Hagë: Përfundon mbrojtja e Thaçit, vazhdon e Veselit

Read Time:8 Minute, 45 Second

Ka përfunduar dita e tretë e deklaratave përmbyllëse në procesin e gjykimit ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë. Sot janë deklaruar mbrojtja e Hashim Thaçit me avokatët Luka Mishetiq, Nina Tavakoli e Pierre-Richard Prosper si dhe mbrojtja e Kadri Veselit, Rodeny Dixon.

Nesër seanca do të vazhdojë me deklaratat e mbrojtjes së Veselit, për t’u pasuar me mbrojtjen e Rexhep Selimit.

Ndërkaq sot kryembrojtësi i Hashim Thaçit, Mishetiq ka thënë se ai është i pafajshëm dhe se sipas tij, për katër të akuzuarit ligji thotë se duhet prezumuar të pafajshëm.

Tavakoli mohoi pretendimet që Qeveria e përkohshme u shfrytëzua nga të akuzuarit si instrument për realizimin e “një plani të përbashkët kriminal”, duke shtuar se ajo u formua nga fuqitë e mëdha.

Prosper në anën tjetër ka cilësuar se procesi gjyqësor është realizuar me arrogancë dhe me mungesë respekti, teksa Dixon ka thënë se nuk ka asnjë provë që Kadri Veseli ka kryer vepra kriminale.

Dixon: Gjykimi ndaj Veselit, nuk ekzistojnë prova për vepër penale

Rodeny Dixon, avokati mbrojtës i Kadri Veselit tha se nuk ka prova në gjykimin ndaj tij dhe se po provohet ta përfshijnë në veprimtari penale. Ai nisi fjalën e tij përfundimtare pas mbarimit të mbrojtjes së Thaçit.

“Prokuroria mund të argumentojë deri sa të bie fundi i botës nëse dëshiron se kanë provat kundër Veselit por kjo nuk ndryshon që ju të nderuar gjykatës mund ta shihni tani që në fakt është një çështje e dobët kundër tij. Madje, është mosekzistenca e provave”, tha Dixon.

Dixon tha se për më shumë se pesë vjet prej kur është ngritur aktakuza ndaj Veselit, “ZPS-ja ka gjurmuar diçka që nuk ekziston, janë munduar që të gjejnë prova për përfshirjen e Veselit në veprimtari penale”.

“Kanë shpresuar që diçka do të dalë në fund. Në mënyrë të dëshpëruar janë përpjekur që të kapen pas çdo fjale. Kanë luftuar me çdo mulli ere përgjatë rrugës”, tha ai.

Më tej ai tha se emri i Veselit përmendet 260 herë në dosjen e Prokurorisë, por në asnjë rast emri nuk i përmendet në një kontekst që ka element kriminal.

Dixon tha se Veseli ka luftuar për “lirinë e Kosovës dhe për të pasur një të ardhme pa ndarje pa brutalitet. Por, ky nuk është krim”.

“Pretendimet e drejtpërdrejta janë bazuar tërësisht në prova dytësore, shpesh dhe janë hequr. ZPS nuk ka gjetur asnjë dëshmitar që të vijnë në gjykatë dhe të thotë se Veseli ka kryer krime. S’mund ta bënin sepse nuk ekziston”, tha ai.

Mishetiq: Thaçi i pafajshëm, 45 vjet nënkupton dënim të përjetshëm

Avokati kryesor i mbrojtjes së Thaçit, Lluka Mishetiq, ka rimarrë fjalën duke shprehur kundërshtimin e tij për dënimin me nga 45 vjet për katër të akuzuarit, duke potencuar që kjo nënkupton dënim të përjetshëm.

“Ata kanë kërkuar 45 vjet dënim që është në mënyrë efektive dënim i përjetshëm. Pika fillestare e ZPS-së është që nuk ka faktorë zbutës në këtë çështje. Kjo është një parashtrim i pabesueshëm nga një zyrë që e di që DhSK-ja dhe ZPS-ja nuk do të mund të ekzistonin po të mos ishte i akuzuari”, tha ai.

Mishetiq më tej theksoi se fakti që Thaçi ka bashkëpunuar me organet e drejtësisë dhe iu është dorëzuar atyre, është rrethanë zbutëse. Tutje ai kërkoi që Thaçi të shpallet i pafajshëm sepse nuk ka akuza të vërtetuara ndaj tij.

“ZPS-ja nuk ka vërtetuar akuza kundër Thaçit dhe ai duhet të shpallet i pafajshëm dhe të lirohet menjëherë që të kthehet tek familja e tij dhe vendi i tij”, tha ai.

