Opinion: Agim Vinca, servil i Enver Hoxhës

Read Time:9 Minute, 5 Second

Nga Eshref Ymeri

Gjatë një periudhe 20-vjeçare (2004-2024), kam pasë botuar në intenet 15 ese, kushtuar Kadaresë. Këto ese i kam përmbledhur në një libër me rreth 120 faqe. Libri titullohet “Kadareja në truallin e politikës”.  Nuk jam marrë absolutisht me analizën e krijimtarisë artistike të Kadaresë. Jam marrë vetëm me ato raste, kur Kadareja, duke iu servilosur kryekriminelit Enver Hoxha aq shumë, i pati lejuar vetes të krijojë një korpus të tërë poetik me lëvdata tepër të larta, duke u bërë mbështetje e fuqishme në luftën e egër të klasave që ai kryediktator pati shpërthyer për hedhjen e shqiptarëve kundër shqiptarëve.
Librin ia dërgova Profesorit Agim Vinca për një Recension. Më 12 shkurt ai më ktheu përgjigje negative, se ishte shumë i zënë dhe nuk i premtonte koha e as shëndeti.
Më bëri përshtypje ky refuzim dhe i shtrova vetes pyetjen: mos vallë Profesor Agim Vinca ka diçka të përbashkët me Kadarenë në qëndrimin servilist ndaj kryekriminelit Enver Hoxha? Prandaj vendosa të shtegtoj nëpër faqet e internetit. Në ato faqe zbulova dy gjëra interesante, për të cilat nuk kam pasur kurrë dijeni.
Së-pari, Agim Vinca paska qenë një kryeservil i aij kryekrimineli, armiku të egër të mbarë kombit shqiptar. Në vijim po u përcjell lexuesve poezinë elegjiake të Agim Vincës, të shkruar një ditë pas rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës në Sheshin Skënderbej, në Tiranë, më 20 shkurt 1991.
Agim Vinca
Rëniae Enver Hoxhës
Faqja e intrnetit “Albspirit”
03 Nëntor 2019
Më 20 shkurt 1991,
në sheshin SKENDERBEJ në Tiranë
Ra Enver Hoxha.
E pranoj: për ne këtej kufirit
Nuk qe e lehtë kjo rënie.
Qe si një gjëmim gjëme.
Tërë jetën kërkonin nga ne që ta shanim
Ata që na quajtën SHIFTARË.
Tërë jetën kërkonin nga ne që ta mohonim
Ata që na mohonin.
Tërë jetën kërkonin nga ne që ta pështynim
Ata që na pështynin.
Për emrin e tij shkohej në burg,
Për një këngë, për një vjershë
A veç për dy germa:
Eh, or tungjatjeta!
Tërë jetën kërkonin nga ne që ta shanim
Ata që prapë na shajnë.
E ne e donim si për inat!
Nuk më erdhi mirë,
nuk më erdhi mirë
ajo pamje në rrugët e Tiranës
në ekranin e TV Beogradit
(TVP-në na e ndaluan
Ata që na ndalonin dhe Enver Hoxhën!
Ata që trumbetonin me tamtam
Se fjala Tiranë vjen nga tirani.
Ata që na ndalonin të thërrisnim EHO
Në stadiumin e Prishtinës).
Më 20 shkurt 1991
Në sheshin SKËNDERBEJ në Tiranë
Ra Enver Hoxha.
Thanë u hoq zvarrë shtatorja e tij
Si trupi i Hektorit rreth mureve të Trojës
Rrugëve të Tiranës.
Thonë: kështu e pësojnë tiranët!
Thonë e çka thonë.
Po mua m’u errën sytë, m’u errën
tek e shihja këtë horror kuadër
përmes ekranit të TVBeogradit.
Prishtinë. 21.II.1991

Është interesante. Poetët dhe shkrimtarët, që janë lepitka të pështira të diktatorëve kriminelë, kanë të njëjtin kod servilizmi. Ja çfarë shkruan Ismail Kadareja në poezinë “Fjalimi i Enver Hoxhës më 3 tetor 1974”:

Fjalët e tij ikin larg, n’eter fluturojnë,
Ku dimrat mbi pullaze shtetesh brerojnë kudo,
Ku nën retë e mëdha monumente e kupola çohen
Kolona me fjalë latine e hieroglife gdhendur mbi to
Bronx e rituale parlamentesh, formula pompoze,
Fjalë gjëmimtare për lirinë, të tingullta e të mëdha,
Por me gjithë kupolat a jehonën solemne bronzore
Bota pavarësinë më të rrallë se uraniumin e ka
Ndaj kur një fjalë e gjallë për të
Çan mes sarkofagësh të vdekjes,
Një fjalë e gjallë për lirinë,
Bota vë veshin në përgjim.
Ndaj kur midis qiellit memorial të kësaj vjeshte
Fjalët e Enver Hoxhës ndeshin,
Bubullimat mënjanohen me nderim.

