Sot ka ndrrue jetë 103 vjeçari Haxhi Beqë Sylaj i Gjakovës, veteran e invalid i Luftës së Dytë Botërore

Read Time:5 Minute, 17 Second

Nga Ramiz LUSHAJ

Sot ka ndrrue jetë mbi 103 vjeçari Haxhi Beqë Syla nga Shishmani i Gjakovës, me banim edhe në lagjen “Dardani” (Piskot) të qytetit të Gjakovës, veterani e invalidi i Luftës së Dytë Botërore, specialisti i shquar i lapsit të ekonomistit financiar, me një familje atdhetare e me kontribute për Lirinë, Pavarësinë e Shtetësinë e Kosovës, i Ftuar i Nderit më i moshuari në “Takimi i Gjakovës, 2021”, në “Takimi i Madh i Prishtinës, 2022” dhe në “Takimi i Madh i Tiranës, 2023”.

Veterani i Luftës së Dytë Botërore, Haxhi Beqë Syla, ishte luftëtar pjesmarrës deri në “Frontin e Sremit”, ku dhe mbeti i plagosur përjetësisht nga një shtangie-mbërdhirje muskuli në dorën e djathtë prej ngricave të dimrit të acartë të vitit 1945.

103 vjeçari Haxhi Beqë Sylaj e kishte një bibliotekë të vogël në shtëpijat e tij, lexonte pothuaj çdo ditë libra, i lexonte edhe pa syze. Lexonte pothuaj çdo ditë deri në 70-80 apo dhe mbi 100 faqe libri dhe në kuvendime odash apo tavolina kafeje fliste për përmbajtjen e tyre, etj. Ai, gjatë jetës së tij, nga rinia nëpër luftëra e deri tek pleqëria në paqe shtetndërtimi të Republikës së Kosovës, i ka (ri)lexuar Fishtën (me “Lahuta e Malcisë” e “Mrizi i Zanave” etj.), “Lulet e verës” të Naim Frashërit e plot vepra të Vëllezërve Frashëri, Asdrenin, Çajupin, si dhe Nolin e Konicën…me qindra libra, deri tek veprat më të reja të Jusuf Buxhovit si vepra disavëllimshe “Kosova” apo vepra e Adem Lushajt “Krimet Serbe në Kosovë. Rasti i Deçanit” (këto dy vepra të Buxhovit e Lushajt të sponsorizuara e botuara nga humanisti e botuesi shqiptaro-amerikan Ramiz Tafilaj i Kosovës e Teksasit në Amerikë).

Veterani Haxhi Beqë Syla, gjatë vitit 2021 e ka lexuar dy herë librin e Presidentit Amerikan Joe Biden me titull “Premtomë, baba” (“Neë York Times Bestseller”), i botuar në shqip nga Shtëpia Botuese “Pema” në Kosovë, më 2020. Kur erdhi në “Takimi i Madh i Tiranës, 2023” e mbante në dorë këtë libër, duke e shpalosur dukshëm para mbi 300 të Ftuarëve të Nderit nga e gjithë bota shqiptare.

103 vjeçari Haxhi Beqë Sylaj i Gjakovës ishte një mjeshtër i mirë në përdorimin e çiftelisë, sidomos me sinkopa (lojë gishtash mbi perdet e instrumentit popullor), sikur të ishte Artisti i Popullit, i ndjeri Ndue Shyti i Pukës, ku të preferuarit e tij ishin artistët emërmëdhenj Maxhun Fazlia, Dervish Shaqa, Demush Neziri, Lan Dobra e të tjerë.

103 vjeçari Haxhi Beqë Sylaj i Gjakovës ishte dhe një këngëtar i mirë, i cili ka kënduar gjithë jetën e tij për vete e për të tjerët, gjithëherë e gjithkund, sidomos i kishte ma për qejf disa kangë si “Kënga e Halil Gashit” që kur e dëgjoje kujtoje se po e këndonte me të vertëtë artisti i mirënjohur Maxhun Faslia i Kosovës dardane.

