Pas leximit të një polemike të ambasadorit rus Aleksej Zajcev
Eshref Ymeri

Avazi i Mukës
i ambasadorëve rusë në Tiranë
Tek po shtegtoja nëpër faqet e internetit, fare rastësisht hasa në artikullin me titull “Koment i Ambasadorit të Rusisë në Shqipëri A.A. Zaitsev për gazetën Dita”, botuar më 23 janar 2025. Në atë artikull, ambasadori Zajcev polemizonte me ambasadorin tonë në Moskë gjatë viteve 1998-2001, Shaqir Vukaj. Si shkak për atë polemikë, ambasadorit Zajcev i kishte shërbyer artikulli i ambasadorit tonë, me titull “Këshillë modeste ambasadorit rus”, të botuar po në gazetën “Dita” më 14 janar 2025. Thelbin e këtij artikullit e përbën reagimi ndaj deklaratës së ambasadorit Zajcev, i cili qe munduar “të argumentojë” se nuk paska ekzistuar kurrë një politikë antishqiptare e Rusisë. Pra, politika ruse na paska qenë “vetëm dashamirëse” ndaj vendit tonë.
U bënë kaq vite që ambasadorët rusë në Tiranë mbajnë të njëjtin avaz për të ashtuquajturën miqësi Rusi- Shqipëri. Në gazetën “Shqip” të datave 23 dhe 24 dhjetor 2006, qe botuar një intervistë e ambasadorit Aleksandër Prishepov, dhënë gazetarëve Aida Harka dhe Leonard Mitro. Në atë intervistë, ai, midis të tjerash, deklaronte: “Shqiptarët dhe rusët kanë ndjenja historikisht miqësore ndaj njëri-tjetrit”.
Në faqen e internetit “info Albania” të datës 09 korrik 2013, qe botuar një intervistë, të cilën moderatorja e emisionit “Shqip” të TV Top Channel, Rudina Xhunga, i kishte marrë ambasadorit Leonid Abramov. Që në përgjigje të pyetjes së parë, ambasadori Abramov theksonte: “Rusët gjithmonë i konsiderojnë shqiptarët si miq”.
Në faqen e internetit “Gazeta Impakt” të datës 15 shkurt 2018, ambasadori Aleksandër Karpushin nënvizonte: “Përsa u përket marrëdhënieve bilaterale Rusi-Shqipëri, ato kanë tradita të pasura të lidhjeve shumë të ngushta, madje vëllazërore…”. Në artikullin e vet polemizues, ambasadori Zajcev deklaron: “Teza se Rusia gjithmonë ka kundërshtuar me vendosmëri krijimin e një shteti të pavarur shqiptar, bie ndesh me faktet historike”.
Me këtë deklaratë, ambasadori Zajcev dëshmon për dy gjëra: ose është i papërgatitur në aspektin historik të marrëdhënieve Rusi-Shqipëri, ose shtrembëron të vërtetën qëllimisht, thjesht mashtron. Ai mundohet “ta argumentojë përkrahjen” e Rusisë për Shqipërinë me denoncimin që u bëri Lenini në vitin 1918 traktateve të fshehta të Rusisë cariste, midis të cilëve figuronte edhe Traktati i fshehtë i Londrës. Në të vërtetë, Lenini nuk pati denoncuar vetëm atë traktat se “i digjej shpirti” për Shqipërinë, por të gjitha tratatet e fshehta të carizmit.
Në polemikën me ambasadorin Shaqir Vukaj, ambasadori Zajcev shkruan:
“Në vitet e pasluftës (1945-1961), pikërisht BRSS ndihmoi republikën e re socialiste të krijonte bazën e industrisë, ushtrisë dhe flotës detare, dha një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e qendrave shkencore, arsimore
dhe kulturore në të gjithë vendin, si dhe në trajnimin e personelit të ri shqiptar”.
Lind pyetja: mos vallë ndihmat e Bashkimit Sovjetik për vendin tonë qenë dhënë falas? Si është e vërteta?
Së pari, Bashkimi Sovjetik, gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, ishte mjaft i ineresuar të kishte një bazë të fuqishme ushtarake detare në Shqipëri, falë pozicionit të saj mjaft strategjik në pellgun e Mesdheut, në përballje me Flotën e gjashtë amerikane. Prandaj ajo ngriti një bazë të fuqishme nëndetësesh dhe anijesh luftarake në Pashaliman të Vlorës, për çka nuk i paguante anjë kopek shtetit shqiptar, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për dy baza detare që kishin në Greqi, kësaj i paguanin një qira prej 2 miliardë dollarë në vit.
Së dyti, në një informacion që ka botuar Prof.dr. Elmas Leci, Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Sigurisë dhe Mbrojtjes, mbi bazën e dokumenteve të cituara, shkruan: “Për dy “kredi”, Bashkimi Sovjetik i ka marrë Shqipërisë rreth 10 ton ar” (Citohet sipas: Prof.dr. Elmas Leci. ““Ari shqiptar t’i kalojë bankës së Moskës”- Kërkesa e Enver Hoxhës për Stalinin në 1949-ën!”. Faqja e internetit “bulevard”. 02 dhjetor 2024).
Me faktet e renditura në vijim, hidhen poshtë jo vetëm deklarata e ambasadorit Zajcev, por edhe deklaratat e të gjithë ambasadorëve paraardhës rusë në vendin tonë për politikën “miqësore” ndaj kombit shqiptar.
