Mbahet protesta `Jo në emrin tim` në Prishtinë
Ka përfunduar protesta “Jo në emrin tim” në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, e organizuar nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në protestë morën pjesë mijëra qytetarë, të cilët kërkuan drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.

(E plotësuar, ora 17:20) Po mbahet protesta “Jo në emrin tim” në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, e organizuar nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Haziri iu drejtohet rinisë: Hallall ju qoftë gjaku i babait tim
I biri i dëshmorit Xhavit Haziri i cili njëkohësisht është një nga organizatorët e protestave, Çlirim Haziri, u ka thënë të rinjve prezentë se e bën hallall gjakun e babait, i cili ende vazhdon të jetë i zhdukur.
Gjatë fjalimit të tij ai iu drejta rinisë së vendit, duke u thënë se ata janë rritur në liri dhe kjo e bën që të mos e ndjejnë frikën kur bëhet padrejtësi.
“Ju jeni brezi qe keni fitoren me të freskët. Ndoshta pikërisht për këtë, kjo rini nuk e ndjeni përkuljen, frikën dhe heshtjen kur mendon që po i bëhet padrejtësi vendit të vet sepse ju nuk jeni rritur në robëri, por jeni rritur në liri. Si djali i një njeriu që dha jetën për këtë vend ju them: Rini e Kosovës, hallall ju qoftë gjaku i babës tem sepse kur iu shoh të lirë e në këmbë, duke mos harruar se nga erdhi kjo liri, e kuptoj se sakrifica e tyre jeton tek ju”, ka thënë ai.
“Unë nuk e pata fatin për ta pyetur babain tim se çka bane babë kur u shkel dinjiteti i Kosovës, por ma tregoi gjaku i tij. Mungesa e tij por ma tregoi liria në të cilën u rrita. Sot ata janë në Hagë e sot drejtësia duhet të flasë me prova, ligj dhe standarde të drejta. Ndërkohë që ata po mbahen atje, një propagandë e heshtur po zvarritet si krimb në opinionin tonë”, ka shtuar Haziri.





