James Rubin për Specialen: Kjo nuk është drejtësi

Read Time:11 Minute, 29 Second

James Rubin po vazhdon dëshminë në rastin Thaçi dhe të tjerët. Pas marrjes në pyetje nga tre ekipet e Mbrojtjes dje, Prokuroria po merr në pyetje Rubinin, dëshmitarit të parë të Mbrojtjes.

 Ish-diplomati amerikan James Rubin, tha para trupit gjykues se fakti që të akuzuarit kanë qenë në paraburgim për më shumë se 5 vjet, dhe fakti që ata janë dorëzuar vullnetarisht dhe fakti që janë mbajtur kaq gjatë më shqetëson mendoj se lidhet me politikën

“Mendoj që jam munduar pa fund që të jem i disponueshëm për këtë gjykatë, kam shpenzuar qindra orë përgatitje, dhe ndjesia ime ishte se gjithë njohuritë ishin të pranishme në dokumente. Pikëpamjet e Prokurorisë nuk është se do të ndihmoheshin nga kontributi im. Nëse keni nevojë për pyetje kam qenë këtu dje dhe sot. Fakti që të akuzuarit kanë qenë në paraburgim për më shumë se 5 vjet, dhe fakti që ata janë dorëzuar vullnetarisht dhe fakti që janë mbajtur kaq gjatë më shqetëson mendoj se lidhet me politikën. Më shqetëson fakti që dikush të jetë i paraburgosur për kaq gjatë, këta persona janë dhënë vullnetarisht, dhe kanë qenë bashkëpunues me Gjykatën. Në rastin e të akuzuarve nuk e kuptoj pse është dashur të jenë në burg për 5 vjet, nuk e shoh si shtet të së drejtës, Albright nuk e ka pasur këtë drejtësi në mendje kur e ka incizuar Tribunalin e Hagës. Mua kjo më është dukur si fajësim politik për shkak se Hashim Thaçi ka qenë udhëheqës i UÇK-së, Duke qenë se kam parë nga afër liderët e UÇK-së dhe asnjë person tjetër nuk e ka pasur këtë mundësi, duke pasur ide t emirë të funksionit, për 3 ditë kam parë si janë sjellë ata, kush ishte përgjegjës, komandant, mbështetës. Duke pasur këtë njohuri mendoj se kjo ka qenë e gabuar, unë nuk jam jurist, kjo nuk është drejtësi”, ka thënë ai.

Rubin: Nuk kam konfirmim për trafik droge nga UÇK-ja

Rubin, ka deklaruar në dëshminë e tij para Prokurorisë Speciale se nuk ekzistojnë prova apo informacione që mbështesin pretendimet se lidershipi i UÇK-së ka qenë i përfshirë në urdhra për vrasje apo krime të organizuara.

Sipas Rubin, akuzat e tilla janë të pabazuara dhe nuk qëndrojnë pa fakte konkrete. “Nuk ka asnjë informacion apo provë që të mbështesë pretendimet se udhëheqësit e UÇK-së kanë dhënë urdhra për vrasje apo janë përfshirë në krime të organizuara. Këto janë akuza të paprovuara. UÇK-ja vepronte në kushte represioni nga forcat serbe dhe nuk kishte një strukturë të mirëfilltë ushtarake”, tha ai, para trupit gjykues.

Rubin shtoi se qëllimi i bashkësisë ndërkombëtare ka qenë të ndihmojë këtë forcë që të transformohet në një organizatë demokratike, proces i cili, sipas tij, është duke ndodhur tashmë me ndihmën e NATO-s dhe Kombeve të Bashkuara.

Në lidhje me akuzat për trafikim të drogës, Rubin theksoi se nuk informacione të pavarura. “Nuk kam asnjë konfirmim të pavarur për përfshirje të UÇK-së në trafikim droge, pavarësisht pyetjeve të vazhdueshme mbi këtë çështje”, tha ai.

Rubin: Nuk arritëm t’i vërtetonim akuzat për UÇK-në

(E plotësuar, ora 10:44) James Rubin po vazhdon ditën e dytë të dëshmisë në rastin Thaçi dhe të tjerët. Pas marrjes në pyetje nga tre ekipet e Mbrojtjes dje, Prokuroria filloi marrjen në pyetje të James Rubin, dëshmitarit të parë të Mbrojtjes së Hashim Thaçit.