Kanë kaluar 147 vjet që asokohe kur Rusia u pozicionua haptas kundër kombit shqiptar dhe qëndrimin e vet armiqësor ndaj tij e vuri në themel të politikës së saj të jashme, një politikë arrogante kjo, që vazhdon me intensitet deri në ditët tona kundër Kosovës. Prandaj nuk ka asgjë për t’u habitur nga zërat e çjerrë, që, si krrokama korbash, ushtojnë kohë pas kohe brenda mureve të ministrisë së jashtme ruse sa herë që del në skenë Çështja Kombëtare Shqiptare. Një krrokamë e tillë ushtoi si një teneqe e shpuar edhe katër vjet më parë, pas një deklarate të Ramës të datës 08 tetor 2021 për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Menjëherë MPJ të Rusisë filloi t’u binte kambanave në të gjitha udhëkryqet e botës. Zëdhënësja e asaj ministrie, Maria Zaharova, në deklaratën e saj reaguese të 10 tetorit, dha alarmin për “rrezikun e madh” që “vjen” nga krijimi i “Shqipërisë së Madhe”. Nuk kam ndër mend absolutisht t’i rikthehem asaj deklarate të Ramës. Thelbin e asaj deklarate e pati analizuar në një mënyrë shteruese Profesori i nderuar i formatit nacionalist Enver Bytyçi (shih materialin me titull “Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë / Bytyçi tregon me kë u harmonizua Rama për deklaratën dhe kujt i shërben ajo”. Faqja e internetit e gazetës “Bota Sot”. 11 tetor 2021).
Këtu do të ndalem shkurtimisht në disa fakte mjaft demaskuese, të cilat zbulojnë lakuriq qëndrimin tradicionalisht armiqësor të politikës ruse ndaj kombit shqiptar. Po iu rikthehem këtyre fakteve pas reagimit të MPJ të Rusisë kundër deklaratës së lartpërmendur të Ramës (e theksoj – po u rikthehem, – sepse këtë temë e kam
pasë trajtuar gjerësisht në një ese të gjatë, të botuar në internet 17 vjet më parë, pikërisht në dhjetor të vitit 2008).
- Në Kongresin e Berlinit të vitit 1878, përfaqësuesit e disa shteteve pjesëmarrëse, si Gjermania, Franca, Austria, Hungaria dhe Italia, i patën rekomanduar Stambollit krijimin e një shteti autonom shqiptar brenda territoreve të tij etnike. Por i dërguari i carit të Rusisë, Hitrovo, kundërshtoi në mënyrë të prerë. Pikërisht në atë Kongres, me këmbënguljen e përfaqësuesit të shovinizmit rusomadh, filloi copëtimi i parë i trojeve tona etnike.
- Në një njoftim të fillimshekullit XX që lidhej me ambasadën ruse në Kostantinopojë, thuhet:
“Ambasada ruse ripërsëriti kërkesat e saj ndaj Portës së Lartë, duke i kërkuar asaj ndëshkimin e liderit shqiptar Isa Boletini. Ky i fundit, i cili ishte dërguar fillimisht në Selanik, u lejua më pas të kthehej në fshatin e tij Boletin, afër Mitrovicës” [Citohet sipas: Aurenc Bebja. “Le Matin (1902) / Kërkesat e ambasadës ruse ndaj Portës së Lartë me qëllim ndëshkimin e Isa Boletinit”. Faqja e internetit “Bota Sot”. 11 dhjetor 2019). - Në Konferencën e ambasadorëve në Londër të vitit
1913, ku vazhdoi copëtimi i mëtejshëm i trojeve tona etnike, ambasadori rus ishte ai që shfaqi zelli më të madh për një copëtim të tillë. Madje në hartën që ai i propozonte Konferencës për miratim, jashtë kufijve të tanishëm të Shqipërisë, mbeteshin edhe Shkodra, edhe Tropoja, edhe Kukësi, edhe Dibra, edhe Pogradeci, edhe Korça, edhe Erseka, edhe Delvina, edhe Saranda. Ministri i jashtëm britanik, Eduard Grei, në seancën e 22 janarit të vitit 1913, theksonte:
“Ambasadori i Rusisë thotë se qeveria perandorake ka për të paraqitur kundërshtimet më të rrepta kundër caktimit të qytetit të Shkodrës Shqipërisë” (Citohet sipas: Arben Puto. “Çështja shqiptare në aktet ndërkombëtare të periudhës së imperializmit”. Shtëpia Botuese “8 nëntori”, vëll. II. Tiranë, 1987, f.218). - Moris Paleologu, ish-ambasador i Francës në Rusi prej korrikut të vitit 1914 deri në maj të vitit 1917, në kujtimet e veta ka rrëfyer se cari Nikollaj II (1868-1918) e
kishte pritur në takim dhe me hartën e Ballkanit mbi tryezë i kishte thënë se “Shqipëria duhej të copëtohej midis Serbisë dhe Greqisë, me përjashtim të Vlorës, e cila duhej t’i lihej Italisë” (Citohet sipas: Moris Paleolog. “Carskaja Rossija vo vremja mirovoj vojnëj” (Rusia cariste gjatë luftës botërore), Mezhdunarodnëje otnoshenjija. Moskva, 1991, f. 125). - Sergej Sazonov, ish-ministër i jashtëm i Rusisë në vitet 1910-1916, në kujtimet e veta, duke cituar fjalët e ambasadorit rus në Beograd, Hartvig, shkruan: “Copëtimi i Shqipërisë mes vendeve ballkanike nuk mund të haste kurrfarë kundërshtimesh nga ana e Peterburgut” (Citohet sipas: Sergej Sazonov. “Vospominanjija” (Kujtime). Harvest. Minsk, 2002, f. 77-79).
