Reuters: Avokatët e Thaçit kërkojnë lirimin nga akuzat për krime lufte
Avokatët e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kanë deklaruar sot para gjykatës së Dhomave të Specializuara në Hagë se ai duhet të lirohet nga të gjitha akuzat për krime lufte, duke argumentuar se nuk ka dëshmi të drejtpërdrejta që e lidhin atë me krimet e pretenduara gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Në artikullin e Reuters shkruan se në fjalën përmbyllëse para gjykatës, avokati i Thaçit, Luka Misetiç, tha se pretendimet e prokurorisë se Thaçi dhe tre komandantë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) zhvilluan një fushatë të dhunshme për të marrë kontrollin politik të të gjithë Kosovës janë një përpjekje e pabazuar për të rishkruar historinë. Ai theksoi se nuk ekziston asnjë urdhër në procesverbal që tregon se Thaçi ka dhënë urdhra për kryerjen e krimeve, as raportet e personave të akuzuar që e lidhnin atë me veprat penale.
Avokatët argumentuan se prokuroria nuk ka dorëzuar prova të mjaftueshme për të treguar se Thaçi kontrollonte komandantët e UÇK-së, ose se ai kishte përgjegjësi personale për veprimet e tyre. “Nuk ka dëshmi të besueshme që ai të ketë qenë i përfshirë personalisht në kryerjen e krimeve të luftës,” tha Misetiç, shkruan Reuters.
Prokuroria, nga ana tjetër, ka kërkuar dënim me 45 vjet burgim për Thaçin dhe bashkëakuzuarit e tij në fund të një procesi që zgjati gati tre vite, duke pretenduar se gjatë konfliktit të vitit 1998-99 u vranë më shumë se 100 kundërshtarë politikë dhe persona të perceptuar si bashkëpunëtorë të forcave serbe, ndërkohë që qindra të tjerë u keqtrajtuan në qendra të mbajtjes nën kontrollin e UÇK-së.
Dhomat e Specializuara u krijuan për të trajtuar rastet e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit të kryera gjatë konfliktit në Kosovë, duke operuar në Hagë për shkak të shqetësimeve për sigurinë e dëshmitarëve dhe ndikimin politik në vend.
“Një vendim përfundimtar pritet brenda tre muajsh”, thuhet në artikullin e Reuters.

Average Rating