Hagë: 41 muaj burgim efektiv për rastin e njohur si “Administrimi i Drejtësisë”
Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) kanë shpallur aktgjykimin në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, e cila lidhet me veprat penale kundër administrimit të drejtësisë dhe rendit publik.
Gjykata ka dënuar Hashim Thaçin dhe të tjerët me 41 muaj burgim efektiv për veprën penale të pengimit të drejtësisë.
Gjykatësi i vetëm për gjykimin e çështjes, Kristofer Gosnell, e ka shpallur Hashim Thaçin fajtor për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës. Për këto vepra, Thaçi është dënuar me 17 muaj burgim, dënim që do të vuhet veçmas nga çdo dënim tjetër në çështjen e tij për krime lufte.
Bashkim Smakaj është shpallur fajtor për tentativë për pengim të personave zyrtarë dhe për ndihmë në mosbindje ndaj gjykatës, duke u dënuar me 12 muaj burgim. Megjithatë, duke marrë parasysh kohën e kaluar në paraburgim, gjykatësi e ka konsideruar dënimin të vuajtur dhe ka urdhëruar lirimin e tij.
Me të njëjtin dënim, prej 12 muajsh burgim, është dënuar edhe Fadil Fazliu, i shpallur fajtor për të njëjtat vepra penale. Edhe në rastin e tij, koha e kaluar në paraburgim është llogaritur në dënim, duke bërë që ai të konsiderohet i vuajtur dhe Fazliu të lirohet.
Në anën tjetër, Hajredin Kuçi është shpallur fajtor për një akuzë të mosbindjes ndaj gjykatës dhe është dënuar me një muaj burgim me kusht. Ky dënim do të konsiderohet i kryer pas një viti, nëse gjatë kësaj periudhe ai nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale sipas Kodit Penal të Kosovës.
Ndërsa Isni Kilaj është shpallur i pafajshëm për të gjitha akuzat kundër tij.
Çfarë konstatoi gjykata?
Sipas konstatimeve të paraqitura në komunikatën e DHSK-së, çështja lidhet me vizitat që Thaçi kishte pranuar në objektin e paraburgimit gjatë vitit 2023, ku pretendohet dhe është konstatuar nga gjykata se ai kishte përcjellë informacione konfidenciale për dëshmitarë dhe udhëzime lidhur me dëshmitë e tyre në procesin gjyqësor për krime lufte.
Në rastin e Fadil Fazliut, gjykata konstatoi se gjatë një vizite më 2 korrik 2023, Thaçi i kishte dhënë udhëzime për t’ia përcjellë dëshmitarit të Prokurorisë, Rrustem Mustafës. Sipas aktgjykimit, Fazliu i kishte komunikuar këto udhëzime dëshmitarit një ditë më vonë.
Në rastin e Bashkim Smakajt, gjykata konstatoi se gjatë vizitës së 7 tetorit 2023, Thaçi i kishte dhënë udhëzime me shkrim lidhur me dëshminë e Bislim Zyrapit. Provat digjitale dhe dokumentet e sekuestruara në banesën e Smakajt u morën parasysh nga gjykata në vlerësimin e këtij rasti.
Ndërkaq, për Isni Kilajn, gjykata konstatoi se Thaçi i kishte dhënë udhëzime të hollësishme për dëshminë e një dëshmitari të mbrojtur, si dhe kopje të deklaratave të mëparshme të tij. Megjithatë, nuk u vërtetua se Kilaj kishte ndërmarrë hapa për t’ia përcjellë këto udhëzime dëshmitarit apo se ishte përmbushur kushti ligjor për veprimin e përbashkët. Për këtë arsye, ai u shpall i pafajshëm.
Sa i përket Hajredin Kuçit, gjykata konstatoi se ai i kishte dërguar një mesazh Rrustem Mustafës, në kundërshtim me urdhrin gjyqësor që ndalonte kontaktet me dëshmitarët e Prokurorisë. Megjithatë, gjykata nuk gjeti prova të mjaftueshme për pretendimin se Kuçi kishte marrë pjesë në një marrëveshje për kontaktimin e tre dëshmitarëve lidhur me dëshmitë e tyre.
Gjykata: Pengimi i drejtësisë cenon integritetin e sistemit gjyqësor
Gjatë shpalljes së aktgjykimit, gjykatësi theksoi rëndësinë e veprave penale të konstatuara, duke nënvizuar se pengimi i personave zyrtarë në ushtrimin e detyrave të tyre gjatë një procesi gjyqësor përbën cenim të integritetit të sistemit të drejtësisë dhe të sundimit të ligjit.
Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se një përmbledhje më e hollësishme e aktgjykimit do të publikohet në faqen e tyre zyrtare, ndërsa versioni i redaktuar publik i aktgjykimit do të jetë gjithashtu në dispozicion.

Average Rating