- Në Traktatin e fshehtë të Londrës të 26 prillit 1915, çka përbën një njollë turpi në ballin e diplomacisë evropianoperëndimore dhe të Rusisë, me këmbënguljen e përfaqësuesit të shovinizmit rusomadh, u kërkua që Shqipëria të fshihej fare nga harta.
- Gjatë takimit në Moskë me delegacionin e partisë komuniste jugosllave në shkurt të vitit 1948, i cili përbëhej nga M. Gjilasi, K. Popoviçi dhe V. Tempoja, Stalini, duke ndjekur traditën e carëve të Rusisë, u ka thënë që ta gjëlltisin Shqipërinë, meqenëse Bashkimi Sovjetik nuk kishte interesa të veçanta në vendin tonë.
- Në vijim të kërkesës së Stalinit për gëlltitjen e Shqipërisë nga ana e Jugosllavisë, ja çfarë i rekomandonte Beogradit udhëheqja sovjetike në mesin e viteve ’50:
“Hrushovi gjatë vizitës në Beograd, në vitin 1955, nën shoqërinë e ish-kryeministrit sovjetik, Nikolai Bulganin, i kishte premtuar Titos se nuk do ndërhynte, nëse ai do të vendoste të bënte diçka në lidhje me Shqipërinë, përfshirë këtu edhe aneksimin e plotë” (Citohet sipas: Armand Plaka. “Hrushovi Titos në vitin 1955: Dorë të lirë të bësh ç’të duash me Shqipërinë”. Gazeta “Shqiptarja.com”. 30 mars 2013). - Udhëheqësi bullgar,Todor Zhivkovi (1911-1998), pas një vizite që pati bërë në Shqipëri në vitin 1959, ka deklaruar:
“U përpoqa ta bindja Hrushovin se ishte e domosdoshme ta ndihmonim Shqipërinë. Edhe atëherë, edhe tani që kanë kaluar kaq e kaq shumë vjet, nuk mund t’ju them se cili ishte motivi i kundërshtimit, reagimi i tij kaq i egër dhe negativ. Sikur ta kafshonte gjarpëri, ai tha: “Asnjë ndihmë, asgjë, asgjë! Lëreni mënjanë internacionalizmin për Shqipërinë”. Dhe ku e di unë se çfarë gjëra të tjera bubullonte” (po aty). - Më 05 qershor të vitit 1960, Hrushovi pranoi kërkesën e kryeshovinistit grek Venizellos për autonominë
e Epirit të Veriut, duke i premtuar se do ta bisedonte me Enver Hoxhën. - Politikën edhe më armiqësor ndaj kombit shqiptar, Rusia e manifestoi dhe vazhdon ta manifestojë me një zell të patreguar me qëndrimin që ka mbajtur dhe po mban ndaj Kosovës. Një qëndrim të tillë e ka pasqyruar ish-kryeministri dhe ish-ministri i jashtëm Evgjeni Primakov në një libër që pati botuar në vitin 1999. Në atë libër ai pati deklaruar: “Kosova është çështje e brendshme e Jugosllavisë; së dyti, për shkëputjen e krahinës nga Jugosllavia as që mund të bëhet fjalë” (Citohet sipas: Evgjeni Primakov. ““Godëj v bolshoj politike” (Vite në politikën e madhe). Izdatjelstvo Sovershenno Skretno. Moskva 1999, f. 342).
- Presidenti Boris Jelcin, në librin e vet me kujtime [“Presidentskij marafon” (Maratona e presidentit). Izdatjelstvo ACT. Moskva 2000], ka rrëfyer për një bisedë telefonike që ka pasur asokohe me Presidentin Klinton, të cilit i kërkonte ndërprerjen e bombardimeve kundër Serbisë.
- Histeria antishqitare e opinionit publik rus kundër kombit shqiptar, pati arritur përmasa të papara gjatë bombardimeve të NATO-s. Në kujtimet e veta, Presidenti Jelcin përshkruante situatën asokohe në Moskë, e cila ishte bërë me të vërtetë shqetësuese, sepse pranë mureve të ambasadës amerikane turmat e njerëzve nuk përmbaheshin dot, dritaret qëlloheshin me shishe dhe me gurë, pati filluar rekrutimi i vullnetarëve për luftë në përkrahje të serbëve.
- Dy politikanë me funksione të larta në Federatën Ruse, Nikollaj Rizhkov dhe Vjaçeslav Tetjokin, janë autorë të librit me titull “Jugosllavskaja gollgofa” (Golgota jugosllave). Moskva 2000. Në faqen 22 të këtij libri, ata kanë deklaruar: “Serbia është pararoja e qytetërimit tonë”. Kjo është një shpifje e kulluar, se Rusia ka qytetërimin e vet. Në vijim, me frymëzimin e Beogradit, ata, me paturpësinë më të madhe, kanë shpalosur mjeshtërisht artin e shpifografisë së politikës ruse kundër kombit shqiptar.
