LIBËR ME VLERA TË LARTA STUDIMORE
Hysen Ibrahimi
Suedi, Förslöv, 16.01.2026
Titulli: “Kritika letrare – Vlerësime, trajtesa” (2026)
Autori: Prof. Fetah Bahtiri

Sot doli nga shtypi libri më i ri i autorit Fetah Bahtiri, me titull “Kritika letrare – Vlerësime, trajtesa”, një vepër që përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në fushën e kritikës dhe reflektimit letrar bashkëkohor shqiptar. Libri është botim i Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni” dhe revistës “Dituria”, Borås, Suedi, dhe përfshin gjithsej 107 faqe.
Kjo vepër vjen si vazhdimësi tematike dhe konceptuale e librit të mëparshëm të autorit, “Reflektime”, botuar para katër vitesh. Ngjashmëria ndërmjet dy librave qëndron në orientimin e tyre drejt kritikës letrare, recensioneve, vlerësimeve dhe trajtesave për vepra të ndryshme artistike, si dhe në reflektimet mbi ngjarje letrare e kulturore, të cilat autori i trajton me ndjeshmëri dhe përgjegjësi intelektuale.

“Kritika letrare – Vlerësime, trajtesa” është libri i tridhjetë me radhë i Fetah Bahtirit, një autor i dëshmuar si shkrimtar, përkthyes dhe bashkautor, i cili me një përkushtim të vazhdueshëm ka ndërtuar një opus të pasur dhe të larmishëm krijues. Shfletimi i kujdesshëm i librit dëshmon se kemi të bëjmë me një përmbledhje kritikash letrare, recensionesh, vlerësimesh dhe opinionesh, të ndërtuara mbi një bazë solide teorike dhe me një precizitet të dukshëm analitik.
Duke qenë se Kosova zë një vend të veçantë në ndjeshmërinë intelektuale dhe atdhetare të autorit, libri hapet domethënësisht me reflektimin “Kosova – shtet me katër vula”, ku artikulohet një qasje kritike dhe reflektuese ndaj realitetit historik e politik të vendit.
Në këtë vëllim, Fetah Bahtiri trajton dhe vlerëson vepra të një spektri të gjerë autorësh, ndër të cilët veçohen: Adem Zejnullahu (E verdhësi), Halit Barani (Tmerri i dokumentuar), Qerim Kryeziu (Shqiptarët në retrokthesën nordike – Veprimtaria kulturore e mërgatës shqiptare në Suedi), Hysen Ibrahimi (Mërgata për arsimin në vendlindje – Shupkovc, Zasellë, Kçiq i Vogël), Avdyl Uka (Përjetimet e mia), Xhavit Çitaku (Ëndrra të thyera, roman; Dëshmitar brenda në ferr, roman), Hyrë Tejeci (Dielli i jetës – Rrëfim i një nëne hasjane), Islam Islami (Unë, biri i Oshlanit heroik), Zeqir Kurti (Vargje nëpër kohë, poezi), Albina Ibrahimi dhe Teuta Zeneli (Balkans vegetariska matbord), Bajram Muharremi – Bistrica (Nëpër shtigjet e jetës sime – Kosovë–Suedi; Mbi krahë të ëndrrës, poezi), Albulena Miftari (Jeta e mërgimtarit), Milazim Kajtazi (Shiu i mallit), Skënder Osmani (Oshtimë valësh), etj.
Si një ndër studiuesit më të përkushtuar të jetës dhe veprimtarisë së albanologut suedez Ullmar Qvick, Fetah Bahtiri sjell në këtë libër edhe pikëpamje dhe vlerësime të rëndësishme për figurën dhe kontributin e tij, duke e vendosur atë në kontekstin e studimeve albanologjike në Skandinavi.
Vëmendje të veçantë meritojnë edhe dy opinione kushtuar dy personaliteteve të njohura: Avdyl Ukës, i cilësuar si një hero i gjallë që mbrojti pragun e shtëpisë në ditët më të vështira për Kosovën, si dhe Mursel Ibrahimit, ish-kryetar i Komunës së Mitrovicës, për të cilin autori zbulon se ka qenë nxënës i tij në Shkollën Normale “Hasan Prishtina” në Mitrovicë. Për Avdyl Ukën, autori përfshin edhe poezinë “Ia fal përjetësisë”, si dhe një ode kushtuar Halit Baranit, duke ndërthurur kështu diskursin kritik me shprehjen poetike.

Në përfundim, mund të thuhet se libri Kritika letrare – Vlerësime, trajtesa i Fetah Bahtirit përbën një pasuri të çmuar për çdo bibliotekë, pasi ofron vlerësime të thelluara për vepra me rëndësi dokumentare, që pasqyrojnë segmente të rëndësishme të historisë kulturore dhe letrare shqiptare, veçanërisht në kontekstin e mërgatës.
Për këtë arsye, autori meriton përgëzime për këtë kontribut me vlera të qëndrueshme studimore, i cili u shërben jo vetëm lexuesve të sotëm, por edhe brezave që vijnë.
Krejt në fund, mund të them se libri Kritika letrare – Vlerësime, trajtesa i Prof. Fetah Bahtirit përfaqëson një kontribut të çmuar në fushën e studimeve letrare shqiptare, duke ofruar një qasje të strukturuar, analitike dhe metodologjikisht të qëndrueshme ndaj veprave dhe autorëve të ndryshëm. Vepra dëshmon po ashtu pjekuri shkencore, ndjeshmëri estetike dhe përgjegjësi akademike, duke e vendosur autorin në radhën e studiuesve të përkushtuar të kritikës letrare bashkëkohore.
Ky botim afirmon rolin e kritikës si urë lidhëse ndërmjet tekstit letrar dhe lexuesit, si dhe si instrument i domosdoshëm për interpretimin, vlerësimin dhe arkivimin e trashëgimisë kulturore dhe letrare shqiptare, veçanërisht në kontekstin e krijimtarisë në atdhe dhe në mërgatë.

Average Rating