
Guterres: Marrëveshja e paqes në Gaza mundësi historike
Udhëheqësit botërorë kanë mirëpritur lajmin se Izraeli dhe Hamasi janë pajtuar për fazën e parë të një plani paqeje për Gazën.

Marrëveshja hap rrugën për lirimin e pengjeve izraelite dhe të burgosurve palestinezë, tërheqjen e trupave izraelite nga Gaza dhe lejimin e ndihmave humanitare në territorin e rrethuar.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e quajti marrëveshjen “një ditë të madhe për Izraelin”.
“E falënderoj nga zemra presidentin Trump dhe ekipin e tij për përkushtimin në këtë mision të shenjtë për lirimin e pengjeve tona,” tha ai.
“Me ndihmën e Zotit, së bashku do të vazhdojmë të arrijmë të gjitha qëllimet tona dhe ta zgjerojmë paqen me fqinjët tanë.”
Nga ana tjetër, Hamasi tha se negociatat kanë qenë “të përgjegjshme dhe serioze”, duke bërë thirrje që Trump, shtetet garantuese të marrëveshjes dhe të gjitha palët arabe, islame dhe ndërkombëtare “ta detyrojnë qeverinë pushtuese të zbatojë plotësisht detyrimet e saj dhe të mos shmanget apo vonojë zbatimin e asaj që është dakorduar”, raporton BBC News
Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, që udhëheq lëvizjen rivale Fatah, gjithashtu e mirëpriti njoftimin e Trumpit. Ai “shprehu shpresën se këto përpjekje do të jenë një hyrje drejt arritjes së një zgjidhjeje politike të përhershme… që do të çojë në përfundimin e okupimit izraelit të shtetit të Palestinës dhe krijimin e një shteti palestinez të pavarur.”
Në një postim në ‘Truth Social’, presidenti amerikan, Donald Trump, e përshkroi marrëveshjen si “një DITË TË MADHE për Botën Arabe dhe Myslimane, Izraelin, të gjitha kombet përreth dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”
Ai falënderoi ndërmjetësit nga Katari, Egjipti dhe Turqia, që bashkëpunuan “për ta bërë këtë ngjarje historike dhe të paprecedentë realitet”.
Presidenti egjiptian, Abdul Fattah al-Sisi tha se “bota po dëshmon një moment historik”.
“Kjo marrëveshje nuk e mbyll vetëm kapitullin e luftës, por hap edhe derën e shpresës për popujt e rajonit për një të ardhme të bazuar në drejtësi dhe stabilitet,” deklaroi ai.
Një tjetër ndërmjetës kyç, Katari, në një deklaratë tha se marrëveshja “ofron shpresë për qetësi të qëndrueshme në Gaza dhe nënvizon fuqinë e ndërmjetësimit të përbashkët të bazuar në arsyen, jo në përshkallëzim”.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, e lavdëroi Trump-in për “vullnetin politik të nevojshëm për ta inkurajuar qeverinë izraelite drejt armëpushimit”.
Ai shtoi se Turqia do të “vëzhgojë nga afër zbatimin e rreptë të marrëveshjes dhe do të vazhdojë të kontribuojë në proces”.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, e përshkroi marrëveshjen si “një mundësi të jashtëzakonshme”, duke shtuar se OKB-ja do ta mbështesë “zbatimin e plotë” të saj, do të rrisë dërgimin e ndihmave humanitare dhe do të avancojë përpjekjet e rindërtimit në Gaza.
Guterres u bëri thirrje të gjitha palëve të respektojnë kushtet e marrëveshjes, përfshirë lirimin e pengjeve izraelite, respektimin e një armëpushimi të përhershëm dhe lejimin e menjëhershëm të ndihmave humanitare në Gaza.
“Vuajtjet duhet të marrin fund,” tha ai.
Average Rating