- Politika dhe diplomacia ruse, për të qenë në të njëjtën gjatësi vale me Beogradin, nxiti mjetet e informimit masiv për të shpifur sa më shumë kundër Kosovës. Kështu, organi “Njezavisimaja gazeta” e datës 25 gusht të vitit 2000 do të shkruante se “kurrfarë vrasjesh nuk ka pasur në Raçak…”. Po kështu, simotra e saj, “Rossijskaja gazeta”, në numrin e saj të datës 21 shkurt 2001, i mban avazin po së njëjtës shpifjeje, duke dalë me një deklaratë edhe më të turpshme, kur shkruante se “ngjarja e Raçakut ishte një provokacion i përbindshëm i shqiptarëve dhe i shërbimeve të fshehta të NATO-s, ku serbët nuk kishin fare gisht”.
- Më 17 mars të vitit 1999, erdhi për një vizitë dyditore në vendin tonë një delegacion i Dumës Shtetërore të Asamblesë Federale të Federatës Ruse, i kryesuar nga zëvendëskryetari i saj, anëtari i grupit të deputetëve “Pushteti Popullor”, Sergej Baburin, i shoqëruar nge tre deputetë të formacioneve të ndryshme politike. Në atë vizitë delegacioni rus kishte si qëllim të ushtronte ndikim mbi strukturat kryesore të shtetit shqiptar (parlament, president, qeveri), në mënyrë që ato t’i kundërviheshin nismës së NATO-s, kryesisht asaj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Anglisë, për të hequr dorë nga fillimi i bombardimeve kundër Serbisë. Sektori i Jashtën i Kuvendit më kishte ftuar ta shoqëroja si përkthyes delegacionin rus. Gjatë takimit me kryetarin e komisionit të jashëm, Sabri Godo, dhe me anëtarët e atij të komisioni, mes problemeve të ndryshme, u diskutua edhe për ngjarjet në Kosovë. Pas një jave (24 mars), Aleanca Veriatlantike do të fillonte bombardimet kundër Serbisë, sidomos pas qarkullimit prej më shumë se dy muaj në mjetet botërore të informimit masiv të skenave tmerruese të vrasjeve në Raçak më 15 janar 1999, ku qenë masakruar barbarisht 45 njerëz të pafajshëm. Sergej Baburin, në diskutim e sipër, bëri një analogji të skenave të vrasjeve kriminale të Reçakut, me skena të ngjashme në Çeçeni, duke deklaruar se në Çeçeni ato vrasje i kryenin vetë çeçenët, për të fituar kapital politik në radhët e opinionit ndërkombëtar. Anafola (aluzioni) e Sergej Baburinit ishte fare e qartë: edhe vrasjet në Raçak i kanë kryer vetë kosovarët, për të fituar, po ashtu, kapital politik në sytë e opinionit ndërkombëtar! Kësisoj, Segej Baburin, ashtu si edhe kriminelët serbë në Kosovë, kërkonte të maskonte krimet shtazarake të ushtrisë ruse kundër popullit çeçen. Ato krime i ka pasë demaskuar publikisht Aleksandër Litvinjenko (1961-2006), ish-oficer i sigurimit rus, i specializuar për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ai pati kritikuar haptas politikën e autoriteteve ruse dhe personalisht Putinin, të cilin e pati akuzuar për shumë krime dhe për luftën agresive kundër Çeçenisë. Në kujtimet e veta, ai shkruan:
“Si mysafir te miqtë e mi çeçenë, ndoqa një film dokumentar dhe pashë se si makina ushtarake ruse i fshinte nga faqja e dheut qytete dhe fshatra, duke vrarë me egërsi dhe pa mëshirë gra, pleq dhe fëmijë. Për një orë e gjysmë isha dëshmitar i krimeve të përbindshme dhe i vuajtjeve të pabesueshme të atyre që patën fatin të lindin dhe të jetojnë në këtë botë si njerëz të lirë dhe krenarë. U duhet dhënë haku prodhuesve të filmit, në të cilin nuk ka vend kurrfarë propagande, ka vetëm të vërteta. Të vërteta dhe asgjë tjetër, veç të vërtetave. Dhe kur herën tjetër, nga ekrani i televizorit po më shikonte një plak i thinjur që kishte mbetur pa strehë mbi kokë, ose një vogëlush rreth pesë vjeç, me pamjen e një të rrituri, më erdhi tmerrësisht turp që jam rus. Madje, duke e ndier veten si të ndotur me pisllëk kokë e këmbë, doja që, me një leckë larëse, t’ia rrjepja lëkurën vetes, së bashku me përkatësinë kombëtare, si pjesë e popullit “të madh dhe të fuqishëm” rus. Duke ndjekur pamje të tmerrshme nga ajo luftë dhe vuajtjet e njerëzve të pambrojtur, shikoja se si burrat çeçenë shtrëngonin grushtet në heshtje, gratë çeçene qanin pa zë, kurse unë doja vetëm një gjë – një dush të nxehtë dhe të rrjepja, të rrjepja dhe vetëm të rrjepja gjithçka që e thërrasim me fjalën “rus” dhe që nga qenia ime të mos vijë më kurrë era e ndotur rusizëm” (Citohet sipas: Aleksandër Litvinjenko. “Çfarë është lumturia?”. Faqja e internetit “apocalypse-2012.com”. 08 shkurt 2008).
