
SHBA: Mbahet takimi midis Trump dhe udhëheqësve evropianë
Takimi me dyer të mbyllura mes presidentit amerikan Donald Trump, udhëheqësve të Bashkimit Evropian, Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s dhe liderëve evropianë u zhvillua në Shtëpinë e Bardhë.
Në një moment, Trump ndërpreu takimin për të telefonuar presidentin rus, Vladimir Putin, sipas raportimeve të gazetës gjermane Bild.
Fillimisht, presidenti amerikan kishte njoftuar se do të fliste me Putinin vetëm pas përfundimit të takimeve me udhëheqësit evropianë, por duket se vendosi ndryshe.
Gjatë takimit, pesidenti Trump u kap nga kamerat duke i thënë me qetësi homologut të tij francez, Emmanuel Macron, se mendon se Putini dëshiron të arrijë një marrëveshje për të.
“Mendoj se ai dëshiron të bëjë një marrëveshje. Mendoj se ai dëshiron të bëjë një marrëveshje për mua, e kuptoni këtë? Sado e çmendur të tingëllojë”, tha Trump, raporton CNN.
Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se javët në vijim do të tregojnë nëse është arritur përparim për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë.
Ja çfarë tha secili prej këtyre udhëheqësve evropianë përpara se të fillonte takimi:
• Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se bisedimet e sotme kishin qenë “konstruktive” dhe se ishin diskutuar çështje të ndjeshme, duke përfshirë garancitë e sigurisë.
• Kryeministri britanik, Keir Starmer tha se garancitë e sigurisë dhe takimi tripalësh me Rusinë, Ukrainën dhe SHBA-në do të ishin një hap “historik” përpara.
• Kancelari gjerman, Friedrich Merz theksoi nevojën për një armëpushim para çdo takimi me Rusinë, duke i thënë Trump: “Le të punojmë për këtë dhe le të përpiqemi të ushtrojmë presion mbi Rusinë”.
• Presidenti francez, Emmanuel Macron i bëri jehonë thirrjeve të Merz për armëpushim dhe i përshkroi bisedimet – si një çështje sigurie për të gjithë Evropën.
• Kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha se nevojitej garanci që kjo luftë nuk do të ndodhte përsëri, që do të ishte një parakusht i çdo lloj paqeje.
• Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte tha se aleatët duhet të bënin përpjekje për t’i dhënë fund shënjestrimit të infrastrukturës së Ukrainës.
• Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen bëri thirrje që kthimi i fëmijëve të rrëmbyer ukrainas të ishte një përparësi kryesore, duke shtuar: “Si nënë dhe gjyshe, çdo fëmijë duhet të kthehet në familjen e vet”.
• “Mund të vij nga një vend i vogël, por kemi një kufi të gjatë me Rusinë – dhe mendoj se ka pasur më shumë progres në Ukrainë brenda dy javësh sesa në tre vitet e fundit”, tha presidenti finlandez, Alexander Stubb.
Average Rating