
Votat e diasporës ia shtuan një deputet LVV-së e ia hoqën një PDK-së
Votat e diasporës i kanë ndryshuar rezultatet e partive politike. Pas përfundimit të numërimit të tyre, Vetëvendosje e ka fituar një deputet më shumë duke shkuar në 48, ndërkaq PDK ka rënë për një deputet, në 24 gjithsej. LDK e AAK i kanë ruajtur mandatet, 20 njëra e 8 tjetra. Nga votat e diasporës, Vetëvendosje fitoi shumicën e LDK-ja doli e dyta
Me rezultatet aktuale kur votave të rregullta u janë shtuar 76 mijë votat e numëruara të diasporës, Vetëvendosje ka marrë 42.28 për qind të votave të 9 shkurtit, PDK 20.96 për qind, LDK 18.43 për qind e AAK dhe Nisma 7.08 për qind. Numërimi i votave të diasporës ku përfshihet votimi me postë dhe ai në përfaqësitë diplomatike, e ka ndryshuar ndarjen e ulëseve të partive politike në Kuvend. Nga 47 deputetë sa i fitoi me vota të rregullta, LVV-ja është rritur për një deputet me votat e mërgatës, ndërkaq PDK-ja ka rënë për një deputet më pak, në 24. LDK do t’i ruaj 20 ulëse që i fitoi me votat e rregullta e njësoj edhe AAK-Nisma, 8 ulëse.
Nga votat e diasporës, Vetëvendosje fitoi 58 për qind të tyre, LDK doli e dyta me 26 për qind, PDK e treta me 9 për qind dhe AAK me 3 për qind. Votat e diasporës përveç rezultateve të subjekteve politike kanë ndikuar edhe në garën e kandidatëve brenda partive. Deputetja e 48-të e Vetëvendosjes do të jetë Rozeta Hajdari, që pa u numëruar votat nga jashtë, kishte mbetur 7 vende larg mandatit të deputetes. Në LDK, kandidati Hysen Çekaj, që me votat e rregullta brenda Kosovës ishte radhitur i 29-ti dhe nuk kishte arritur të fitojë ulëse në Kuvend, me votat e diasporës, ka dalë kandidati i 11-të më i votuar brenda partisë. Çekaj ka marrë vota nga diaspora më shumë sesa ka marrë në Kosovë. Në PDK e AAK, votat e diasporës nuk kanë krijuar lëvizje të mëdha.
Me këto rezultate aktuale ku nuk përfshihen votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta, jashtë Kuvendit do të mbesin 40 deputetë të legjislaturës së kaluar, pa përfshirë pakicat serbe dhe joserbe.
Në LVV nuk janë rizgjedhur 18 deputetë; Adnan Rrustemi, Gani Krasniqi, Gramos Agusholli, Agon Batusha, Ardian Gola, Luan Aliu, Alban Bajrami, Nijazi Isaku, Vendenis Lahu, Nasuf Bejta, Shqipe Isufi, Enver Dugolli, Mirsad Shkreta, Mirlinda Tishukaj, Milazim Salihaj, Enver Haliti, Hidajet Hyseni, Jetmire Vrenezi.
Në PDK nuk arritën të rifitojnë mandate 8 deputetë; Rashit Qalaj, Bekim Haxhiu, Hajdar Beqa, Xhavit Haliti, Floretë Zejnullahu, Hisen Berisha, Isak Shabani, Ardian Kastrati.
Jashtë Kuvendit do të jenë edhe 6 deputetët e LDK-së; shefi i grupit parlamentar Arben Gashi, pastaj Driton Selmanaj, Valentina Bunjaku, Vlora Dumoshi, Rrezarta Krasniqi e Drita Millaku.
As në AAK nuk i morën sërish mandatet 5 deputetë, kryetari i grupit parlamentar Besnik Tahiri, si dhe Pal Lekaj, Shemsedin Dreshaj, Albana Bytyqi e Haki Abazi.
Ndërkaq mandatet i kanë humbur edhe tre deputetët që nuk e kaluan pragun zgjedhor me koalicionin për Familjen, Eman Rrahmani, Visar Korenica e Behxhet Pacolli.