Pra, zëvendëskryetari i parlamentit rus, nisur nga bindjet e veta shoviniste, kërkonte t’i vinte një njollë të rëndë Kosovës, për të nxjerrë të larë kriminelër serbë për ato masakra barbare. Në heshtje, isha duke pritur që kryetari i komisionit Sabri Godo dhe anëtarët e tjerë të tij, të reagonin në një mënyrë dinjitoze dhe t’i tregonin vendin shovinistit Baburin, qoftë edhe duke ndërprerë takimin menjëherë. Por nuk ndodhi kështu. Reagoi kryetari Godo vetëm me një shprehje: “Kjo është e çuditshme!”. Dhe vetëm kaq. Të tjerët s’u bënë të gjallë, rrinin dhe shikonin si mumje. Më erdhi neveri për deputetët tanë pa dinjitet kombëtar, por s’kisha ç’bëja: isha thjesht në rolin e përkthyesit. Nuk mund të dilja jashtë rolit tim. Këtë detyrë ka përkthyesi: vetëm të përkthejë sa më saktë dhe nuk i lejohet absolutisht të reagojë për gjëra që diskutojnë bashkëbiseduesit, siç këshillon përkthyesi i Çurçillit Artur Birs. Përkthyesi, – thekson ai në kujtimet e veta, – “duhet të jetë në gjendje që, në atë masë që është e mundur, t’i përmbajë emocionet e veta dhe çfarëdo që i zënë veshët, nuk duhet ta dëshpërojë, sado e bujshme që mund të jetë ajo. Ai asnjëherë nuk duhet t’ia lejojë vetes të bjerë pre e emocioneve…”. - Në prag të fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë fashiste, opinioni publik rus ishte nxitur aq shumë në favor të serbëve dhe kundër shqiptarëve, sa vetëm gjatë katër ditëve të para, mbas fillimit të bombardimeve, në Rusi, para ministrisë së mbrojtjes dhe në rrugë, siç e ka theksuar ambasadori Shaqir Vukaj, qenë regjistruar 70 mijë vullnetarë për të shkuar në Kosovë dhe për të Iuftuar përkrah serbëve, kundër shqiptarëve e NATO
Prej 29 shtatorit deri më 02 tetor të vitit 1999, ndodhesha në Kosovë, si përkthyes i një grupi gazetarësh rusë. Gjatë vizitës në fshatin Grejkoc të komunës së Prizrenit, na priti zëvendëskryeplaku i fshatit, Kadri Canaj. Në bisedë e sipër me gazetarët, ai tha:
“Fshati ka pasur 17 civilë të vrarë, mes tyre edhe dy nxënës të shkollës 7-vjeçare, të cilët, kriminelët serbë, bashkë me kriminelë mercenarë rusë, pasi i pushkatuan, kufomat i spërkatën me benzinë dhe u vunë zjarrin”. - Kryetari i komisionit të jashtëm të parlamentit rus
Konstantin Kosaçov, më 21 gusht 2007, deklaroi me një vetëbesim të mahnitshëm se “Rusia nuk do të lejojë kurrë që Kosova të bëhet shtet…”. - Kryetari i parlamentit rus, G. Seleznjov, asokohe pati lëshuar një deklaratë paradoksale, në të cilën, sipas tij, “kur flitet për gjenocid, nënkuptohet dhënia e urdhrave për të vrarë njerëz, por as Milosheviçi dhe askush tjetër nuk kanë dhënë ndonjë urdhër të tillë”.
- Ish-ministri i jashtëm, Igor Ivanov, asokohe kërkonte likuidimin e Gjykatës Ndërkombëtare për ish- Jugosllavinë, e cila, sipas tij, “nga mekanizëm juridik është shndërruar në një instrument politik presioni ndaj Beogradit”.
- Këshilli i Federatës së Kuvendit të Rusisë, në maj të vitit 2001 doli me një deklaratë në mbrojtje të Milosheviçit, ku theksohej se e konsideronin detyrë qytetare të mbështesnin Deklaratën e Grupit të politikanëve, shkencëtarëve, përfaqësuesve të inteligjencies për krijimin e Komitetit Shoqëror Rus në mbrojtje të Sllobodan Milosheviçit. Këtij Këshilli, mbarë intelektualëve rusë, mbarë opinionit publik rus, mbarë shkencëtarëve-historianë rusë, mbarë mjeteve të informimit masiv, për turpin e tyre, e theksoj përsëri – për turpin e tyre – nuk u bëri absolutisht përshtypje qëndrimi egërsisht armiqësor i kriminelit me damkë Sheshel ndaj Kosovës, i cili, gjatë vizitës në Moskë më 30 tetor 1998, bëri një deklaratë publike, ku theksonte: “Problemi i Kosovës mund të zgjidhet lehtë: duke vrarë një milion shqiptarë dhe duke përzënë nga Kosova një milion të tjerë”.
- Ja çfarë pati deklaruar ministri i punëve të jashtme të Rusisë, Sergej Lavrov, në një konferencë shtypi me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç:
“Moska është e shqetësuar nga planet e krijimit të Shqipërisë së Madhe dhe nga pasiviteti i Bashkimit Europian lidhur me këtë çështje. Natyrisht, ne nuk mund të mos na shqetësojë pasiviteti i Bashkimit Europian lidhur me nismën që u ndërmor në Tiranë për të ashtuquajturën “Platformë tiranase”, e cila shërben si një thirrje e hapur për krimin e Shqipërisë së Madhe. Shembujt janë të mjaftueshëm. Fare pak kohë më parë, në Maqedoni u zhvilluan zgjedhjet parlamentare. Kryetari i parlamentit, që qe zgjedhur në këtë post, hyri në kabinetin e vet dhe në tryezën e tij të punës vendosi flamurin shqiptar dhe flamurin e Maqedonisë” (Citohet sipas: “Lavrovi komenton idenë e Shqipërisë së Madhe”. Faqja e internetit “Ria Novosti”. 22 shkurt 2018).
