
Zgjedhjet në Kosovë, KQZ: Përfundon numërimi në vendvotime
Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror i Zgjedhjeve në konferencën me gazetarë njoftoi se të dielën në mbrëmje, në 2,571 vendvotime të rregullta është përmbyllur procesi i numërimit të votave të kandidatëve për Kryetarë të Komunave dhe votave të subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale.

Pas përfundimit të numërimit dhe procedurave të tjera, materialet zgjedhore nga 948 Qendra të Votimit janë tërhequr dhe dërguar në 38 Qendra Komunale të Numërimit.
“Pra, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, në Zgjedhjet Lokale numërimi i votave të kandidatëve për Kryetarë të Komunave dhe votave të subjekteve politike për Kuvende Komunale bëhet në vendvotime pas përfundimit të votimit, të cilat evidentohen në formularë. Ndërkaq, sipas të njëjtit ligj, votat e kandidatëve për anëtarë të Kuvendeve Komunale numërohen në Qendra Komunale të Numërimit, proces i cili do të realizohet përmes ekipeve të numërimit”, tha Elezi.
Përveç numërimit të votave të kandidatëve për anëtarë të Kuvendeve Komunale, në këto qendra, sipas Rregullores Zgjedhore të KQZ-së për Qendrat Komunale të Numërimit, do të bëhet edhe verifikimi i rezultateve nga formularët që janë plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve. Ju njoftojmë se ky proces, në orën 12:00 ka filluar në tri komuna dhe në orën 16:00 në 35 të tjera.
Në 38 Qendra Komunale të Numërimit do të punohet në dy orare, ndërkaq KQZ ka emëruar më shumë se 520 ekipe të numërimit me mbi 2 mijë anëtarë.
Numërimi i votave të kandidatëve dhe verifikimi i rezultateve, do të bëhet duke ofruar transparencë të plotë dhe nën monitorimin e vëzhguesve.
Përveç organizimit të votimit në 2,571 vendvotime të rregullta, KQZ ka mundësuar votimin me kusht në 54 vendvotime të tjera, votimin jashtë vendvotimeve përmes ekipeve mobile për 3,467 votuesit me nevoja të veçanta dhe votimin jashtë Kosovës përmes postës për 43,933 shtetasit e Kosovës.
Numërimi i fletëvotimeve nga votimi me kusht, i fletëvotimeve nga votimi i personave me nevoja të veçanta dhe i fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, do të bëhet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, pasi të përfundon procesi në Qendra Komunale të Numërimit.
Sipas të dhënave preliminare të deritashme, në 54 vendvotime me kusht, në 38 komuna të vendit, në përgjithësi, kemi 2,119 zarfe me fletëvotime.
Nga votimi jashtë Kosovës, nga tërheqja e dërgesave postare që është bërë nga 22 kuti postare, nga gjithsej 23, numri i zarfeve të supozuara me fletëvotime është 33,258.
Së shpejti do të kemi edhe të dhënat nga votimi i personave me nevoja të veçanta, i cili është realizuar jashtë vendvotimeve. Numri i votuesve të regjistruar në këtë program votimi ka qenë 3,467.
Average Rating