            Haxhi Beqë Sylaj i Gjakovës ishte lexuesi më i moshuar i “Gazeta e Alpeve”. Në pesë vite ishte i abonuar i saj, ku dy vitet e fundit me interesim të biznesmenit humanist Ram Geci në Tiranë (në kuadrin e 10 abonimeve që i kreu për Shoqatën “Drini” në Gjakovë). Njiherit ishte edhe i abonuari ma i moshuar. Në një intervistë në një televizion të Kosovës (2022) thoshte duke qeshur me shpirt se “Gazetën e Alpeve ma bjen Shqypnia në shpinë teme”. Numrin e fundit të “Gazeta e Alpeve”, numrin 96, e mori para një jave, pasi ia dërgoi në shtëpinë e tij, miku i tij i mirë, Halil Ahmeti i Gjakovës, Drejtor i “Gazeta e Alpeve” për Kosovën. Nga Takimet/Kuvendet tona janë nderuar me “Mirënjohje” edhe 103-vjeçari Haxhi Beqë Sylaj, edhe miku i tij më i afërt, përditor në kafet e mëngjeseve, Ahmeti Krasniqi i Gjakovës. Nga një vizitë në shtëpinë e tij unë ruaj kutimet më të mira.

            Veterani e invalidi i LDB, 103 vjeçari Haxhi Beqë Sylaj i Gjakovës, ishte më i moshuari në përkujtimin e 80 vjetorit të Konferencës së Bujanit, në dhjetor 2023, organizuar nga Shoqata e Intelektualëve “Jakova” dhe Organizata e Veteranëve të LANÇl- Dega Gjakovë. Ishte dhe në Takimin e Fundvitit 2023 të Shoqatës “Drini”, Gjakovë-Shkodër, shoqatë që ka dy dekada lobim për Korridorin Adriatik-Alpe, për Rrugën Bregut të Drinit. Askush nuk e dinte dhe as nuk e besonte se këto do të ishin dy veprimtaritë e fundit të tij. Veçse e parandjemë ikjen e tij kur nuk mundi të vinte në “Takimi i Madh i Prishtinës, 2024” për shkak të përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore.

            Nesër, me 1 korrik 2024, ora 15.00, do të jetë Përcjellja e tij mortore për në Varrezat e qytetit të Gjakovës, ku do të nderohet me kortezhe pjesmarrje, me kurora e buqeta me lule, nga qindra e qindra vetë, personalitete të larta shtetërore, veteranë të luftërave, bashkëvendas e miq të tij, familjarët e të afërmit e tij, duke i dhanë lamtumirën e fundit me plot dinjitet e shumë mosharresë, se po na ikën një nga veteranët e invalidët më të moshuar të Luftës së Dytë Botërore.

_________

Teksti i fotove ilustruese të shkrimit:

1.- Veterani e invalidi i LDB, Haxhi Beqë Sylaj nga Gjakova, duke e përshendetur “Takimin e Madh të Prishtinës”- Takim PanShqiptar-NdërBallkanik-EuroAtlantik të 13 Majit 2022. (Në sfond, i shoqëruar nga miku i tij i afërt, Ahmet Krasniqi i Gjakovës).

2.- 100 vjeçari Haxhi Beqë Syla në “Takimi PanShqiptar i Gjakovës”, 24 qershor 2021, në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” të Gjakovës.

3.- Veterani Haxhi Beqë Syla me vepren madhore disavëllimshe “Kosova” të Jusuf Buxhovit dhe me “Gazeta e Alpeve” e botime të tjera.

4.- Veterani Haxhi Beqë Syla duke e lexuar librin e Presidentit Amerikan Joe Biden me titull “Premtomë, baba” (“New York Times Bestseller”), i botuar në shqip nga Shtëpia Botuese “Pema” në Kosovë, më 2020. (Foto nga Halil Ahmeti. Qershor 2021).

5.- Veterani e invalid ii LDB, Haxhi Beqë Sylaj i Gjakovës në “Takimi i Madh i Tiranës, 2023”.

6.- Veterani e invalidi i LDB, Haxhi Beqë Sylaj i Gjakovës, ishte i abonuar në “Gazeta e Alpeve” në pesë vite, e lexonte atë pa syze deri në kohët e fundit të jetës së tij. 

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %

Average Rating

5 Star
0%
4 Star
0%
3 Star
0%
2 Star
0%
1 Star
0%

Leave a Reply

Previous post Euro 2024: Zvicra, Gjermania, Spanaj dhe Anglia në çerekfinale
Next post Demokraci apo Autokraci:<br>Kё do zgjedhim?