Protestuesve iu drejtua edhe deputeti i Parlamentit Studentor Granit Spahiu, i cili kujtoi sakrificat e studentëve të Kosovës, për liri dhe pavarësi. Spahiu tha se historia nuk mund të rishkruhet. Ai theksoi se liria s’erdhi vet. “Nuk e harrojmë sakrificën dhe nuk heqim dorë nga drejtësia kurrë”, tha ai para të pranishmëve. “Nga këtu iu themi gjyqtarëve në Hagë “JO NË EMRIN TONÊ”, u shpreh Spahiu.
Haradinaj: Ndërkombëtarë që na ndihmuat në luftë, na tradhtuat – kthejeni besimin
Para protestuesve të mbledhur në shesh, Ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka mbajtur një fjalim, duke bërë thirrje për drejtësi, bashkim dhe përgjegjësi institucionale.
Ai u është drejtuar deputetëve të Kuvendit, ndërsa më pas ka adresuar mesazhe edhe ndaj ndërkombëtarëve.
Ai ka mbajtur fjalim para protestuesve në shesh, duke kërkuar drejtësi. Në fjalimin e tij, Haradinaj iu drejtua 100 deputetëve, duke kërkuar nga ta bashkim dhe përgjegjësi. “Unë nuk do të marr shumë kohë këtu. Dy gjëra i kam. E para, ju 100 deputetët që jeni atje, të 100-tit, secili me përgjegjësinë e vet dhe me peshën që ka kërkuar vetë me u ngarku, qoftë të votës, qoftë të premtimeve, ju thërrasim për bashkim! tha Haradinaj. Ai më pas iu drejtua ndërkombëtarëve, duke thënë se besimi ndaj tyre ishte dhënë për shkak të mbështetjes që, sipas tij, i kishin dhënë luftës së UÇK-së. “Ndërsa ndërkombëtarët, që ju besuam sepse i patëm bindur të na ndihmojnë në luftën e UÇK-së dhe bashkë të fitojmë. Ata u ndanë pa viktima sepse ne na kishin këtu. Ata morën mburrjen, ne morëm lirinë. Por tani ju themi: Na keni tradhtuar dhe na ktheni besimin! Kthenani besimin sepse do t’ju vijë keq juve dhe neve!”, deklaroi ai.
Mavraj: Pa UÇK-në s’do të bëheshim kurrë shtet
(E plotësuar) Një nga ish-liderët studentorë të protestave të tetorit 1997, Muhamet Mavraj, ka kujtuar me mirënjohje studentët e profesorët që ndër vite kanë rezistuar për çështjen kombëtare.
“Pa arsimin shqiptar dhe pa UÇK-në kurrë s’do të bëheshim shtet. I tërë kombi, të gjitha rrymat, të majtë e të djathtë, dashamirë e jo dashamirë, mësues, arsimtar, profesorë, dekan e mbarë populli i bën bashkë sepse dolën mbi dallimet tona dhe ishin shumë e jo pak”, tha ai.
Vajza e Lec Gradicës kërkon drejtësi për krerët e UÇK-së: Lufta jonë ishte e drejtë
Vajza e dr. Lec Gradicës, doktoresha, Lavdije Leci, ka kërkuar drejtësi për katërshen e UÇK-së që po mbahen në Hagë, duke thënë se lufta e UÇK-së ishte luftë e drejtë, çmimi për të cilën popullit të Kosovës po i kushton ende.
Gjatë fjalës së saj në protestën gjithëpopullore të së enjtes në sheshin Skënderbeu, ajo ka thënë se liria është e drejtë themelore e çdo njeriu, për të cilën tha se ka rënë edhe babai i saj.
“Ende po orvatemi t’i dëshmojmë gjithë botës se lufta e UÇK-së ishte një luftë e drejtë. Liria është e drejta themelore e çdo njeriu në botë. Ndërsa neve shqiptarëve na u desh që të paguajmë aq shumë. Ky çmim duket aq i lartë sa neve po na kushton ende. Edhe babi si shumë liridashës iu përgjigj kushtrimit të atdheut me të vetmin qëllim, lirinë e vendit tonë. Duam drejtësi për familjet tona, duam drejtësi për çlirimtarët”, ka thënë ajo.
Syla: Liria e Kosovës s’është njollë për t’u fshirë, por monument për t’u nderuar
“Ne nuk kërkojmë favore, por drejtësi të pastër si loti se nuk ka gjykatë në këtë rruzull tokësor që mund ta zhbëjë të vërtetën e pastër të gjakut tonë për liri. Liria e Kosovës nuk është njollë për t’u fshirë por monument për t’u nderuar, çdo përpjekje për ta njollosur atë është goditje ndaj vet themeleve të paqes dhe dinjitetit njerëzor”, tha Gazmend Syla, përfaqësues i OVL – UÇK.


Tasholli: Sot Kosova ka një mesazh, ‘Jo në emrin tonë’ | LIVE
(E plotësuar) Përfaqësuesi i platformës qytetare, “Liria ka emër”, Ismail Tasholli nga protesta që bëri bashkë mijëra qytetarë si kundërshtim për aktgjykimin dënues ndaj katërshes së UÇK-së, tha se gjithë Kosova sot thotë: Jo në emrin tonë.
“Jemi bërë bashkë për të çuar një mesazh shumë të rëndësishëm. Nuk jemi bërë bashkë për shkak të partive politike, sot jemi bërë bashkë për ju. Sepse varri i dëshmorit nuk ka parti politike dhe liria nuk ka parti politike”, ka thënë ai.
“Është po ky shesh që në ’81-tën poashtu ngriti në këmbë të reja e të rinj për atë çka e besojnë, për të artikuluar atë çka e synojnë. Është po ky shesh që na ka bërë bashkë edhe në vitet e ‘90ta. E sot si në të gjitha kohërat, si në tetorit e 97-ës, simbolikën e rinisë kur është i gatshëm me fol për atë që nuk pajtohet dhe të sakrifikojë gjithçka për atë që synohet. Sot jemi në sheshin e Kosovës, Kosova e shqiptarët kudo që janë e kanë një adresë dhe një mesazh sot: Jo në emrin tonë”,

Average Rating