MBI LIBRIN E SKËNDER SADRI KAPITIT: PA UÇK-NË DHE NATO-N NUK DO KISHIM SHTETIN E KOSOVËS
Nga Bedri TAHIRI
Që kur vajta për herë të parë në Durrës, fill pas çlirimit të Kosovës, më priu një fat i mbarë që u njoha me njërën prej familjeve më atdhetare dhe intelektuale të këtij qyteti të lashtë, me Kapitët. Ama, Skënderi, veçohet prej të gjithëve. I urtë, serioz, i heshtur, fjalëpaktë, i tërhequr, i matur, i thellë në mendime, i arsyeshëm. Një botë e tërë e pazbuluar. Sa më shumë që rrija me të, në debate, në promovime librash, në manifestime, në akademi përkujtimore, shkencore e letrare, aq më shumë e kuptoja talentin e tij prej mendimtari guximtar, tolerant, i gatshëm për t’u përballur me sfidat e jetës hileqare.
Skënder S. Kapiti nga Durrësi, i formësuar me trashëgimi, me bindje dhe me edukatë të thellë kombëtare, kundër ideologjisë së gënjeshtrave dhe të pavërtetave, kundër shëmtive të atdheut e të kombit, autor i veprave “Triumfi i kombit”, “Njeriu filozof, etik e politik”, “Moralokracia”, “Pesë letra drejtuar kombit”, ”SHBA DHE REFORMA E DREJTËSISË NË SHQIPËRI-VETINGU”. etj., këto ditë të mjegulluara politike gjithandej trojeve shqiptare, na e erdhi edhe me një libër mjaft interesant e me porosi të qarta “PA UÇK-në dhe NATO-n NUK DO TË KISHIM SHTETIN E KOSOVËS”.
Autori Skёnder S. Kapiti, me një guxim të paparë intelektual u kundërvihet dukurive negative të shoqërisë sonë, e cila, herë- herë, sikur e humb toruan dhe, gati pavetëdijshëm, bie në situate të palakmueshme, duke rënë pre e orekseve të sëmura të prijësve të vet…
Kombi ynë ka mbijetuar, sepse ёshtё njё komb vital, i fortё dhe dinamik, megjithёse i lodhur dhe i përçarë ai ka triumfuar mbi sfidat dhe vёshtirёsitё e mёdha, sepse nё rrethana vendimtare i kanё dalё nё krye atdhetarё largpamёs qё kanё kontribuar me gjithçka kanё pasur pёr popullin dhe atdheun e tyre.
Në këtë vazhdë doli në skenë edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e prirë nga sypatremburi e altruisti Adem Jashari, i cili, me gjithë familjen e ngushtë e familjarët e gjer u shndërrua në Flakadan të pashuar lirie e frymëzues për gjithë shqiptarët deri sa erdhi Dita e Bardhë- Liria!
“Asnjë armik i jashtëm dhe as i brendshëm, asnjë “gjykatë speciale”, asnjë dashakeqës e shpifës, asnjë pushtet dhe asnjë politikë e korruptuar nuk do të munden që as me censurë, as me intriga dhe as me shpifje , as me pazar politik dhe as me para nuk do të munden që të spekulojnë dhe as ta korruptojnë e mashtrojnë memorien kolektive dhe historinë e lavdishme të UÇK-së- shkruan Skënder Kapiti.
Luftën dhe historinë e ushtrisë më të re të Evropës, të UÇK-së e ka shënuar edhe historia e Aleancës ushtarake më të fuqishme të Botës, NATO, e cila në luftën për çlirimin e Kosovës ishte aleatja e UÇK-së në luftë kundër makinerisë dhe shtetit kriminal e gjenocidit serb…
Lufta e UÇK-s është vlera më e madhe kombëtare si një lufte heroike, burrërore, çlirimtare e patriotike e cila ndryshoi dhe e ktheu historinë dhe kohën në favor të shqiptarëve. Pa UÇK-në Kosova edhe sot do të ishte nën sundimin e kolonizatorit serb.
Edhe sot e nё vazhdimësi kёrkohet qё elementёt patriotё tё kontribuojnё sa tё munden qё tё mos e lёnё qё populli tё bjer pre e gabimeve dhe mashtrimeve dhe tё tё kёqijava politike e korruptive e atyre qё kontrobandojnё me interesat e kombit dhe tё atdheut pёr pёrfitime pushteti e politike dhe qё tё mos bjerё pre e çoroditjes qё vjen nga dёshpёrimi i politikёs qё nuk ka as interesin e as pasionin patriotik.
Ky është mesazhi që del nga libri i fundit i Skënder S. Kapitit “PA UÇK-në dhe NATO-n NUK DO TË KISHIM SHTETIN E KOSOVËS”, andaj duhet kuptuar e mbajtur vath në vesh nga secili që i ka dy kokrra mend në kokë.
Dhe, autori, tekefundit, ka të drejtë morale e kombëtare, të jap porosi, ngase vjen nga një trung i lashtë trimërie e atdhetarie. Madje, edhe vetë, ishte pjesë e luftës, ishte sekretar i mobilizimit dhe regjistrimit të vullnetarëve, shqiptarë e të huaj, që vinin nga perëndimi dhe ia mësynin fronteve të luftës në Kosovë. Hotel DRENICA, me pronarin e saj, luftëtarin sypatrembur e atdhetarin Gani Kapiti (vëllai i autorit Skënder Kapiti), u bë qendra kryesore e këtyre organizimeve luftarake. Në këto procese ishin edhe vëllezërit tjerë të tyre, Sylejmani, Fatmiri (lokalin “KapitI”) e Naimi (lokalin “Kosova”, lokalet e të cilëve si dhe vetë shtëpitë e familjarët e tyre, ishin vënë në shërbim të Kosovës (mos harroni, Kapitët janë kosovarë, që kanë përbiruar për vesh gjilpëre).
Dhe, edhe unë, personalisht, duke u njohur mirë e mirë me punën e tyre të pakursyer në shërbim të Kosovës e të çështjes kombëtare, veçan të formacionit më të suksesshëm ushtarak në gjithë historinë tonë- UÇK-së, në fund të librit tim për këtë familje atdhetare, pata ber një kërkesë, pas të cilës qëndroj përherë derisa të realizohet: Hotel „DRENICA“ i Durrësit të shpallet SHTËPI MUZE!
Në kapitullin e fundit të librit “Të këqijat më të mëdha Shqipërisë dhe Kosovës po u vijnë nga politikanët dhe korrupsioni i tyre”, autori me plot të drejtë shpërthen kundër politikanëve e korrupsionit që i ka kapluar ata, të cilët, si në Shqipëri, si në Kosovës, po e ngufasin demokracinë…
Në të përfunduar, pa e zgjatur më shumë, ngase edhe ashtu libri kuptohet e përjetohet vetëm duke u lexuar, këto mbresa leximi po i përmbylli me uratën: shkrimtari Skënder S. Kapiti e pastë shëndetin e na dhuroftë edhe të tjerë libra të tillë, për të na këndellur si shoqëri që kemi marrë tatëpjetën!
DHJETOR 2025

Average Rating