Me këtë deklaratë, Lavrovi, duke nxjerrë në pah pasivitetin e Bashkimit Europian, dëshmon fare haptas se Rusia ka qenë në krye të ujqve europianë për copëtimin e trojeve tona etnike dhe prandaj sot ajo është kështjella më e patundur kundër ribashkimit të tyre. Të gjykosh për trojet etnike të një vendi, duhet të jesh i pajisur me një formim të gjerë kulturor për historinë e tij, aq më tepër kur mban edhe postin e ministrit të jashtëm. Me sa duket, edhe Lavrovi është gjysmak në fushën e njohjes së burimeve shkencore për trojet etnike shqiptare në Gadishullin e Ilirisë.
Duke ardhur drejt fundit të këtyre shënimeve, dëshiroj të theksoj se politika shoviniste ruse do të bënte mirë që ta kthjellonte sadopak trurin, në mënyrë që, në sytë e opinionit publik mbarëshqiptar të formatit nacionalist, të mos bëhet qesharake me klithmat e veta të pështira kundër Çështjes Kombëtare Shqiptare, ende të pazgjidhur në Gadishullin e Ilirisë. Dhe, që të mos vazhdojë të mbetet qesharake në vijimësi, ajo duhet ta ketë të qartë një herë e mirë se në Gadishullin e Ilirisë bëhet fjalë jo për Shqipëri të Madhe, por për Shqipëri Etnike. Prandaj, për t’ia siguruar vetes kthjellimin e trurit, ajo le të shfletojë dhe të lexojë një burim shkencor rus të fundit të shek. XIX. Ja çfarë thuhet për Shqipërinë në atë burim:
“Duke përfshirë krahinat e Epirit të lashtë dhe të Ilirisë së lashtë, ajo vazhdon përgjatë brigjeve të Detit Jon dhe të Detit Adriatik, që nga Gjiri i Artës, deri në zonën që shtrihet matanë lumit Buna, nga 39 deri në 42 gradë të gjerësisë veriore. Në veri kufirin e saj e formon krahina\ që i është aneksuar Malit të Zi (Dulqinja) dhe Sanxhaku i Novipazarit që i ka kaluar Austrisë, në jug kufizohet me Gjirin e Artës dhe me mbretërinë e Greqisë, me të cilën, Shqipërinë, që nga viti 1881, kur iu shkëputën ca territore, e ndan lumi i Artës. Në lindje… Shqipërisë i takojnë një pjesë e Thesalisë dhe e Maqedonisë… (Citohet sipas: “Fjalor Enciklopedik Rus”. Sankt-Peterburg, 1896, f. 359).
Pë dijeninë e Lavrovit dhe të krejt politikës së jashtme antishqiptare ruse, ish-kancelarja e nderuar gjermane, Zonja Angela Merkel, ka deklaruar:
“Shqipëria është i vetmi shtet në botë që kufizohet në të gjitha anët me bashkëkombësit e vet”. Merkel më pastaj do të shprehet se dëshirë e saj është ta shohë një Shqipëri ashtu si e ka krijuar Zoti. Pas pyetjes së një gazetari gjerman se, “përse kjo përkujdesje ndaj shqiptarëve nga ana e Angela Merkel”, ajo do të shprehet fare shkurt:, “Ua kemi borxh” (Citohet sipas: Angela Merkel: “Shqiptarët të kenë një shtet, ua kemi borxh”. Faqja e internetit “Kospress”.19 janar 2023. Koment nga Naim Kelmendi). - Elena Ponomarjova, politologe, historiane dhe publiciste ruse, specialiste e historisë bashkëkohore të Ballkanit, doktore e shkencave politike, me titullin “profesor”, pedagoge e Institutit shtetëror moskovit të marrëdhënieve ndërkombëtare, është autore e artikullit me titull: “Faktori shqiptar i destabilizimit të Ballkanit perëndimor: trajtim sipas një skenari”. Ky artikull, plot me shpifje të neveritshme kundër shqiptarëve, është botuar në manualin e institutit të lartpërmendur në vitin 2018, f. 99-124.
- Politika dhe diplomacia ruse, si edhe mjetet e informimit masiv, e kanë indoktrinuar deri në pore mbarë opinionin publik rus, duke e edukuar me ndjenjën e urrejtjes kundër kombit shqiptar. Dhe shprehja më e koncentruar e urrejtjes kundër kombit shqiptar përmblidhet në pak rreshta të njërit prej mesazheve anonime kërcënuese që asokohe i janë dërguar me faks ambasadës sonë në Moskë, çka e ka cituar ambasadori i nderuar Shaqir Vukaj në librin e vet dhe në replikën me ambasadorin Aleksej Zajcev. Në atë mesazh shkruhej:
“Shqiptarë të ndyrë! Ju duheni mbyllur në Shqipëri si në kafaz dhe në rast se doni të dilni, duheni vrarë si qen të tërbuar. Gratë tuaja duhen sterilizuar, që të mos mund të lindin më si lepujt. Dhe në qoftë se ju do të vendosni të vini në Kosovën serbe, do të ngrordhni. Toka do t’ju helmojë. Kombi juaj duhet zhdukur. Le t’ju marrin amerikanët atje, në Amerikë. Ngordhni sa më shpejt në Rusi. Juve do t’ju therim” [Citohet sipas: Shaqir Vukaj. “Rusia dhe Kosova. (Shënime të një diplomati)”. Tiranë 2007, f. 415]. - Një fakt i thjeshtë, në shikim të parë, mund të përmbajë në vetvete një mesazh tepër domethënës për dashamirësinë apo urrejtjen që mund të përcillet në adresë të një populli. Kështu, fjala vjen, vetëm një ndeshje futbolli që skuadra përfaqësuese e Rusisë zhvilloi më 29 mars 2003 me përfaqësuesen tonë në qytetin e Shkodrës, në kuadrin e eliminatoreve të kampionatit evropian të futbollit të vitit 2004, mund të shërbente në njëfarë mënyre për përcjelljen e ndonjë mesazhi sadopak dashamirës për popullin shqiptar, përmes mjeteve ruse të informimit pamor dhe të shtypit të shkruar. Por meqenëse përfaqësuesja ruse e humbi ndeshjen me rezultatin 3:1, mjetet në fjalë dhe shtypi i shkruar folën dhe shkruan me urrejtje për shqiptarët. Për më tepër, të nesërmen e ndeshjes, më 30 mars 2003, gazetat “Komsomolskaja Pravda” dhe “Moskovskij komsomolec”, në faqet e para shkruanin me shkronja të mëdha: “Ndeshja përfundoi me rezultatin 3:1 në favor të varfanjakëve”!
