Zoran Milanoviq: Të gjitha shtetet e BE-së duhet ta njohin Kosovën
Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur Kosovën, duhet ta bëjnë këtë. Lajmi u bë i ditur nga Zyra e Presidentit kroat.
“Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet për shtetësi dhe njohje të plotë ndërkombëtare. Veçanërisht, të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur, duhet ta bëjnë këtë,” tha Milanoviq gjatë takimit me Kurtin, i cili ndodhej për vizitë zyrtare në Kroaci.
Milanoviq theksoi gjithashtu se Kosova ka mbështetje të plotë dhe të fuqishme nga Kroacia në rrugën e saj drejt anëtarësimit në të gjitha organizatat ndërkombëtare.
Ai shtoi se normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është i domosdoshëm, pasi kjo do të kontribuonte në një stabilitet më të madh në Evropën Juglindore, që përbën një interes strategjik për Kroacinë, shkruan Glas Slavonije.
Ndërsa në njoftimin e qeverisë bëhet e ditur se në këtë takim bilateral, kryeministri Kurti dhe presidenti Milanoviq trajtuan edhe zhvillimet e fundit, përfshirë ato në rajon.
“Në këtë takim bilateral, kryeministri Kurti dhe presidenti Milanoviq trajtuan edhe zhvillimet e fundit, përfshirë ato në rajon. Kryeministri e njoftoi me detajet e sulmit terrorist të 29 nëntorit në Zubin Potok që për cak kishte infrastrukturën kritike. Ai ndau me të veprimet e menjëhershme që institucionet e vendit ndërmorën për të sanuar dëmin dhe për të evituar pasojat e rënda mbi popullatën civile që kishte për qëllim sulmi”, thuhet në njoftim.
Më herët gjatë ditës së premte, kryeministri Kurti u takua edhe me kryeministrin kroat, Andrej Plenkoviq, dhe kryetarin e Parlamentit, Gordan Jandrokoviq.
Average Rating