Dr. Salih Krasniqi flet për dëshmitë e mbledhura për krimet serbe në Kosovë

Read Time:6 Minute, 50 Second

Dr. Salih Krasniqi është kirurgu që gjatë luftës në Kosovë, pesë ditë bënte përpjekje të trajtonte të plagosurit në Klinikën Universitare të Prishtinës dhe në fundjavë operonte të plagosurit në zona lufte, duke u bërë dëshmitarë i atyre që i quan krime lufte ndaj pacientëve shqiptarë.

Gjatë intervistës për Zërin e Amerikës, Dr. Krasniqi thotë se dëshmitë e gjetura prej tij konfirmojnë se si pacientët shqiptarë të lënduar gjatë luftës prezantoheshin rrejshëm si viktima të sulmeve ajrore të NATO-s, ndonëse gjatë vizitave të tyre ai gjente plagë nga armë zjarri të forcave serbe.

Kirurgu i luftës, siç njihet në Kosovë Dr. Salih Krasniqi, thotë se ka mbledhur dëshmi për mbi 1200 pacientë shqiptarë në Klinikën Universitare të Prishtinës ndaj të cilëve, sipas tij, janë kryer krime dhe tortura nga forcat serbe.

Të gjitha dëshmitë, nga maji i vitit 1998 deri në qershorin e vitit 1999, i ka botuar në librin me dy vëllime për të cilin thotë se ka punuar mbi 20 vjet. Në mbi 1000 faqe, ai ofron dosjet e siguruara në Klinikën Universitare të Prishtinës si dëshmi për pretendimet që bën.

“Janë edhe 45 punonjës shëndetësorë të vrarë në të gjithë Kosovën. Në libër janë të përfshirë fëmijët dhe të rriturit. Nga fëmijët, në libër janë rastet e 402 fëmijëve dhe 741 të rriturve”, tha dr. Krasniqi.

Ai thotë se nuk ka mbledhur dëshmi vetëm duke u mbështetur në dokumentacionin që e ka gjetur pas luftës në QKUK, por në jo pak raste, ndërsa ishte pjesë e stafit mjekësor në kryeqytetin e Kosovës, ka qenë edhe vetë dëshmitar i atyre, që i përshkruan si krime dhe tortura që janë kryer ndaj shqiptarëve, ndërsa ishin të shtruar si pacientë.

“Gjatë trajtimit të tyre ata janë mbajtur të lidhur te radiatori, apo pas krevatit, ose me armë iu kanë hapur plagët pacientëve pasi janë operuar, pra iu kanë hapur plagët me automatik. Ne kemi qenë një numër i vogël deri më 18 mars 1999 në punë. Kur shkonim për vizitë, pacientët na thonin ‘ju lutem mos na ndihmoni, apo mos na sillni barëra apo ushqime më shumë, sepse më pas po na rrahin më keq se sa kur nuk na ndihmoni fare. Pasi jeni larguar ju? Po, sepse pasdite ne nuk ishim aty dhe ata (serbët) bënin çfarë të donin me ta”, shtoi ai.

Përgjatë luftës në Kosovë ato pak media ndërkombëtare që ende lejoheshin të punonin nën kushte të rrepta të regjimit të Slobodan Millosheviqit, me raste ftoheshin nga udhëheqësit serbë të spitalit të Prishtinës për të filmuar viktima civile shqiptare e serbë që trajtoheshin në QKUK. Qëllimi ishte të tregohej se si po viktimizohen civilët nga sulmet ajrore të NATO-s.

Një nga këto raste ishte ai i 2 prillit të vitit 1999.

“Që kur filloi agresioni i NATO-s ne kemi pranuar çdo ditë shumë civilë të plagosur. Unë do të doja të pyesja NATO-n a e dinë ata se kë po lëndojnë bombat?”, tha më 2 prill 1999 drejtori i Klinikës Kirurgjikale, Rade Grbiç.

Dr. Salih Krasniqi thotë se ish kolegu serb nga koha e luftës ka prezantuar rrejshëm pacientët shqiptarë si viktima të NATO-s dhe shton se ai ka gjetur fakte për këtë.

“Unë gjeta të dhënat se janë 420 pacientë dhe ai (Gërbiç) thotë se kanë qenë 60%, që i bie 252 pacientë të jenë të operuar në QKUK kinse prej lëndimeve të shkaktuara nga NATO. Por kur i kam nxjerrë të dhënat se çfarë diagnoze, apo çfarë operimi është bërë, numri i tyre është shumë i vogël. Në bazë të të dhënave thuhet se nga këta 252 pacientë mungojnë rreth 111 pacientë që nuk janë regjistruar fare. Lind pyetja se ku kanë shkuar këta pacientë nëse janë pranuar, por nuk janë regjistruar”, tha dr. Krasniqi.

Një rast i mirë, sipas dr. Salih Krasniqit, për të sqaruar se si viktimat e sulmeve nga forcat serbe janë prezantuar si viktima të bombardimeve të NATO-s është rasti i burgut të Dubravës, në afërsi të Istogut.