Me vargjet e kësaj poezie kriminale, Ismail Kadareja bëhej mbështetje e fuqishme e kryekriminelit Enver Hoxha, i cili, pas atij fjalimi ogurzi, shpërtheu dhe intensifikoi fushatën e egër kundër personaliteteve të artit, të kulturës, të ekonomisë, të cilën e mbylli me krimet e përbindshme në radhët e ushtrisë, duke pushkatuar gjeneralë, deri edhe ministrin e mbrojtjes. 

Kryekrimineli Enver Hoxha e pati merituar me kohë fatin e Çausheskut, por shqiptarët nuk qenë të zotë të ngriheshin në nivelin e popullit rumun. Ai kryekriminel, si agjent dhe argat i bindur i Beogradit, pati bashkëpunuar me Titon, në mënyrë që divizionet e Mehmet Shehu në Dardani, në bashkëpunim me ushtrinë jugosllave, të arrestonin 4 mijë djem dhe burra dardanë, për t’i shoqëruar përmes territorit shqiptar – Kukës-Shkodër – dhe për t’i përcjellë për masakrim në Tivar.
Ja, pikërisht shembjes së shtatores së një kryekrimineli të tillë, Agim Vinca i pati kushtuar poezinë elegjiake që u citua më lart.
Së-dyti, gjatë shtegtimit përsëri në faqet e internetit, rezultoi se Agim Vinca paska qenë agjent i UDB-së. Ai dhe Rexhep Qosja. paska spiunuar për të vrarë Ukshin Hotin, personalitet i shquar ky shkencor dhe politik i Dardanisë, të cilin Serbia fashiste, më 16 maj 1999, e zhduku pa lënë asnjë gjurmë
Zotëria i nderuar Sadri Imeri, moderator i “Kojshia Show”, më 03 qershor 2025, transmetoi në youtube emisionin me titull “Nafi Çegrani: Rexhep Qosja e Agim Vinca spiunuan per te vrarë Ukshin Hotin!”.
Intervistën e Nafi Çegranit, me të njëjtin titull, lexuesit mund ta gjejnë edhe fb.
Strategjinë e servilizmit të Ismail Kadaresë dhe të Agim Vincës ndaj kryekriminelit Enver Hoxha, e pasuron Rexhep Qosja me servilizmin e tij prej skllavi ndaj Titos Ja çfarë shkruan Rexhep Qosja për Titon:
Rexhep Qosja
Katër meritat e Josip Broz Titos
Faqja e internetit “Albspirit”
03 Nëntor 2019
“Tito e ka udhëhequr dhe e ka sjellë deri në triumf përfundimtar Luftën Nacionalclirimtare të popujve të Jugosllavisë – ja një meritë e mjaftë historike për të gjitha kohërat.
Tito e ka udhëhequr dhe e ka sjell deri në triumf përfundimtar luftën që ka përmbysur monarkinë, duke i hapur rrugën ngadhnjimit të socializmit – ja një meritë tjetër e mjaftë për historinë.
Tito na ka udhëhequr shtigjeve të vetëqeverisjes socialiste, të barazisë, vëllazërimit e bashkimit, bashkëjetesës së kombeve dhe kombësive – ja një meritë tjetër e jashtëzakonshme historike.
Tito i ka prirë idesë së madhe që i reziston presionit të fuqive të mëdha e që sot njihet si ide e mosinkuadrimi t- ja edhe një meritë tjetër, aq e madhe, aq vendimtare në historine e përbotshme”.
Maj 1980

