Sot është shënuar përvjetori i sulmit të dytë të forcave serbe kundër familjes Jashari

Read Time:2 Minute, 12 Second

Sot është shënuar përvjetori i sulmit të dytë të forcave serbe kundër familjes Jashari, i cili kishte ndodhur më 22 janar të vitit 1998 në Prekaz. Me këtë rast, veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bashkëluftëtarë të Shaban, Adem dhe Hamëz Jasharit, si dhe përfaqësues institucionalë, kanë bërë homazhe te varrezat e familjes Jashari në Prekazin legjendar.

Në mëngjesin e 22 janarit të vitit 1998, anëtarët e familjes Jashari u zgjuan nga krismat e armëve të forcave policore serbe, të cilat sulmuan kullat e familjes në Prekaz. Në atë kohë, komandanti legjendar Adem Jashari nuk ndodhej në shtëpi, ndërsa rezistencën ndaj forcave serbe e bënë Shaban Jashari dhe Hamëz Jashari, së bashku me familjarët e tyre.

Në nderim të kësaj date, homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” kanë bërë përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe të Komunës së Skenderajt. Kryetari i OVL UÇK-së, Hysni Gucati, ka theksuar se familja Jashari, ashtu si edhe të gjitha familjet e dëshmorëve, meritojnë respekt të përditshëm dhe jo vetëm në data përkujtimore.

“Sikur familja Jashari, edhe të gjitha familjet e dëshmorëve meritojnë respekt çdo ditë. Më duket se shpesh i kemi lënë në harresë, prandaj sot duhet të kujtojmë dhe të nderojmë sakrificën e tyre”, ka deklaruar Gucati.

Ndërkaq, përfaqësuesi i OVL UÇK-së, Gazmend Syla, ka kujtuar se ky ishte sulmi i dytë ndaj familjes Jashari, pas atij të parë të vitit 1991, duke theksuar se kjo familje nuk u thye as pas sulmit të parë, as të dytë dhe as të tretë, i cili ndodhi më 6, 7 dhe 8 mars të vitit 1998.

Ngjarjet e 22 janarit i ka rikujtuar edhe ciceroni i kompleksit memorial “Adem Jashari” në Prekaz, Ilmi Halimi, i cili ka treguar se beteja kishte zgjatur rreth gjysmë ore dhe se forcat serbe, për shkak të rezistencës së fortë të familjes Jashari, u detyruan të tërhiqeshin.

Si pasojë e këtij sulmi, mbetën të plagosura dy vajza, Ilirjana dhe Selvetja, ku kjo e fundit ra dëshmore gjatë sulmit të tretë në mars të vitit 1998.

Për përvjetorin e sulmit të dytë ndaj familjes Jashari ka reaguar edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili ka theksuar se historia e çlirimit të Kosovës është shënuar nga njerëz kurajozë dhe familje të tilla si ajo e Shaban Jasharit, që u flijuan me vetëdije dhe vendosmëri për lirinë e vendit.

Sulmi i tretë dhe i fundit ndaj familjes Jashari ndodhi më 6, 7 dhe 8 mars të vitit 1998 dhe zgjati tri ditë. Gjatë këtyre luftimeve ranë heroikisht 59 anëtarë të familjes Jashari, në krye me komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.

https://www.facebook.com/

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %

Average Rating

5 Star
0%
4 Star
0%
3 Star
0%
2 Star
0%
1 Star
0%

Leave a Reply

Previous post Nga takimi Kosovë–Serbi funksionalizohet Komisioni i përbashkët për Personat e Pagjetur 
Next post Kongresi i SHBA-së adreson diskriminimin ndaj shqiptarëve në Luginë