Në legjislaturën e re, 31 deputetë do të marrin mandate për herë të parë.
Në Vetëvendosje do të jenë deputetë për herë të parë, 13 persona; Donika Gërvalla, Ejup Maqedonci, Edona Llalloshi, Artane Rizvanolli, Nezir Kraki, Valon Hoti, Liza Gashi, Agim Bahtiri, Drita Pajaziti, Bylbyl Sokoli, Bajram Mavriqi, Ilir Kërçeli dhe Rozeta Hajdari.
10 të rinj do të jenë nga PDK-ja; Sala Jashari, Përparim Gruda, Jakup Nura, Rrahman Rama, Artan Behrami, Fadil Demaku, Altin Krasniqi, Xhevahir Geci, Arbnore Salihu dhe Kosovare Murseli.
E 8 për herë të parë deputetë do të jenë nga LDK-ja; Jehona Lushaku, Hysen Cekaj, Imri Ahmeti, Fadil Hadërgjonaj, Krenar Xhaferi, Alban Zogaj, Serbeze Mucaj, Arjeta Abazi.
Kush i siguroi mandatet?
Nga Lëvizja Vetëvendosje, mandatet i siguruan: Albin Kurti, Glauk Konjufca, Faton Peci, Hekuran Murati, Albulena Haxhiu, Xhelal Svecla, Donika Gërvalla Schëarz, Avni Dehari, Mimoza Kusari Lila, Arben Vitia, Ejup Maqedonci, Shqipe Mehmeti Selimi, Saranda Bogujevci, Edona Llalloshi, Mefail Bajqinovci, Hajrullah Ceku, Armend Muja, Jeta Statovci, Haxhi Avdyli, Albena Reshitaj, Artane Rizvanolli, Nezir Kraki, Adelina Grainca, Arbreshë Kryeziu, Arbër Rexhaj, Dimal Basha, Valon Hoti, Arbërie Nagavci, Liza Gashi, Valon Ramadani, Fjolla Ujkani, Labinotë Demi Murtezi, Halil Thaci, Agim Bahtiri, Fitore Pacolli Dalipi, Artan Abrashi, Salih Zyba, Drita Pajaziti, Adriana Matoshi, Fitim Haziri, Driton Hyseni, Bylbyl Sokoli, Bajram Mavriqi, Arjeta Fejza, Ilir Kërçeli, Fatmire Kollcaku, Arijeta Rexhepi, Rozeta Hajdari.
Në PDK, mandatet e deputetëve i morën: Bedri Hamza, Memli Krasniqi, Uran Ismaili, Vlora Çitaku, Sala Jashari, Enver Hoxhaj, Përparim Gruda, Ganimete Musliu, Nait Hasani, Jakup Nura, Rrahman Rama, Artan Behrami, Mërgim Lushtaku, Elmi Reçica, Ferat Shala, Blerta Deliu Kodra, Fadil Demaku, Altin Krasniqi, Xhevahir Geci, Abelard Tahiri, Ariana Musliu Shoshi, Eliza Hoxha, Arbnore Salihu, Kosovare Murseli.
Në LDK deputetë u bënë: Lumir Abdixhiku, Doarsa Kica Xhelili, Kujtim Shala, Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti, Anton Quni, Lutfi Haziri, Jehona Lushaku Sadriu, Gazmend Muhaxheri, Armend Zemaj, Hysen Cekaj, Imri Ahmeti, Fadil Hadërgjonaj, Besian Mustafa, Marigona Geci, Ekrem Hyseni, Krenar Xhaferi, Alban Zogaj, Serbeze Muçaj, Arjeta Abazi.
E AAK-ja do t’i ketë këta përfaqësues në Kuvend: Ramush Haradinaj, Daut Haradinaj, Fatmir Limaj, Bekë Berisha, Time Kadrijaj, Lahi Brahimaj, Arbreshë Krasniqi, Xhevahire Izmaku.
Aktualisht KQZ ka në numërim votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta.
Average Rating