Prosper kritikon për dëshmitarët ndërkombëtarë: Mungesë respekti

Avokati i tretë i mbrojtjes së Thaçit, Pierre-Richard Prosper kritikoi Prokurorinë për mënyrën e trajtimit të dëshmive nga shtatë dëshmitarët ndërkombëtarë.

Ai ka përmendur mos njohjen e të dyshuarve, gjuhës dhe ngjarjeve nga ana e tyre.

“Shtatë dëshmitarët ndërkombëtarë u sollën këtu në një situatë të vështirë me arsyetimin se kishin shumë pak njohuri lidhur me aktorët e përfshirë, gjuhën nuk e flisnin, kanë komunikuar vetëm disa herë me aktorët kryesorë, nuk kanë lexuar rregullore e urdhëresa të UÇK-së apo komunikata dhe nuk e njihnin strukturën e UÇK-së. Prokurorja vazhdon më tej, duke thënë se ata kishin informacione të kufizuara”, tha ai fillimisht.

Ai ka thënë se krejt këto fakte janë arrogancë dhe mungesë respekti, të cilat sipas tij, kanë qenë të pranishme e qysh në fillim të këtij procesi gjyqësor.

“Duhet të kujtojmë rëndësinë e dëshmitarëve. Duhet të respektoni rolin që kanë pasur, shtetet që përfaqësojnë”, shtoi Prosper, duke theksuar se ata nuk dolën para gjykatores si persona privatë, por në kohën e luftës kishin pasur role të rëndësishme dhe përfaqësonin SHBA-në, NATO-n e OKB-në.

Tavakoli: Qeveria e përkohshme me mbështetje të SHBA-së, jo për plan krimi

Pas përfundimit të fjalës përmbyllëse nga avokati Luka Mishetiq, avokatja tjetër e Thaçit, Nina Tavakoli, mohoi pretendimet që Qeveria e përkohshme u shfrytëzua nga të akuzuarit si instrument për realizimin e “një plani të përbashkët kriminal”.

Tavakoli përmendi faktin që kjo qeveri u krijua me mbështetjen e fuqive ndërkombëtare si SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe shtete të tjera. Ajo shtoi se ky pretendim do të mund të jetë real vetëm nëse thuhet se këto shtete përkrahën një plan të tillë kriminal.

“Kjo mbështetje ndërkombëtare ngre dyshime se ajo u krijua si shtysë për të ekzekutuar një plan të përbashkët kriminal nga të akuzuarit për të marrë nën kontroll Kosovën”, tha ajo.

Gjithashtu avokatja potencoi se në krijimin e kësaj qeverie morën pjesë disa parti politike dhe se nuk shihej thjesht si mekanizëm pushteti.

Tavakoli tha gjithashtu se Thaçi gjatë mandatit të tij si kryeministër nuk ka pasur pushtet për vendimmarrje.

“Ai nuk mundte të nënshkruante asnjë angazhim domethënës për kosovarët në rolin e tij si kryeministër”, tha ajo.

Në linjë me këtë deklaratë, ajo potencoi se ish-diplomati britanik, John Stewart Duncan kishte deklaruar se Thaçi nuk mund ta nënshkruante marrëveshjen për çarmatosje e UÇK-së si kryeministër i Qeverisë së përkohshme.

Mishetiq: Thaçi nuk dinte për krimet në Jabllanicë

Nuk ka asnjë fakt që Hashim Thaçi ka ditur për krimet ndodhura në Jabllanicë. Kështu tha avokati i tij, Luka Mishetiq gjatë fjalës së tij përmbyllëse.

“Nuk ka asnjë fakt dhe asnjë pretendim ku thuhet se Thaçi dinte për krimet në Jabllanicë ndërkohë që Haradinaj ishte pjesë e Zonës ku pretendohet se kanë ndodhur këto krime por ndërkohë nuk kemi asnjë akuzë për anëtarësim të tij në Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale”, tha Mishetiq.

Mishetiq shtoi se Prokuroria nuk ka provuar asnjë prej elementeve të përgjegjësisë komanduese që mund ta bënte Thaçin përgjegjës.

“ZPS-ja nuk ka provuar asnjë prej elementeve të përgjegjësisë komanduese që do ta bënte Thaçin përgjegjës”, deklaroi avokati.

“Thaçi s’ka pasur dijeni për krimet e mundshme nga anëtarët e UÇK-së”

Luka Mishetiq, avokati mbrojtës i Hashim Thaçit, tha se ky i fundit nuk ka qenë në dijeni nëse ndonjë anëtarë i Qeverisë së përkohshme ka kryer krime.

