Edi Rama: Rajoni nuk mund të mbetet zvarrë i konfliktit të veriut
Pasi nisma e tij mori mbështetje nga presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel për mbajtjen e një konference ndërkombëtare për Kosovën e Serbinë, ka reaguar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke konsideruar këtë si lajm të mirë. Në një reagim në Twitter, Rama thotë rajoni nuk mund të mbetet zvarrë nga një konflikt, siç e quan ai, krejt të kotë në veriun e Kosovës.
“Rajoni ynë nuk mund të merret zvarrë nga një konflikt krejt i kotë, absurd, ku luhet me zjarrin e nacionalizmit duke prodhuar çdo ditë arsye për sherr, me veprime e mosveprime, akuza e kundërakuza, të cilat po e degradojnë përditë situatën në Veriun e Kosovës dhe po minojnë vetë ngrehinën e ndërtuar me aq shumë përpjekje të bashkëpunimit rajonal”, konsideron Rama.
Kryeministri shqiptar thotë se kur në Bruksel ka hyrë në agjendën e punës së Komisionit përgatitja e një plani të ri mbështetjeje financiare dhe ekonomike për vendet e rajonit tonë, veriu i Kosovës po i ofron botës një pamje bardh e zi.
“…Kur Shqipëria përgatitet të presë Samitin e Parë të Procesit të Berlinit në Ballkanin Perëndimor; kur ne duhet të jemi të gjithë të bashkuar, për ta çuar përpara këtë proces jetik për të ardhmen tonë të përbashkët evropiane, duke forcuar lidhjet tona, ekonomitë tona, tregun tonë të përbashkët, Veriu i Kosovës po i ofron botës shfaqjen e një filmi bardhezi të Ballkanit të vjetër, i cili mund të argëtojë vetëm spektatorët cinikë në Lindjen kufijve të Bashkimit Evropian”, shkruan Rama.
Rama kërkon nga politikanët e Kosovës që ta dëshmojnë me fjalë se i përkasin Procesit të Berlinit.
“Politikanët e Kosovës duhet ta dëshmojnë me vepra e jo me fjalë, se ky rajon i përket Procesit të Berlinit jo ëndrrave të Kremlinit dhe Kosova nuk mund të jetë pëlhura e pavetëdijshme mbi të cilën projektohen ato ëndrra, ndërkohë që disave prej tyre u duket se po pikturojnë një tablo heroike për historinë në Veriun e Republikës”, shkruan Rama.
Average Rating