
Serbia mes autoritarizmit dhe rrugës evropiane
Protestat antiqeveritare të nxitura nga një aksident në Novi Sad, vazhdojnë që nga nëntori i vitit të kaluar. Opozita politike në Vojvodinë paralajmëron gjithnjë e më me zë, se Serbia ndodhet në një krizë të thellë politike e shoqërore, të shënuar nga korrupsioni, dhuna e autoritarizmi.
Novi Sadi, qyteti ku pas tragjedisë filluan protestat e qytetarëve, është bërë simbol i rezistencës ndaj regjimit të Aleksandar Vuçiqit. Politikanët opozitarë nga Vojvodina theksojnë se Serbia po kalon një krizë të thellë politike e shoqërore, të shënuar nga korrupsioni, dhuna dhe autoritarizmi, ndërsa qytetarët po kërkojnë fundin e politikave radikale që po e shkatërrojnë vendin.
“Këtu ka nisur revolta kundër politikës hegjemone të Beogradit, e cila nën maskën e ‘botës serbe’ përhap probleme në rajon. Qytetarët e Vojvodinës duan një shoqëri normale dhe një shtet në BE. Ky është fillimi i një përballjeje me politikat radikale që prej vitesh e kanë shkatërruar Serbinë, dhe është vetëm çështje kohe kur do të marrë fund”, tha Bojan Kostresh nga Lidhja e Socialdemokratëve të Vojvodinës.
Protestat po zgjasin më shumë se dhjetë muaj dhe, sipas liderëve nga Vojvodina, janë një kërkesë legjitime për përgjegjësi nga pushteti. Ata theksojnë se represioni është bërë mjeti kryesor i mbijetesës së regjimit dhe se Serbia është në fund të një diktature.
“Kemi forca nacionaliste të instaluara që synojnë çmontimin e shtetit. Pushteti përdor metoda të ngjashme me ato të viteve ?90, ndjek studentët e aktivistët dhe abuzon me aparatin shtetëror. Ky është fytyra e fashizmit. Protestat në Novi Sad po shtypen me dhunë, me gaz lotsjellës ndaj qytetarëve. Kjo duhet të marrë fund, bashkë me narrativin nacionalist që shkatërroi Serbinë”, tha Goran Jeshiq nga Lëvizja Solidariteti.
Politikanët e Vojvodinës theksojnë se Serbia është aq e shkatërruar sa korrupsioni dhe keqpërdorimi i pushtetit sjellin pasoja tragjike, si rënia e strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad ku humbën jetën 16 persona. Prandaj ata theksojnë se pikërisht nga Vojvodina dëgjohen mesazhet kyçe se Serbia duhet të zgjedhë mes autoritarizmit dhe rrugës evropiane.
Average Rating