Ish-diplomati amerikan, Rubin u pyet nga Prokurori rreth pretendimeve se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte përfshirë në veprimtari kriminale dhe vrasje. Në përgjigjen e tij, ai theksoi se Shtetet e Bashkuara kishin shqyrtuar këto akuza, por nuk kishin arritur t’i vërtetonin

“Ka patur pretendime dhe akuza për një vit, ne shikuam ato nuk arritëm t’i vërtetonim. Mendoj që po ata ishin një forcë qe duhej të merreshin parasysh dhe në konsideratë në terren dhe ne donim të krijonim një Kosovë më afatgjate, të kishim shkëmbime dhe të punonim me z. Thaçi”, deklaroi Rubin.

Prokurori i çështjes e pyeti nëse është e saktë që në vitet 1998 dhe 1999 mediat ndërkombëtare dhe organizatat tjera kishin publikuar raporte me pretendime të besueshme për krimet e kryera nga pjesëtarë të UÇK-së.

Raporti i OKB-së, Rubin: Kam qenë skeptik, s’e përshkruanin mirë situatën

Ish-diplomati amerikan James Rubin, tha se një raport i vitit 1998 i OKB-së, nuk e përshkroi mirë situatën në Kosovë. Ai tha se ka qenë skeptik, pasi sipas tij, nuk ka qenë edhe aq i besueshëm.

“Kam lexuar një raport të  OKB-së për Kosovën, por kam qenë shumë skeptik për atë raport, sepse organet e OKB-së nuk e kanë përshkruar shumë mirë situatën shumë shpesh. Jo domosdoshmërisht ka qenë i besueshëm”, theksoi ai. Në atë raport, siç u citua e u lexua nga prokurori i Speciales, pretendohej se njerëz, pjesë e UÇK-së, rrëmbyen civilë dhe policë serbë.

Rubin: S’më kujtohet nëse Krasniqi e Veseli ishin pjesë e delegacionit në Rambuje

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit gjatë kohës së luftës në Kosovë, James Rubin, tha sot para trupit gjykues se nuk i kujtohet nëse Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli ishin pjesë e delegacionit shqiptar në Rambuje ( Rambouillet) të Francës në vitin 1999.

“Nuk më kujtohen të gjithë emrat, sepse kjo ka ndodhur para 25 vjetësh”, ka thënë ai.

Rubin ka thënë se nuk ka informacion për dallimet brenda Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kur është pyetur për një dokument në të cilin thuhej se Adem Demaçi e përshkruante Hashim Thaçin si zëdhënës.

Rubin tregon se nuk ka marrë pjesë çdo herë në takimet e udhëheqësve të UÇK-së

Në fillim të dëshmisë së tij, Rubin tha se nuk ka marrë pjesë çdo herë në takimet e udhëheqësve të UÇK-së, megjithatë tha se mund të ketë qenë pranë siç tha ai, sallës ku mbaheshin mbledhjet.

“Përgjithësisht kam pasur njohur për diskutimet lidhur me UÇK-në. Takime të gjata ka pasur, marrëveshje në mes të udhëheqësve të UÇK-s. Nuk jam i sigurt nëse kam qenë në atë zonë, por nuk flisja shqip. Ata mund të kenë biseduar gjëra që nuk i kam kuptuar, por nuk më kanë ndaluar të isha në atë dhomë ku mbaheshin mbledhjet apo takime”, tha ish-diplomati amerikan.

Ish-diplomati amerikan, James Rubin sot e vazhdon dëshminë në Speciale

James Rubin, ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, vazhdon sot dëshminë e tij në Gjykatën Speciale në Hagë.

Dje mbrojtja nisi paraqitjen e provave në gjykimin Thaçi dhe të tjerët duke thirrur dëshmitarin e parë, në këtë rast James Rubin.

Sipas përmbledhjes së Mbrojtjes të lexuar në gjykatë, dëshmitari James Rubin  ka shërbyer si Ndihmës Sekretar i Shtetit i SHBA-së për Çështjet Publike dhe Zëdhënës Kryesor nga viti 1997 deri në vitin 2000. 

Përfaqësues të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara dje ishin të pranishëm në sallën e gjyqit për të shoqëruar dëshmitarin.