Në fondin frazeologjik të gjuhës ruse haset shprehja “бедность не порок”, e cila, në gjuhën shqipe, përkthehet “varfëria nuk është ves”, por si barasvlerëse kemi shprehjen “varfëria nuk është turp”. Pra, me fjalë të tjera, kjo shprehje do të thotë se varfëria nuk është argument për të dënuar ndokënd ose për të të ardhur turp, se fatkeqësia ose mungesa e të mirave materiale nuk përcakton dinjitetin e njeriut. Por gazetarët rusë të të dyja gazetave të lartpërmendura, qenë yshtur aq keq kundër shqiptarëve, saqë, në mungesë të etikës intelekuale, të edukatës qytetare minimale, nuk qenë përmbajtur dot dhe tërë urejtjen e vet shpërthyese deri në shtazëri, e patën shprehur publikisht në faqet e para të atyre gazetave.
Siç më njoftonte nga Moska një ish-studentja ime, e cila asokohe po i vazhdonte studimet atje, gjatë kohës që komentatori sportiv transmetonte ndeshjen në televizion, fliste keq për Shqipërinë. - Presidenti Putin, për t’i vënë “vulën e Kremlinit” moszgjidhjes asnjëherë të çështjes së Kosovës përmes pavarësimit të saj, pati bërë një deklaratë të tillë, thelbi i së cilës zbulon lakuriq mendësinë cariste të politikës së sotme ruse kundër kombit shqiptar. Në një konferencë shtypi me kancelaren gjermane Angela Merkel, të mbajtur në Soçi më 21 janar 2007, Putini pati deklaruar: “Ne jemi për zgjidhje të tilla që të kënaqin si Beogradin, ashtu edhe Prishtinën”. Pra, sipas presidentit Putin, zgjidhja e çështjes së Kosovës duhej të lihej për ditën e moskurrit.
Kur nga Moska u vura në dijeni për ato që qenë thënë
e shkruar kundër shqiptarëve dhe Shqipërisë, pas asaj ndeshjeje futbolli që përmenda më lart, më erdhën ndër mend fjalët e avokatit të shquar rus, Vasilij Maklakov, të thëna në një fjalim që ka mbajtur në parlamentin rus në gusht të vitit 1915 dhe të cituara nga ambasadori francez Moris Paleologu në kujtimet e lartpërmendura:
“Rusia është modeli i shtetit, ku njerëzit nuk janë në vendin që u takon”.
Duhet pranuar publikisht se klasa politike ruse, që kryeherazi, në periudhën e carizmit, gjatë sistemit komunist dhe tani në pluralizëm, popullin rus e ka edukuar dhe vazhdon ta edukojë me frymën e shovinizmit rusomadh, me etjen për pushtime territoresh të huaja. Me këtë frymë e kanë edukuar atë popull edhe disa shkrimtarë
të mëdhenj rusë. Këtu po ndalem vetëm në tre prej tyre.
I pari është Pushkini (1799-1837). Në vitin 1830 pati shpërthyer një kryengritje nacionalçlirimtare në Poloni, në
Letoni dhe pjesërisht në Bjellorusi dhe në Ukrainë. Pas betejash të përgjakshme, në vitin 1831, ushtria ruse e shtypi kryengritjen me egërsi, kurse territoret e këtyre vendeve u shpallën pjesë e perandorisë ruse. Disa deputetë të parlamentit francez bënë thirrje asokohe për t’u shkuar në ndihmë kryengritësve të lirisë. Pushkini, në poezinë me titull “Shpifësve kundër Rusisë” u përgjigjet atyre, duke deklaruar se nuk kanë të drejtë të futin hundët në një debat “familjar”.
I dyti është Dostojevski (1821-1881). Në prill të vitit
1877, kur në krye të fronit ishte car Aleksandri II (1818- 1881), pati filluar lufta ruso-turke. Asokohe Dostojevski pati bërë thirrje për pushtimin e Konstantinopojës. Në veprën “Ditari i shkrimtarit”, të mbajtur në periudhën janar-gusht të vitit 1877, është botuar një artikull i tij me titull:“Po e përsëris edhe një herë që Konstatinopoja, herët
ose vonë, duhet të jetë jona”.
