërtetë.
Ai shtoi se Rusia dhe disa vende të tjera kërkonin që në dokumente të mos përmendej fjala “pavarësi”, por vetëm të ndalej lufta. Ndërsa, Thaçi kishte deklaruar se nuk mund të nënshkruante asnjë dokument që nuk përmbante fjalën “pavarësi”, sepse kjo do të shihej si tërheqje nga synimi për pavarësinë e vendit.
Rubin: Nuk i njihnim mirë strukturat e UÇK-së
Ish-diplomati amerikan James Rubin, po dëshmon para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, në rastin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Dëshmia e tij pritet të zgjasë disa ditë.
Rubin u ndal gjatë në përvojën e tij me Hashim Thaçin, për të cilin tha se kishte qenë një moment kyç kur u kuptua se ishte lider i delegacionit shqiptar dhe pjesë e UÇK-së.
“Nuk njihnim mirë strukturat e UÇK-së. Kur arritëm aty e kuptuam që udhëheqësi i delegacionit shqiptar ishte i inkuadruar në UÇK. Folëm për takimin me Thaçin në Rambuje. në kuadër të takimit ai më njohu menjëherë për shkak të TV. Albright më tha që të rrija me të, ta njihja Thaçin më mirë. Gjatë gjithë javës unë kam ndejtur me të, jena takuar, kemi pi kafe, çaj e cigare. Thaçi nuk fliste anglisht në këto rrethana ne komunikonim përmes gjuhës se trupit. Në nivel diplomatik ka pasur përkthyes”, tha ai.
Average Rating