Glauk Konjufca: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së shkaktoi zhgënjim në Kosovë

Read Time:1 Minute, 18 Second

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka thënë se aktgjykimi dënues ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka shkaktuar zhgënjim të thellë në Kosovë, ndjenjë të cilën tha se e ndan edhe personalisht.

Konjufca shprehu bindjen se Dhoma e Apelit do ta shqyrtojë me kujdes dhe rigorozitet vendimin e shkallës së parë.

“Besoj fuqishëm se Dhoma e Apelit do t’ia nënshtrojë aktgjykimin një shqyrtimi të kujdesshëm dhe rigoroz gjyqësor, si dhe do t’i trajtojë, në përputhje me ligjin e zbatueshëm dhe praktikën e vendosur, mangësitë ligjore dhe faktike që dalin nga ky vendim”, shkroi ai në platformën X.

Pavarësisht kësaj, Konjufca theksoi se përkushtimi i Kosovës ndaj sundimit të ligjit, parimeve demokratike, paqes dhe së ardhmes evropiane mbetet i pandryshuar.

Ai tha se historia e Kosovës është e karakterizuar nga represioni, rezistenca, lufta, humbjet dhe liria e fituar me shumë sakrifica.

“Sot, në rrethanat aktuale, është e vështirë të perceptohet një ndjenjë drejtësie për dhjetëra mijëra gra, burra dhe fëmijë, prej të cilëve më shumë se 95 për qind ishin shqiptarë etnikë, që u vranë, u dhunuan dhe u torturuan nga forcat ushtarake, paraushtarake dhe policore serbe. Për ta, drejtësia nuk erdhi kurrë”, deklaroi Konjufca.

Ai bëri thirrje që të mbrohet e vërteta historike nga çdo shtrembërim dhe interpretim keqdashës.

“Mbi të gjitha, duhet të mbetemi krenarë për dinjitetin dhe qëndrueshmërinë e popullit të Kosovës, si dhe për shtetin që kemi ndërtuar sot: një Kosovë të lirë, demokratike dhe evropiane”, përfundoi Konjufca në reagimin e tij.

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %

Average Rating

5 Star
0%
4 Star
0%
3 Star
0%
2 Star
0%
1 Star
0%

Leave a Reply

Previous post Bedri Hamza: Ditë turpi për drejtësinë, do t’i ndërmarrim veprimet ligjore
Next post Albin Kurti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së është padrejtësi e papranueshme