Albin Kurti: S’mund të ketë normalizim pa siguri për Kosovën
Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se ende nuk e di se çfarë do të kërkojnë dhe as çfarë do të ofrojnë përfaqësuesit evropianë e amerikanë, të cilët të shtunën do të qëndrojnë në Kosovë, në kuadër të përpjekjeve për rifillim të dialogut në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mirëpo, Kurti ka thënë se nuk mund të ketë normalizim të raporteve pa pasur siguri për Kosovën.
“Çka do të kërkojnë e çka do të ofrojnë e marrim vesh nesër. Unë mund të them që nuk mund të kemi normalizim pa siguri dhe siguria e Kosovës duhet të jetë prioritet edhe për institucionet e shtetit, edhe për popullin, edhe shoqërinë. Për këtë po punojmë ditë e natë me krejt çfarë mundemi e dimë”, tha Kurti pas vënies së gurthemelit të një çerdhe në Shtime.
Ai më tej përmendi aktet e dhunshme të serbëve në veri gjatë këtij viti para sulmit terrorist të 24 shtatorit.
“Në dhjetorin e viti të kaluar i kishim tri javë 16 barrikada në veri. Më 26-29 maj të këtij viti patëm sulm mbi policinë, ushtarë e KFOR-it dhe mbi ju gazetarët në veri. Më 14 qershor e patëm rrëmbim e tre policëve tanë në Leposaviq. Së fundi më 24 shtator patëm sulm terrorist nga i cili u vra rreshteri i policisë Afrim Bunjaku”, është shprehur Kurti.
“Është jetike për Kosovën, për demokracinë, por do të thosha edhe për rajonin e Ballkanit në përgjithësi që atë të cilët nuk e kanë ditur ose kuptuar se kush është Serbia dhe Beogradi zyrtar më në fund ta bëjnë këtë sepse nuk është Kosova ajo e cila duhet të këtë masa ndëshkuese por është Serbia ajo së cilës duhet t’i vendosen sanksione”, ka shtuar Kurti.
I pyetur rreth procesit të dialogut në Bruksel, ai ka thënë se ekzistojnë marrëveshjet e arritura por që për shkak të Serbisë ato nuk zbatohen. “Ne kemi qenë përherë konstruktiv, të përkushtuar, kreativ dhe kurrsesi nuk ka faj apo përgjegjësi në anën tonë pse Kosova dhe Serbia nuk i kanë marrëdhëniet normale. Marrëveshja bazike e Brukselit nga 27 shkurti e ka në qendër njohjen de-facto reciproke dhe sa më parë zbatohet ajo do të kemi jo vetëm normalizim demokratik e evropian por edhe siguri për vendin tonë dhe për rajonin”, ka nënvizuar Kurti.
Average Rating