I treti është Sollzhenjicini (1818-2008). Në korrik të vitit 1990, Sollzhenjicini pati shkruar një broshurë me titull “Si ta rregullojmë Rusinë”, e cila u botua në gazetën “Komsomolskaja pravda” më 18 shtator të po atij viti. Në atë broshurë, Sollzhenjicini shpreh pikëpamjet e veta për Kazakistanin dhe për Ukrainën. Sipas tij, pjesa më e madhe e Kazakistanit i takon Rusisë, kurse Ukrainën ai e vlerëson si pjesë të Rusisë.
Formimi psikologjik i popullit rus, i mbrujtur me frymën e shovinizmit rusomadh, del më së miri në pah përmes hyjnizimit që ai i bëri figurës së Putinit pas sulmit fashist kundër Ukrainës. Pas atij sulmi, përkrahja e popullit rus për Putinin arriti majat: u ngrit deri në 86%. Por natyrën e dyzuar të popullit rus, brenda të cilit prehet edhe psikologjia e skllavit, edhe edhe psikogjia e shovinistit, e ka zbuluar mrekullisht shkrimtari dhe publicisti rus Ivan Shmelov (1873-1950), në librin me titull “Dielli i të vdekurve”, të botuar për herë të parë në Paris në vitin 1923. Aty ai shkruan:
“Rusët janë një popull që e urren lirinë dhe hyjnizon skllavërinë, i ka qejf prangat në duart dhe në këmbët e veta, i do despotët e vet gjakatarë,.. por ama gjithmonë është i gatshëm t’i skllavërojë, t’i shtypë të gjithë pa përjashtim, mbarë botën. Ky nuk është popull, por një mallkim historik i njerëzimit”.
Vetvetiu shtrohet pyetja: cila ishte arsyeja që Rusia ndërmori një agresion të tipit fashist kundër Ukrainës më 24 shkurt 2022? Arsyen e atij sulmi e ka shpjeguar fare qartë Mihail Hodorkovski, bashkatdhetari i ambasadorit Zajcev. Ajo arsye është një mashtrim i kulluar i politikës armiqësore të Kremlinit ndaj Ukrainës. Prandaj ai e ka shpjeguar, duke shtruar pyetjen:
“Ku e ka qëllimin ky mashtrim? Dihet, sepse është jashtëzakonisht e tmerrshme që revolucioni ukrainas kundër korrupsionit do t’u duket mjaft tërheqës edhe qytetarëve tanë. Se në Ukrainë, të gjithë njerëzit, që nga njerëzit e thjeshtë dhe deri te sipërmarrësit e mëdhenj dhe politikanët, thoshnin: “Ishte ndjenja e dinjitetit personal ajo që e detyroi popullin të dilte në Sheshin Maidan. Dhe konkretisht – ryshfetçinjtë i kapën. Me sa duket, te ne, në Rusi, mashtruesit dhe ryshfetçinjtë nuk janë kapur ende” (Citohet sipas: Mihail Hodorkovski. “E vërteta dhe gënjeshtra për Maidanin”. Gazeta “The New Times”, 17 mars 2014). - Moska, përmes ambasadorit Zajcev, vazhdon traditën e mashtrimit me qëndrimin që mban ndaj Republikës së Shqipërisë. Në faqen e internetit “klankosova.tv” të datës 20 mars 2025, ishte botuar artikulli i këtij ambasadori, me titull: “Ndërtimi i infrastrukturës së NATO-s në Ballkanin Perëndimor, shqetëson fqinjët”. E kishte fjalën për hapjen e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë. Po cilat janë këto vende fqinje, të cilat, u shqetësuakan nga kjo bazë? Vende fqinje me Republikën e Shqipërisë janë Greqia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Kosova. Nga këto vende, tre janë antëtare të NATO-s. Pra, ambasadori Aleksej Zajcev, meqenëse e ka shumë për zemër Serbinë, e cila ka mbajtur dhe vazhdon të mbajë një qëndrim fashist kundër Kosovës, kërkon të krijojë stuhi në një gotë me ujë.
Le të shpresojmë që, ambasadorët rusë, që do të vijnë me shërbim diplomatik në vendin tonë pas përfundimit të mandatit të Aleksej Zajcevit, nuk do të vazhdojnë avazin e pararendësve të tyre me përrallat për marrëdhënie “miqësore” të Rusisë me vendin tonë, për të mos u bërë teneqe të shpuara në sytë e opinionit publik shqiptar në mbarë trojet tona etnike. Ministri i jashtëm Sergej Lavrov dhe zëdhënësja e tij Maria Zaharova, le ta mësojnë mirë historinë e politikës antishqiptare ruse, që u parashtrua më lart me fakte të pakundërshtueshme, dhe le t’ua rekomandojnë për ta studiuar edhe diplomatëve të asaj ministrie, që dërgohen me shërbim në Tiranë. Sergej Lavrovi dhe Maria Zaharova le të respektojnë veten, për të mos u bërë qesharakë para mbarë kombit shqiptar me krrokamat e tyre kundër “Shqipërisë së Madhe”, sepse në Gadishullin e Ilirisë ka vetëm Shqipëri Etnike, e cila, sipas personalitetit të shquar gjerman, Zonjës Angela Merkel, duhet të ketë shtetin e vet, sepse, siç u citua më lart deklarata e saj, “Shqipëria është i vetmi shtet në botë që kufizohet në të gjitha anët me bashkëkombësit e vet”.

Average Rating