“Nuk ka prova përtej dyshimit të arsyeshëm që Thaçi të ketë caktuar bashkë të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të Qeverisë së përkohshme. Prokuroria nuk ka arritur që të provojë se Thaçi të ketë pasur njohur që ndonjë anëtar i Qeverisë së përkohshme të ketë kryer krime”, tha avokati.

“Nuk ka prova përtej dyshimit të arsyeshëm që Thaçi të ketë pasur njohuri për krime specifike të bëra nga anëtarët e UÇK-së që të ishin vartës të tij dhe për të cilët nuk ka pasur dijeni UNMIK-u dhe KFOR-i”, shtoi më tej ai.

Mishetiq: Thaçi nuk ka përpiluar komunikatën 59, mos të fajësohet për këtë

Avokati Luka Mishetiq, në mbrojtjen e tij ndaj Hashim Thaçit, tha se ai nuk ka qenë përgjegjës për komunikatat dhe deklaratat publike të UÇK-së dhe se duhet të hiqet fajësimi lidhur me komunikatën numër 59.

Sipas Mishetiq, ZPS-ja është mbështetur në deklaratën e Rexhep Selimit se Thaçi ka pasur lidhje me këto komunikata.

“Thjesht ka hamendësuar. Dhe mbi të gjitha, pretendimet e tij për komunikatën 59 janë të pakonfirmuara dhe Thaçi nuk ka pasur asnjë mundësi që ta kontestojë dëshminë e zotit Selimi kur janë bërë kundërpyetjet në lidhje me këtë”, tha ai.

Mishetiq shtoi se Selimi ka deklaruar që nuk ka pasur dijeni se kush i ka hartuar komunikatat dhe se thjesht ka spekuluar në intervistën për ZPS-në.

Ndërsa, prova e dytë që lidhet me këtë çështje, sipas Mishetiq, është një pjesë e librit të shkruar nga Nuhi Bytyqi.

Mishetiq: S’ka prova që Thaçi mori pjesë në takimet e SHP-së

Avokati mbrojtës i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, para trupit gjykues ka vazhduar të paraqesë argumentet se pse Thaçi është i pafajshëm në pikat e kësaj çështjeje penale, duke përfshirë edhe faktin se klienti i tij nuk ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm.

Mishetiq deklaroi se Hashim Thaçi nuk ka qenë në Kosovë gjatë një pjese të madhe të periudhës që përmendet në aktakuzë, duke theksuar se nuk ekzistojnë prova që ai ka marrë pjesë në takimet e Shtabit të Përgjithshëm.

Sipas tij, Prokuroria po përpiqet të anashkalojë mungesën e Thaçit në Kosovë duke pretenduar se anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm janë konsultuar me të përmes telefonit ose janë njoftuar më pas për rezultatet e takimeve.

“Prokuroria përpiqet që ta anashkalojë problemin e mungesës së zotit Thaçi në Kosovë, duke argumentuar se anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm janë konsultuar përmes telefonit apo janë njoftuar më pas lidhur me rezultatet e takimeve të Shtabit të Përgjithshëm”, ka deklaruar Mishetiq.

Mishetiq ka kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë lidhur me komunikatat e UÇK-së dhe me atë se ato kanë pasur mesazhe që kanë nxitur krimin.

“Komunikatat e UÇK-së nuk kanë qenë nxitëse të krimit sepse në të kundërtën dëshmitarët ndërkombëtarë që kanë dhënë dëshmi në këtë çështje do ta kishin ditur këtë dhe do e kishin bërë me dije për ju”, tha Mishetiq.

Mbrojtësi Mishetiq, thotë se Prokuroria duhet të japë argumente të shkakut dhe pasojës se pse komunikatat pretendon që çuan në kryerjen e krimeve në aktakuzë. Ai thotë se Prokuroria mbështetet në deklaratat e Rrustem Mustafës- Remit.

Ai, thotë se Prokuroria duhet të japë argumente të shkakut dhe pasojës se pse komunikatat pretendon që çuan në kryerjen e krimeve në aktakuzë, duke shtuar se. Ai thotë se Prokuroria mbështetet në deklaratat e Rrustem Mustafës- Remit. “Thaçi nuk mund ta kontrollonte se çfarë bënin ushtarët e UÇK-së në terren”, ka thënë pos tjerash Mishetiq.

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %

Average Rating

5 Star
0%
4 Star
0%
3 Star
0%
2 Star
0%
1 Star
0%

Leave a Reply

Previous post Eshref Ymeri: Kryearmiku i kombit shqiptar, Edi Rama, i vret njerëzit urtë e butë
Next post Reuters: Avokatët e Thaçit kërkojnë lirimin nga akuzat për krime lufte