
Gjenocidi në Srebrenicë, 30 vjet më pas: Plagë e hapur në ndërgjegjen e Ballkanit
Sot mbushen 30 vjet nga një prej tragjedive më të mëdha që ka ndodhur në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore – gjenocidi në Srebrenicë.
Nga 11 deri më 19 korrik 1995, forcat e Ushtrisë së Republikës Serbe, të udhëhequra nga krimineli i dënuar i luftës Ratko Mlladiq, vranë në mënyrë të qëllimshme dhe sistematike mbi tetë mijë burra dhe djem boshnjakë të paarmatosur, të moshës nga 14 deri në 70 vjeç, përfshirë më shumë se gjashtëqind fëmijë. Viktima më e re ishte një foshnje e lindur më 13 korrik 1995, e gjetur dhe e ekshumuar në një varrezë masive në vitin 2012.
Kjo masakër u shpall zyrtarisht gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare dhe ato kombëtare. Më 26 shkurt 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi se Serbia nuk ishte përgjegjëse drejtpërdrejt për gjenocidin, por theksoi se kishte shkelur Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimeve të Gjenocidit, pasi nuk kishte bërë gjithçka për ta parandaluar këtë krim dhe nuk kishte ndëshkuar autorët e tij.
Delegacioni nga Mali i Zi
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ishte i vetmi përfaqësues më i lartë shtetëror që mori pjesë në përkujtimin e kësaj tragjedie në Potoçari. Delegacioni i Qeverisë malazeze u kryesua nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ervin Ibrahimoviq, ndërsa pjesë e tij ishin edhe ministra të tjerë nga radhët e komunitetit boshnjak dhe shqiptar.
Deputeti i Partisë Boshnjake, Mirsad Nurkoviq, e quajti këtë delegacion “shprehje të qartë të vullnetit shtetëror” për t’u përballur me të kaluarën në mënyrë serioze. Ai kujtoi se që në vitin 2021 Kuvendi i Malit të Zi kishte miratuar Rezolutën për Gjenocidin në Srebrenicë.
Kritikat dhe kontestimet
Përkundër kësaj, ish-ministri i Jashtëm i Malit të Zi dhe ish-ambasadori në SHBA, Miodrag Vllahoviq, kritikoi përbërjen e delegacionit zyrtar, duke e cilësuar “turp të rëndë për Malin e Zi”. Sipas tij, mungesa e përfaqësuesve serbë dhe malazezë tregon një devijim të rrezikshëm drejt politikave përjashtuese. Ai ironizoi me rolin e Ibrahimoviqit, dhe theksoi se Srebrenica nuk është çështje etnike, por humane dhe e përbashkët për të gjithë.
Vlahoviq përmendi edhe mungesën e kryeministrit Milojko Spajiq dhe të liderit të Kuvendit, Andrija Mandiq, të cilët nuk morën pjesë në përkujtim, duke aluduar në ndikimin e partive nacionaliste serbe brenda qeverisë aktuale.
Shoqëria Civile: Heshtja është poshtërim
Njëqind organizata joqeveritare nga Mali i Zi kanë dënuar mungesën e veprimeve konkrete nga institucionet shtetërore për shpalljen e Ditës së Kujtimit për viktimat e Srebrenicës. Ato rikujtojnë se Mali i Zi ka votuar pro rezolutës së Kombeve të Bashkuara për këtë ditë përkujtimore dhe se i ka miratuar dokumente të ngjashme edhe në Kuvendin kombëtar, por pa e zbatuar asnjëherë në praktikë.
“Përfaqësuesit aktualë të pushtetit në Mal të Zi, të cilët përfshijnë edhe parti nacionaliste serbe, vazhdojnë të mohojnë gjenocidin dhe të përdhosin kujtimin e viktimave,” thuhet në reagimin e OJQ-ve. Ato u bënë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në përkujtimin zyrtar në Podgoricë, pranë Memorialit për viktimat civile në Pobrezhje.
Srebrenica: Një kujtesë kolektive
Gjenocidi në Srebrenicë nuk është çështje vetëm e boshnjakëve, as vetëm e Bosnjës. Është një plagë në ndërgjegjen e të gjithë njerëzimit, dhe veçanërisht e të gjitha shoqërive në Ballkan që duan të ndërtojnë një të ardhme pa urrejtje dhe paqëndrueshmëri. Kujtimi i kësaj tragjedie dhe pranimi i së vërtetës janë hapat e parë për pajtim të vërtetë.
/RTK/
Average Rating