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, James Rubin tha se forcat serbe janë munduar që të mbulojnë krimet e tyre dhe janë përpjekur që ta fajësojnë UÇK-në.

“Qeveria serbe gjithmonë është përpjekur të fajësojë UÇK-në dhe kjo është në përputhje me mënyrën e veprimit të regjimit serb, mënyrë se si ka vepruar në atë kohë, kjo është mënyra se si ata janë përpjekur të justifikonin fajin tek të tjerët”, tha ai.

“Hashim Thaçi nuk ka pasur autoritet dhe as mundësi për të diktuar ndonjë gjë”, ka deklaruar në dëshminë e tij James Rubin, i cili gjatë kohës së luftës në Kosovë ka qenë ndihmëssekretar amerikan i Shtetit.

Dëshmitari James Rubin theksoi se dokumenti i marrëveshjes së demilitarizimit, i nënshkruar në qershor të 1999-ës, ishte përgatitur që të nënshkruhej nga dikush tjetër. Sipas tij, britanikët dhe NATO-ja kërkuan që ky dokument të firmosej nga Hashim Thaçi.

Gjatë dëshmisë së tij, Rubin deklaroi se dokumenti ishte përgatitur që të nënshkruhej nga komandanti i UÇK-së, por britanikët dhe NATO thanë që duhej ta firmoste Thaçi këtë dokument.

Rubin theksoi se i dukej se marrëveshja do të nënshkruhej nga Çeku, i cili njihej si komandant i UÇK-së.

Ai tha se nuk e di se kush e kishte emëruar Agim Çekun si komandant të UÇK-së dhe as kujt i raportonte.

“Ishte një dokument që ishte përgatitur për dikë tjetër para se të vija unë dhe Thaçi atje. Britanikët dhe NATO thanë që jo, duhej ta firmoste Thaçi. Mua më duket se këtë do ta nënshkruante Agim Çeku”, theksoi Rubin.

Kur u pyet nëse ai i raportonte Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, Rubin tha se ajo ka qenë më shumë aspiratë sesa realitet.

“Nuk ka ekzistuar Qeveria e Përkohshme. Ka qenë më shumë aspiratë sesa realitet. Thanë që donin ta krijonin një vend të tillë, por kishte sulme të vazhdueshme dhe ishin të shpërndarë në të gjithë territorin. S’kishte vend fizik ku të ishte Qeveria”, u shpreh Rubin. Ai ka thënë se nuk beson që i ka raportuar Qeverisë së Përkohshme që përmendet nga gjyqtari.

Më pas, dëshmitarit iu prezantua një deklaratë e Agim Çekut, ku flitej për Qeveri të Përkohshme, por kjo, sipas Rubin, ishte më shumë propagandë që publiku dhe ndërkombëtarët të besonin se ata funksiononin kështu.

Ai tha se ata aspironin për lirinë e tyre dhe donin të paraqiteshin më të strukturuar sesa që ishin.

“Arsyeja pse Amerika nuk iu dha armë UÇK-së ishte për shkak të mungesës së strukturës dhe kapaciteteve, përkundër asaj që ata paraqiteshin”, theksoi ai.

Rubin tha se me dëshirën e tij do ta kishte përfunduar dëshminë sot dhe ishte në gjendje të qëndronte më gjatë, por trupi gjykues i tha se pyetjet për të nuk kanë përfunduar dhe se do të vazhdojë edhe mbrojtja me pyetje, përveç trupit gjykues.

James Rubin do të vazhdojë nesër me pyetjet e gjyqtarit Fergal Gaynor dhe palëve tjera.

Rubin: S’kam parë në Kosovë diçka që i përngjante Shtabit të Përgjithshëm

Rubin ka deklaruar në Hagë se në Kosovë nuk ka parë asgjë që i ngjante Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ai tha se, përveçse nuk ka parë ndonjë shtab, nuk ka parë ndonjëherë as ndonjë gjeneral.

“Unë nuk kam parë asgjë në Kosovë që i përngjante Shtabit të Përgjithshëm. Nuk ka pasur ndonjë shtab për gjeneralët në kontekstin e Kosovës. Unë s’kam parë ndonjëherë gjeneral. Unë s’kam parë ndonjëherë Shtab të Përgjithshëm të gjeneralëve”, tha Rubin.