Më 19 dhe 21 maj 1999, NATO kreu sulme ajrore në këtë burg duke thënë se kjo u bë si reagim ndaj aktiviteteve ushtarake jugosllave afër zonës së burgut. Nga këto sulme zyrtarisht dihet për 19 të vrarë, kryesisht shqiptarë, që mbaheshin të burgosur aty dhe qindra të plagosur.

“Në këtë vend është kryer humbja më e tmerrshme e të burgosurve. Ka pasur një numër të madh viktimash të cilët janë transferuar në spitalin më të afërt dhe hetimet janë në vazhdim”, tha më 21 maj 1999 gjyqtari hetues serb, Vladan Vojiç nga Peja.

Mirëpo Dr. Salih Krasniqi, thotë se diagnozat e pacientëve që i ka gjetur në QKUK tregojnë një histori krejt tjetër.

“Masakra aty ishte kryer prej institucioneve serbe e jo prej NATO-s, siç e kanë shkruar edhe në historitë e pacientëve që i kam hasur ku thuhet se janë të plagosur prej NATO-s. Mirëpo, në diagnozat që kam gjetur unë thuhet se kanë qenë të plagosur me armë zjarri, pra prej armëve të vogla të zjarrit e jo prej sulmeve ajrore. I kanë nxjerrë në fushën e sportit në Burgun e Dubravës dhe kanë filluar t’i gjuajnë të gjithë. Disa që kanë arritur të ikin. Ata i kanë plagosur ndërsa ishin të fshehur nëpër puse apo vende të tjera”, tha dr. Krasniqi.

Ai thotë se një tjetër krim që është kryer me shqiptarët në Dubravë është se shumica prej tyre, megjithëse ishin të lënduar, nuk janë dërguar asnjëherë në spital për trajtim. Dr. Krasniqi thotë se nga rreth 300 të lënduar, vetëm 31 ish të burgosur janë regjistruar si pacientë në spital.

“Të gjithë i kanë mbajtur fillimisht nga 4 deri në 20 ditë në burg e më pas 31 prej tyre i kanë sjellë në spital. Të tjerët i kanë dërguar nëpër burgje. Edhe ata që i kanë sjell në spital, pas 3 apo 5 ditësh i kanë liruar nga spitali dhe i kanë dërguar nëpër burgjet serbe. Sa prej tyre kanë pasur nevojë për trajtim mjekësor dhe që nuk është lejuar t’u jepet? Pothuajse të gjithë pasi gati të gjithë kanë qenë të plagosur, kryesisht prej forcave serbe”, nënvizoi ai.

Fat të ngjajshëm me të plagosurit e burgut të Dubravës, sipas Dr. Salih Krasniqit, kishin edhe qindra pacientë të tjerë shqiptarë që ndonëse trajtimi mjekësor do të mund të bënte dallimin mes jetës apo vdekjes, janë dërguar në burgje.

“Ma kanë marrë për shembull Muhamet Kiçinën, një djal i ri, në janar të vitit ’99, e kanë kapur në Drenas të plagosur nën sqetullën e djathtë, e kanë sjellë në spital serbët dhe e kemi operuar me Profesor Sadri Bajraktarin, mirëpo pas dy tre ditëve e kanë marrë prej spitalit megjithëse ne nuk e kemi nënshkruar fletë-lëshimin sepse nuk ishte në gjëndje të dërgohet në burg. Ne nuk na pyetën”, shtoi ai.

Muhamet Kiçina dhe një tjetër pacient, Naim Çufaj të cilin Dr. Krasniqi thotë se e ka nxjerrë ilegalisht nga spitali dhe e ka dërguar në shtëpinë e tij, i kanë mbijetuar luftës në Kosovë.

Gjatë kohës së luftës, Dr. Krasniqi, bënte dy punë. Pesë ditë të javës punonte në Qendrën Klinike Universitare, ditëve të tjera, shkonte nëpër zona ku bëhej luftë dhe trajtonte pacientë dhe ushtarë të UÇK-së.

“Ne kemi qenë të caktuar në atë mënyrë, një grup që nuk ka punuar në spital, ata punonin nga e hëna deri të premtën e të premten shkonim ne grupi që punonim në spital që t’i ndrrojmë. Nëpër spitale ushtarake (të UÇK-së) ose e kam marrë pushimin vjetor kinse po shkoj dikund dhe kam shkuar në zona të luftës. Si e kaluat këtë pa u marrë vesh se çfarë po bëni sepse kjo ishte me rrezik edhe për jetën tuaj? Shumë më tepër jam frikësuar ndërsa shkoja në male se sa kur isha në mal, sepse aty ishim të armatosur. Mirëpo, gjatë rrugës ishte problem. Disa kolegë i kanë zënë dhe i kanë rrahur”, deklaron ai.

Dr. Krasniqi thotë se është duke punuar që të përkthejë librin në gjuhën angleze dhe atë gjermane. Ndërkaq, shton ai, Ministria e Drejtësisë e Kosovës është duke mbledhur material për të dëshmuar krimet e kryera nga forcat serbe në Kosovë.

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %

Average Rating

5 Star
0%
4 Star
0%
3 Star
0%
2 Star
0%
1 Star
0%

Leave a Reply

Previous post Veriu i Kosovës: Largohet flamuri serb edhe nga Kalaja e Zveçanit
Next post SHBA vlerëson arritjet e FSK-së në planin e tranzicionit