Albin Kurti takon fituesit e zgjedhjeve në Luginë: Mbështetja do të fuqizohet edhe më shumë
Kryeministri Albin Kurti priti sot liderët politikë të Luginës së Preshevës që fituan në zgjedhjet parlamentare në Serbi, të koalicionit “Beteja Politike e Shqiptarëve Vazhdon”.
Ai me këtë rast shprehur përgëzime për rezultatin e arritur në këto zgjedhje të jashtëzakonshme në betejën për pozitën e shqiptarëve të diskriminuar në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, si dhe e uroi për mandatin e ri deputetin e rikonfirmuar Shaip Kamberi.
Me këtë rast u theksua rëndësia e unifikimit të spektrit politik shqiptar, për të garantuar përfaqësimin politik e zërin shqiptar në parlamentin atje. Ky bashkim që erdhi në prag të zgjedhjeve e me qëllim të përbashkët ka dëshmuar se pluralizmi partiak rreth unitetit kombëtar është vlerë e shqiptarëve.
Gjatë takimit, kryeministri Kurti konfirmoi se mbështetja e Qeverisë së Kosovës do të vazhdojë dhe do të fuqizohet në përkrahje të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, që përballet me diskriminim sistematik të institucioneve shtetërore.
Prezentë në takim ishte bartësi i listës dhe kryetari i Partisë për Veprim Demokratik Shaip Kamberi, kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare Ragmi Mustafa, kryetari i Lëvizjes së Progresit Demokratik Shqiprim Musliu, kryetari i Unionit Demokratik Shqiptar Naser Aziri dhe nga Aleanca për Luginën, Ilir Sadriu.
Sot gjatë ditës, deputetin Kamberi e priti në takim edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili e uroi për rezultatin e arritur, duke theksuar nevojën për forcimin e pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Ndryshe, në zgjedhjet parlamentare të 17 dhjetorit në Serbi, shqiptarët e Luginës së Preshevës garuan me dy lista të ndara “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon-Shaip Kamberi” dhe “Alternativa Demokratike Shqiptare-Lugina e Bashkuar”.
Average Rating