Zyrtarët e Serbisë po e shfrytëzojnë aktgjykimin e Hagës
Aktgjykimi i Dhomave të Specializuara ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së po përdoret nga zyrtarët serbë në diskursin politik ndaj Kosovës. Beogradi po e shfrytëzon vendimin për t’i rikthyer në arenën ndërkombëtare narrativat për luftën e UÇK-së dhe akuzat për krime lufte. Ekspertët vlerësojnë se Serbia mund ta intensifikojë lobimin kundër Kosovës dhe subjektivitetit të saj ndërkombëtar. Ata kërkojnë nga Kosova që ta forcojë diplomacinë dhe të kundërpërgjigjet në forumet ndërkombëtare.
Aktgjykimi i Dhomave të Specializuara ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së është shndërruar në mjet të ri të Beogradit për ta goditur imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Menjëherë pas vendimit, zyrtarë serbë nisën ta përdorin atë për të ndërtuar një narrativë politike, ku Kosova paraqitet përmes akuzave për krime lufte dhe ku lufta e UÇK-së vihet në qendër të diskursit ndërkombëtar.
Në këtë ofensivë të narrativës së Beogradit janë përfshirë vetë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Petar Petkoviq, ministri i Brendshëm, Ivica Daçiq, si dhe Milovan Drecun, i cili më herët ka pasur rol shtetëror në mbledhjen dhe paraqitjen e materialeve kundër UÇK-së në Hagë.
Sot, këta zyrtarë, por edhe të tjerë, e përdorin aktgjykimin e Dhomave të Specializuara për t’i ringjallur narrativat e vjetra të Beogradit, duke e paraqitur UÇK-në si një ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe Kosovën si një shtet jofunksional.
Sipas profesorëve të gjeopolitikës, Serbia pritet ta intensifikojë lobimin kundër subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.
“Do të provojë të ndërtojë një narrativë të rreme kundër UÇK-së, partneritetit me Perëndimin dhe do të bëjë çfarë është e mundur të pengojë procesin e konsolidimit të imazhit ndërkombëtar të Kosovës. E dyta, Vuçiq është duke e përdorur këtë për shkak se së shpejti do t’i ketë zgjedhjet atje dhe natyrisht se do ta përdorë për të konsoliduar edhe më shumë fuqinë e tij politike. Pra, në dy rrafshe: për ta dëmtuar imazhin ndërkombëtar të Kosovës dhe për ta forcuar pozitën e tij në Serbi”, tha Dorajet Imeri, profesor i gjeopolitikës.
Në këtë kontekst, ekspertët e propagandës tregojnë edhe mënyrën që Vuçiq synon ta ndjekë.
“Konferenca e Vuçiqit e përcaktoi edhe formën e propagandës. Ai tha mos ta marrim as me trishtim, as me eufori, në njëfarë forme, sepse nuk po përfshihen krimet ndaj serbëve, nuk po përfshihet e ashtuquajtura Shtëpia e Verdhë dhe, në njëfarë forme, i dha sinjal edhe mediave të mos fokusohen te çështja e aktgjykimit. Mbetet të shihet se Vuçiqi, nëpërmjet kësaj, çka synon të shfrytëzojë më shumë në aspektin diplomatik apo një presion tjetër në gjeopolitikë lidhur me Kosovën”, tha Festim Rizanaj nga hibrid.info.
Sipas profesorëve, Kosova duhet të forcojë diplomacinë dhe të kundërpërgjigjet në çdo forum ku Serbia synon ta përdorë aktgjykimin kundër saj.

Average Rating