Homazhe pranë varrit të Prof. Prenk Gjetajt
Hysen Ibrahimi

Komuna Klinë, Budisalc, 31.09.2025
Prof. Prenk (Jak) Gjetaj – Intelektual i përmasave kombëtare dhe veprimtar i shquar në fushën arsimore, politike e shoqërore në Dardani
Homazhe pranë varrit të Prof. Prenk Gjetajt

Në nderim të veprës dhe kontributit të Prof. Prenk (Jak) Gjetajt, një figurë e shquar e arsimit, politikës dhe jetës shoqërore në Kosovë, Mr. Fadil Geci, Prof. Osman Ahmetgjekaj dhe z. Hysen Ibrahimi, në shoqërim të vëllezërve Pjetër dhe Anton Kola, zhvilluan homazhe pranë varrit të tij. Me këtë rast, ata vendosën buqeta me lule të freskëta në kujtim të ish-kryetarit të Komunës së Klinës dhe ish-kryetarit të Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur në Qeverinë e Republikës së Kosovës — institucion përgjegjës për evidentimin e personave të zhdukur gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë. Ceremonia u mbajt me rastin e “Ditës së të Gjithë të Shenjtërve”.

Prof. Prenk Gjetaj ndërroi jetë në moshën 76-vjeçare, në një periudhë kur ai vazhdonte të ishte i domosdoshëm për jetën publike e institucionale të Kosovës, për komunën e Klinës, për fshatin e tij të lindjes, Budisalc, si dhe për mbarë shoqërinë kosovare.
Formimi arsimor dhe veprimtaria e hershme
I lindur në një familje me tradita të theksuara atdhetare, Prof. Prenk Gjetaj u edukua në frymën e dashurisë për kombin dhe për vlerat e historisë shqiptare. Ai përfundoi studimet e larta në fushën e historisë, me qëllim të njohjes më të thellë të historiografisë shqiptare. Që në moshë të re, Gjetaj ndërgjegjësohet për padrejtësitë e regjimit komunist jugosllav ndaj shqiptarëve dhe për politikën e tij shtypëse e diskriminuese.
Pas themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) më 23 dhjetor 1989, ai, së bashku me bashkëveprimtarë si Ismet Rraci, Anton Kolaj e të tjerë, muarën iniciativën për themelimin e degës së LDK-së në komunën e Klinës (23 janar 1990), nën mbështetjen e Presidentit Dr. Ibrahim Rugova. Prof. Gjetaj dha një kontribut të jashtëzakonshëm në këtë proces dhe gëzonte respekt të veçantë brenda Kryesisë Qendrore të LDK-së, veçanërisht nga Presidenti Rugova.
Kontributi në arsim dhe kulturë kombëtare
Si pedagog dhe arsimtar i dalluar, Prof. Prenk Gjetaj kontribuoi ndjeshëm në zhvillimin e arsimit shqip në Kosovë, duke i qëndruar besnik misionit të tij për edukimin e brezave të rinj. Ai shërbeu për shumë vite si profesor historie në gjimnazin “Luigj Gurakuqi” në Klinë dhe ishte ndër të parët që dhanë mësim në lëndën e historisë në “Gjimnazin Luigj Gurakuqi” në Klinë, periudha kur arsimi kombëtar ishte nën presionin e pushtetit serbo-sllav.
Në rrethana të vështira politike, kur institucionet arsimore shqiptare detyroheshin të pranonin planprogramet serbe, Prof. Gjetaj qëndroi i palëkundur në mbrojtje të arsimit shqip. Vendosmëria e tij për të ruajtur identitetin arsimor dhe kulturor të shqiptarëve në Kosovë përbën një nga shtyllat e rëndësishme të kontributit të tij kombëtar.
Veprimtaria politike dhe institucionale
Përveç angazhimit në arsim, Prof. Gjetaj ushtroi funksione të rëndësishme politike e shtetërore. Si kryetar i Komunës së Klinës dhe më vonë si kryetar i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm në procesin e dokumentimit të krimeve të luftës dhe në evidentimin e personave të zhdukur gjatë dhe pas luftës së fundit në Kosovë.