Përveç kësaj, gjatë dëshmisë së tij, Rubin foli edhe për qëndrimet e diplomatit amerikan Christopher Hill ndaj UÇK-së, duke treguar se Hill kishte qenë kundërshtar i qartë i saj.

Ish-diplomati amerikan: Nuk kishte kontroll dhe komandë efektive në UÇK

(E plotësuar, ora 15:18)  James Rubin po vazhdon dëshminë në rastin Thaçi dhe të tjerët. Pas marrjes në pyetje nga tre ekipet e Mbrojtjes dje, Prokuroria ka marrë në pyetje Rubinin,  kurse tani po i bëhen pyetje nga trupi gjykues.

 James Rubin, ish-ndihmës i sekretarit amerikan të shtetit, sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ka përfunduar dëshminë, për ditën e tretë me radhë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Rubin tha se ishte privilegj për atë që të japë dëshmi në këtë proces përkundër faktit që ka zgjatur pak si shumë.

“Dua të them që ishte privilegj për mua të jem këtu, pvarësisht se zgjati pak më shumë”, tha Rubin.

Ish-diplomati amerikan, James Rubin, ka përfunduar dëshminë me riktheksim se tërë dëshmia e tij bazohet në se UÇK nuk ka pasur strukturë organizative.

Jems Rubin është  larguar nga objekti i Gjykatës Speciale me vetura diplomatike të ambasadës amerikane në Holandë.

Dëshmitari i dyte i thirrur nga mbrojtja e Thaçit është amerikani Paul Williams.

Paul Williams ka qenë këshilltar ligjor i delegacionit të Kosovës gjatë negociatave në Rambuje

Rubin: UÇK pa strukturë ushtarake formale, Demaçi ‘Mandela i Kosovës’

(E plotësuar, 10:54) James Rubin, ish-ndihmës i sekretarit amerikan të shtetit, sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, po vazhdon dëshminë, për ditën e tretë me radhë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Rubin dëshmoi lidhur me strukturën dhe veprimtarinë e UÇK-së. Ai deklaroi se komunikatat e lëshuara nga UÇK-në i kishte parë si përpjekje për ta bërë organizatën të dukej më e rëndësishme se ç’ishte në realitet.

“Këto komunikata nuk kanë enë asgjë më shumë përveçse manipulime”, tha ai.

Rubin theksoi se nuk kishte prova për një strukturë ushtarake formale me batalione apo brigada dhe se në UÇK kishte më shumë klane se sa organizim të mirëfilltë. Po ashtu, ai nuk kishte dijeni për ekzistencën e Policisë Ushtarake, por kishte parë persona me dhe pa uniforma.

Në pyetjet mbi personat e zhdukur, Rubin tha se me gjasë e kishte diskutuar çështjen me Hashim Thaçin dhe kishte bërë përpjekje në këtë drejtim.

Duke folur për Adem Demaçin, Rubin e quajti atë ekuivalent të Nelson Mandelës, për shkak të viteve të gjata në burg dhe autoritetit të madh moral mbi lëvizjen çlirimtare. Ai theksoi se ndikimi i Demaçit ishte kryesisht moral, jo fizik.

Lidhur me negociatat në Rambuje, Rubin u pyet nëse Thaçi kishte kërcënuar Veton Surroin dhe Dukagjin Goranin. Ai tha se nuk kishte dijeni për ndonjë kërcënim fizik, por bëri dallim midis presionit moral dhe atij fizik, duke theksuar se presioni ideologjik mbi çështjen e pavarësisë ishte i pranishëm.

Rubin kujtoi se edhe Madeleine Albright kishte ushtruar presion mbi Thaçin për të pranuar marrëveshjen, duke e paralajmëruar për pasojat ndaj popullit shqiptar.

Gjatë seancës u paraqitën transkriptat e incizimeve të 3 shtatorit 2023 nga paraburgimi, të cilat u pranuan si prova materiale pas rishikimit dhe u riklasifikuan si publike. Të gjithë të akuzuarit ishin të pranishëm në sallën gjyqësore.

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %

Average Rating

5 Star
0%
4 Star
0%
3 Star
0%
2 Star
0%
1 Star
0%

Leave a Reply

Previous post James Rubin: Më 1999 nuk kishte prova për dhunë të UÇK-së kundër serbëve
Next post <strong>Paul Williams nis dëshminë në Hagë</strong>