Pra, kryeservili i Titos, Rexhep Qosja, anashkalon të gjitha krimet që Jugosllavia titiste ka kryer kundër shqiptarëve të Dardanisë, vrasjet e panumërta në kufi, internimet në Goli Otok, shpërnguljen me dhunë të mijëra shqiptarëve nga Maqedonia drejt shkretëtirave të Turqisë Lindore. Në një material, të vjelë nga faqet e internetit, flitet për bashkëpunimin kriminal të Titos dhe të Enver Hoxhës kundër Dardanisë. Ja materiali në vijim:
“Në delegacionin e parë të shqiptarëve të Kosovës, i cili shkoi në Beograd te Josip Broz Tito më 4 prill 1945, merrte pjesë edhe Halim Spahia. Ai shprehu haptas mospajtimin dhe kundërshtoi vendosmërisht me fakte aneksimin e Kosovës nga Jugosllavia dhe hyrjen e Kosovës në Serbinë Federale, duke kërkuar njëherit mbetjen e saj në përbërje të Shqipërisë etnike. Ai këtu, në zemër të Serbisë, në prezencën e J.B. Titos dhe të udhëheqësve më të lartë jugosllavë e të Serbisë, kërkoi përfilljen e së drejtës për vetëvendosje të shqiptarëve, të garantuar me Kartën e Atlantikut dhe Rezolutën e Konferencës së Bujanit, për realizimin e së cilës ishte garante edhe Jugosllavia e Re, pra, kërkoi bashkimin e pjesës së ndarë me Amën e tyre.
Përgjigje të rrepta të Halim Spahisë pas arsyetimit të J.B. Titos “Se ishin marrë vesh (J.B. Tito) me Enver Hoxhën, që, për shkak të rrezikut që do t’u kanosej fryteve të LNÇL nga reaksioni shqiptar në Kosovë dhe Shqipërinë Veriore, të mbetet përkohësisht Kosova në përbërje të Jugosllavisë së Re”.
Atëherë, Halim Spahia parashtroi kërkesën për krijimin e një Republike të veçantë unike për shqiptarët e mbetur në Jugosllavi. Mirëpo edhe kjo kërkesë hasi në kundërshtim të J.B. Titos dhe të udhëheqësisë më të lartë Jugosllave e të Serbisë, me motivacionin se shqiptarët nuk kanë të drejtë që të kenë republikën e tyre në Jugosllavi, pasi nuk janë komb, por pakicë kombëtare. Pas këtyre replikave të rrepta të Halim Spahisë me udhëheqësinë më të lartë Jugosllave e të Serbisë, ky e lëshoi këtë takim, duke deklaruar në dalje publikisht para tërë asaj turme që priste para rezidencës rezultatet e këtij takimi historik për ardhmërinë e Kosovës, me këto fjalë:
“Po ju njoftoi se prej sot e pati Kosova, sepse ajo është shitur”.
Kryetari i delegacionit të shqiptarëve të Kosovës, renegati Mehmet Hoxha, u mundua që të bindë Halim Spahinë për të shkuar bashkërisht në Presidiumin e Serbisë që të nënshkruajnë hyrjen e Kosovës në Serbinë Federale. Mirëpo, Halim Spahia, pa u hamendur, iu drejtua anëtarëve të delegacionit që gjendeshin aty me këto fjalë:
“Ne erdhëm te J.B. Titoja që t’i parashtrojmë kërkesat tona të vendosura që nuk u morën në shqyrtim dhe nuk kemi pse të shkojmë në Presidiumin e Serbisë, apo gjetiu në Beograd. Ejani, burra, të shkojmë sa më parë në Kosovën tonë, se na presin punë të mëdha dhe tejet urgjente për ardhmërinë e kombit tonë”. (Nga deklarata e anëtarëve të delegacionit: Qamil Luzha, Vesel Rexhepi dhe Ukë Sejdi Grabanica).
Menjëherë pas largimit nga rezidenca e J.B. Titos, Halim Spahia, së bashkut me Qamil Luzhën, vajti në ambasadën e Shqipërisë në Beograd, ku bisedoi haptas me ambasadorin e atëhershëm të Shqipërisë – Hysni Kapon, Ramadan Çitakun (atashe ushtarak) dhe Vasil Konomin (sekretarin e parë të ambasadës shqiptare në Beograd). Ambasadori Hysni Kapo, me këtë rast, i tha Halim Spahisë:
“Halim, pse kërkoni të bashkoheni me ne (Shqipërinë), kur Shqipëria së shpejti po hyn në përbërje të Jugosllavisë së Re si Republikë e Shtatë”.
Me këtë rast, Halim Spahia reagoi shpejt dhe shumë ashpër me këto fjalë:
“Shiqo Hysni Kapo, së parit të bashkohemi të gjithë shqiptarët në një Shqipëri unike, dhe pastaj të shkojmë ku të shkojmë bashkërisht e jo kurrsesi kështu të copëtuar”.
Në të kthyer nga Beogradi në Gjakovë e Prizren, ku kishte takime sekrete me anëtarët e KQ të LNDSH dhe patriotë të njohur, udhëtoi për në Tiranë për t’u takuar me Enver Hoxhën (me të cilin njihej mirë qysh më herët). Në këtë takim me Enver Hoxhën, në prezencën edhe të sllavomaqedonit Koçi Xoxe, kërkoi përkrahjen e Enver Hoxhës për këtë çështje me rëndësi jetike për ardhmërinë e Kosovës dhe të kombit shqiptar, por pa dobi, pasi nuk gjeti mirëkuptim dhe as mbështetje të duhur”. (Citohet sipas: “Halim Spahia – Uikipedia”. Marrë nga faqja e internetit, 07 shtator 2010).
Siç dihet, nacionalisti i shquar Halim Spahia, gjatë kohës që ndodhej në Shqipëri, arrestohet me urdhër të Enver Hoxhës dhe u dorëzohet autoriteteve jugosllave, të cilat e pushkatuan në vitin 1946, bashkë edhe me disa nacionalistë të tjerë.
Me sa duket, poetët dhe shkrimtarët – servilë të diktatorve, si Ismail Kadarea, Agim Vinca dhe Rexhep Qosja, në jetë kanë pasur si yll karvani një aforizëm bukur të qëlluar, që vjen nga thellësitë e shekujve:
“Në jetë nuk ka rëndësi nëse të pëlqejnë ose jo të gjithë të tjerët, rëndësi ka që të të pëlqejë ai që i sundon të gjithë”.
Kaliforni, 12 shkurt 2026

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %

Average Rating

5 Star
0%
4 Star
0%
3 Star
0%
2 Star
0%
1 Star
0%

Leave a Reply

Previous post U mbajt marshi për ish-krerët e UÇK-së “Drejtësi, jo politikë”
Next post Fjalimi historik kur Bill Clinton dha urdhërin për bombardimin e Serbisë