 
        			
		Kosovë: Qeveria në detyrë miraton Projektbuxhetin 4 miliardësh, rriten pensionet
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë në detyrë e drejtuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është miratuar Projektbuxheti për vitin 2026 me vlerë prej 4 miliardë eurosh, nga të cilat 1 miliard euro janë të dedikuara për investime kapitale.

Kryeministri në detyrë tha se ky buxhet përfshin një sërë risish që synojnë përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve dhe forcimin e qëndrueshmërisë fiskale të shtetit. Një nga risitë kryesore sipas tij është dhënia e pagës së 13-të për të gjithë punonjësit e sektorit publik që kanë punuar së paku 12 muaj gjatë vitit.
“Kushdo që punon së paku 12 muaj në sektorin publik me qeverinë tonë, në fund të vitit do të mund ta përfitojë pagën e 13-të”, tha Kurti.
Në këtë buxhet është përfshirë edhe rritja e pagës bazë me 0.5% për çdo vit përvojë pune, për dallim nga praktika e mëhershme kur për 15 vitet e para zbatohej rritje prej vetëm 0.25% për çdo vit përvojë. Kjo, sipas Kurtit, përkthehet në rritje të ndjeshme të pagës për çdo të punësuar në sektorin publik.
Kurti ka theksuar se projektbuxheti për vitin 2026 parasheh gjithashtu rritje të pensioneve, shtesave për fëmijë dhe lehona, si dhe pagesa shtesë për të rinjtë dhe gratë që angazhohen përmes platformës “Superpuna”. Ai përfshin gjithashtu përfundimin e reformës së asistencës sociale dhe rritje të mbështetjes për familjet dhe grupet në nevojë.
“Me këtë buxhet rritet mbështetja për barnat esenciale, por njëkohësisht edhe për kulturën dhe sportin. Po ashtu, do të ketë rritje të ndihmës për ndërmarrësit, për sektorin privat dhe për bujqit, si dhe më shumë investime në infrastrukturë publike”, u shpreh kryeministri në detyrë.
Kurti theksoi se përveç përmbajtjes zhvillimore, ky buxhet siguron qëndrueshmërinë dhe vijimësinë e shtetit dhe zhvillimin e tij.
“Megjithëse jemi qeveri në detyrë, përmes Ligjit për Qeverinë, kuvendi ka paraparë që edhe në situata të tilla ku formimi i institucioneve mund të zgjasë më shumë se sa që duhet, shteti vazhdon funksionimin. Konkretisht paragrafi 5 i nenit 31 të ligjit e parasheh që edhe qeveria, e cila ka përfunduar mandatin e plotë, siç është rasti me ne, mund të propozoj buxhetin vjetor para kuvendit siç është përcaktuar në paragrafin 2 të po këtij neni”, tha Kurti.
Prandaj, theksoi tutje Kurti, “sot si qeveri përveç se po zbatojmë një detyrim ligjor për sa i përket respektimit të afateve për miratim të ligjit të buxhetit, gjithashtu po kryejmë obligimin tonë si qeveri në detyrë që shteti të mos mbetet pa buxhet”.
Kryeministri në detyrë tha se tani i takon Kuvendit dhe të gjithë deputetëve nga të gjitha subjektet politike që këtë buxhet ta miratojnë para se të shkohet në zgjedhje të reja, në mënyrë që të sigurohet vazhdimësia e shtetit dhe të mos ndeshemi me situata ku shteti nuk ka buxhet të miratuar.
Në këtë mbledhje, Kurti bëri të ditur edhe disa vendime me ndikim të menjëhershëm ekonomik e social. Nga muaji nëntor, pensioni minimal do të rritet nga 120 në 150 euro, duke përfshirë rreth 200 mijë pensionistë në kategori të ndryshme, përfshirë ata me aftësi të kufizuara dhe përfituesit e pensioneve familjare e invalidore të punës.
Lajm të mirë, Kurti e vlerësoi edhe rritjen e shtesave të fëmijëve, të cilat rriten për 50 përqind, duke nisur nga muaji nëntor. “Një nënë me dy fëmijë që deri tash ka marrë 40 euro, nga muaji i ardhshëm do të marrë 60 euro. Një nënë me katër fëmijë që ka marrë 120 euro, nga nëntori do të marrë 180 euro në muaj”, tha Kurti.
Gjithashtu, Ministria e Financave ka propozuar edhe rritjen e pagës minimale, që pritet të ndikojë pozitivisht për rreth 150 mijë të punësuar në sektorin privat. Qeveria miratoi rritjen e saj në dy shkallë. Nga 1 janari paga minimale do të jetë 425 euro, kurse nga 1 korriku 2026 ajo do të bëhet 500 euro.
Qeveria miratoi edhe dërgimin në Kuvend të buxheteve komunale për vitin 2025 për Prishtinën, Gjilanin dhe Zubin Potokun, në mënyrë që këto komuna të mund të shfrytëzojnë buxhetin e ri dhe të mos vazhdojnë të operojnë me buxhetet e vitit 2024, çka sipas Kurtit u kishte shkaktuar vështirësi në realizimin e projekteve komunale.
Krasniqi: Qeveria në detyrë po tenton të blejë vota
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar pas miratimit të buxhetit për vitin 2026 nga qeveria në detyrë, duke e quajtur këtë veprim një tentim për blerje votash dhe mashtrim elektoral.
Në reagimin e tij në Facebook, Krasniqi ka thënë se “thesi i mashtrimeve të një ‘babadimri’ që kurrë s’erdhi për qytetarët e Kosovës, sado që premtoi çdo vit për pesë vjet, s’mundet me e rikthy besimin e humbur të qytetarëve e as nuk mund të arrijë qëllimin e blerjes së votës për balotazh dhe për zgjedhje parlamentare”.