Nën drejtimin e tij, Komisioni luajti një rol të rëndësishëm në mbajtjen gjallë të kujtesës kombëtare, në përkujtimin e viktimave dhe në ngritjen e memorialeve për nder të tyre. Ai ishte ndër zërat më të fuqishëm që kërkonte drejtësi për viktimat e luftës dhe insistonte në transparencën e institucioneve shtetërore në trajtimin e kësaj çështjeje humane dhe kombëtare.
Bashkëpunimi me mërgatën shqiptare dhe dimensioni kombëtar i veprimtarisë së tij
Prof. Prenk Gjetaj gëzonte respekt të gjerë edhe në radhët e mërgatës shqiptare në Suedi, Gjermani, Zvicër, SHBA dhe në vende të tjera të Evropës. Ai kishte krijuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi me diasporën, duke ndërtuar një rrjet të gjerë solidariteti dhe mbështetjeje për çështjen kombëtare. Sinqeriteti dhe përkushtimi i tij e shndërruan në një figurë me autoritet moral e institucional, e cila gërshetoi dimensionin intelektual me atë human e politik.
Kontributi i Prof. Prenk Jak Gjetajt në zbardhjen e së vërtetës historike ka pasur një rol thelbësor në evidentimin e personave të zhdukur gjatë dhe pas luftës së fundit në Kosovë. Ai është shquar si një nga zërat më të qëndrueshëm në kërkimin e drejtësisë për viktimat e luftës, duke theksuar vazhdimisht domosdoshmërinë e transparencës institucionale dhe të dokumentimit të saktë të fakteve historike.
Përveç kësaj, Prof. Gjetaj ka qenë një ndër iniciatorët kryesorë të përkujtimit të viktimave shqiptare të vrara nga pushtuesi serbo-sllav. Nën drejtimin e tij janë zhvilluar një sërë aktivitetesh për nderimin e viktimave të luftës, përfshirë ceremonitë përkujtimore dhe ngritjen e memorialeve që ruajnë kujtesën e tyre kolektive. Falë përkushtimit të tij, çështja e personave të zhdukur është mbajtur në qendër të agjendës institucionale dhe kombëtare, duke u trajtuar si një detyrim moral dhe shtetëror.
Prof. Prenk Jak Gjetaj është vlerësuar lart nga bashkëkohësit, si brenda vendit ashtu edhe në mërgatë, për integritetin moral dhe përkushtimin e tij të palëkundur ndaj çështjes kombëtare. Ai është perceptuar si një atdhetar i devotshëm dhe njeri me ndershmëri të lartë, i cili ka vepruar në funksion të interesit publik dhe drejtësisë historike, pa u udhëhequr nga përfitime personale apo politike.
Në veprimtarinë e tij intelektuale e institucionale, Prof. Gjetaj ka dhënë një kontribut të çmuar në ruajtjen e kujtesës kolektive të shqiptarëve. Ai ka marrë pjesë në konferenca shkencore, botime dhe nisma kulturore që synojnë të forcojnë identitetin kombëtar dhe të dokumentojnë periudhat e errëta të historisë sonë.

Të gjithë, në mënyrë unanime — Mr. Fadil Geci, Prof. Osman Ahmetgjekaj, z. Hysen Ibrahimi, si dhe Pjetër dhe Anton Kola — ishim të një mendimi se prof. Prenk (Jak) Gjetaj ka qenë dhe mbetet një intelektual i përmasave kombëtare, si dhe një veprimtar i shquar në fushën arsimore, politike dhe shoqërore në Dardani.
Kujtimi i Prof. Prenk Jak Gjetajt do të mbetet i paharruar, si shembull i përkushtimit ndaj së vërtetës, drejtësisë dhe atdheut.

                                        
                                        
Average Rating