Ai ka theksuar se të gjitha premtimet që u dhanë sot në mbledhjen e fundit të qeverisë Kurti “s’u bënë pesë vjet me radhë” dhe ka paralajmëruar se ato do të realizohen vetëm nga një qeveri e re.
“Krejt ato që sot u thanë në mbledhjen e fundit të kësaj qeverie, e që s’u bënë pesë vjet me radhë, do të bëhen: më mirë, më shumë e më shpejt, por me qeverinë e ardhshme, pa Albin Kurtin e pa Vetëvendosjen”, ka shkruar Krasniqi.
LDK: Miratimi i buxhetit nga qeveria në detyrë, akt i paprecedent politik
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar pas miratimit të buxhetit për vitin 2026 nga qeveria në detyrë, duke e cilësuar këtë veprim si një akt të paprecedent politik dhe institucional, që sipas saj përbën përpjekje për “blerje votash dhe manipulim të procesit zgjedhor”.
Në reagimin e publikuar në faqen zyrtare në Facebook, LDK ka theksuar se ky vendim është marrë nga një “qeveri pa mandat dhe pa legjitimitet” vetëm pak ditë para mbajtjes së balotazhit të zgjedhjeve komunale dhe zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
“Në objektin e Qeverisë, një grup deputetësh që sillen edhe si ekzekutiv, në kundërshtim me Kushtetutën dhe me aktgjykimet e fundit të Gjykatës Supreme, kanë miratuar një dokument pa vlerë juridike”, thuhet në reagim.
Sipas LDK-së, një veprim i tillë përbën “uzurpim të kompetencave shtetërore dhe keqpërdorim flagrant të buxhetit publik për interesa të ngushta partiake”.
“Asnjë qeveri në detyrë nuk mund të marrë vendime kaq madhore e afatgjata që prekin rëndë stabilitetin financiar dhe të ardhmen e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka theksuar LDK.
Në reagim thuhet se përdorimi i buxhetit të shtetit si instrument elektoral është “i papranueshëm”, ndërsa çdo tentim për të shfrytëzuar mjetet publike për përfitime politike “cenon besimin e qytetarëve në procesin demokratik dhe integritetin e zgjedhjeve”.
“Asnjë euro e buxhetit nuk mund të shndërrohet në mjet për blerje votash, asnjë plan financiar nuk mund të shërbejë si mburojë për dështimet qeveritare”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e partisë.
Gjithashtu, LDK bën thirrje për përgjegjësi institucionale dhe qeverisje transparente, duke theksuar se mirëqenia sociale dhe zhvillimi ekonomik duhet të bazohen në politika të qëndrueshme e jo në “spektakle populiste të orëve të fundit”.
“Kosova meriton institucione të ndershme, qeverisje me përgjegjësi dhe transparencë, jo improvizime të dëshpëruara dhe keqpërdorim të parasë publike”, përfundon reagimi i LDK-së.
Haradinaj: Kjo rritje është dashur të ndodhë para shumë vitesh
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas vendimit të qeverisë në detyrë ku ka miratuar Projektbuxhetin për vitin 2026 me vlerë prej 4 miliardë eurosh dhe ka bërë rritjen e pensioneve dhe pagës minimale.
Haradinaj e ka quajtur vendim të vonuar që sipas tij kjo rritje është dashur të ndodhë para shumë vitesh.
“Shumë vonë, shumë pak. Marre! Kjo rritje është dashur të ndodhë para shumë vitesh”, ka shkruar Haradinaj.
Haradinaj tutje ka thënë se në takimin e parë të qeverisë tyre, pensioni bazik do të jetë 200 euro, ndërsa paga minimale do të jetë 600 euro.
“Shtesat për të gjithë fëmijët nga 0–16 vjeç do të kenë rritje të konsiderueshme. Nënat me dy fëmijë do të marrin 100 euro, ndërsa nënat me katër fëmijë do të marrin 300 euro në muaj”, ka thënë ai.
OVL-UÇK reagon për mospërfshirjen e veteranëve në rritjen e pagave
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka reaguar ndaj deklarimeve të sotme të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë, ku ai foli për rritje të pensioneve dhe pagave, por, si thonë ata, nuk përmendi fare pensionet e veteranëve të luftës.
Në reagimin e saj, OVL-UÇK thekson se në një kohë kur vendi po shkon drejt zgjedhjeve, qeveria në detyrë po përpiqet të krijojë përshtypje pozitive për qytetarët me premtime për rritje që nuk mund të realizohen pa miratimin e buxhetit nga Kuvendi. Megjithatë, veteranët e UÇK-së, sipas organizatës, u anashkaluan qëllimisht.
“Kjo është dëshmi e qartë se diskriminimi ndaj atyre që sakrifikuan më së shumti për lirinë e Kosovës po vazhdon. Në vend që të përmirësohet trajtimi dinjitoz për veteranët, qeveria në largim po tenton t’i harrojë ata plotësisht, madje edhe në momentet e fundit të mandatit”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.
Organizata kërkon që çdo qeveri e ardhshme të respektojë të drejtën ligjore të veteranëve, duke përfshirë pensionet e tyre në rritjen e pagës minimale, një e drejtë që, sipas OVL-UÇK-së , “u mohua padrejtësisht nga qeveria Kurti me ndihmën e Listës Serbe”.
/RTK/

 
                                        
Average Rating