Avokati Keohe: Rasti i Thaçit i veçantë, erdhi vullnetarisht në Hagë
Në trevjetorin e paraburgosjes së ish-liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, ka folur shefi i ekipit të ish-presidentit Thaçi, Gregory Keohe.
Ai ka përmendur listën e dëshmitarëve e të dokumenteve të ofruar nga shërbimet sekrete serbe, listën e dëshmitarëve dhe personaliteteve ndërkombëtare që do të ftohen nga katër ekipe mbrojtëse. Po ashtu bashkëpunimi që do ta kenë mes vete e që kanë pasur deri më tani këto ekipe, si dhe për procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Meqenëse e kemi këtë raportim të veçantë (special) tashmë prej vitesh, qëkur presidenti Thaçi dhe të tjerët u arrestuan nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, a mund ta kemi një koment të shkurtë nga ana juaj, si i keni parë këto tri vjetët e fundit?
Avokati: Mendoj që ka qenë shumë e vështirë për Presidentin, ai u mor në paraburgim, siç thoni edhe ju, tri vjet më parë, ai ka qenë në paraburgim tërë kohën. Ne gjatë gjithë kohës kemi provuar ta nxjerrim jashtë (ta lirojmë), kemi qenë të pasuksesshëm në këtë aspekt. Nuk mendoj se ka ndonjë arsye pse ai duhet të qëndrojë në paraburgim. Padyshim, ai duhet të jetë në paraburgim gjatë një gjykimi, por ka boshllëqe (ditë të lira) në orarin e gjykatës, për pushime, etj. dhe ai sigurisht mund të lirohet në ato rrethana. Kështu që, në një nivel shumë personal për të, ka qenë shumë e vështirë; ai po përballon, ka kurajë, më duhet të them, siç kanë edhe tre zotërinjtë tjerë, por ka qenë e vështirë. Gjykimi ka qenë i ngadaltë dhe do të vazhdojë të jetë i ngadaltë; prokuroria ka goxha dëshmitarë, kështu që mendoj se do të vazhdojë për një kohë (të gjatë). Por do t’ju them këtë: do të vazhdojmë të provojmë ta lirojmë atë nga paraburgimi gjatë muajve në vijim dhe do t’ju bëj me dije si do të shkojë [në kontekst qesharak].
Bazuar në përvojën tuaj, a keni parë raste të ngjashme, ku të akuzuarit janë mbajtur (në paraburgim) për tri vjet, pa mundësi lirimi? A ka ndonjë rast tjetër si ky?
Avokati: Mendoj se kur kthehemi prapa te TNKJ (Tribunali Ndërkombëtar Kriminal i ish-Jugosllavisë), kjo sigurisht ka ndodhur me disa (raste) më skandaloze… kur i akuzuan njerëzit për disa sjellje (krime) më skandaloze, ata njerëz u mbajtën në paraburgim. Kështu që nuk e kemi atë situatë këtu, nuk kemi dikë që ka kryer veprime skandaloze, siç është Srebrenica. Kjo nuk është diçka e përafërt me asgjë nga ajo (situatë). Në anën tjetër, keni një person, Presidentin Thaçi, i cili, pasi kuptoi që ishte akuzuar, dha dorëheqje nga Zyra e Presidentit dhe erdhi këtu vullnetarisht. Kjo u parapri nga disa herë tjera kur ai erdhi këtu vullnetarisht. Kështu, ne kemi një histori të respektimit të urdhrave të gjykatës, të ardhjes vullnetare poshtë e përpjetë në Hagë kur kërkohej, por… dhe mendoj… argumenti ynë gjithmonë ka qenë që kjo duhet të jetë… kjo duhet të peshojë në përfitimin e tij për lirim, deri më tash kjo nuk duket se ka ndodhur. Por, përgjigjja ime ndaj pyetjes suaj është kjo: a kam parë tjera raste kur ka akuza të sjelljeve (krimeve) skandaloze ku njerëzit mbahen (në paraburgim), për shembull të gjitha ato raste të Srebrenicës? Sigurisht. Por kjo nuk është ai rast. Ata njerëz që ishin akuzuar (në rastet e Srebrenicës) nuk i kishin ndërmarrë hapat vullnetarë që Presidenti Thaçi ndërmori për t’u përgjigjur akuzave që iu ngritën këtu.
Dhe para se të kalojmë te pyetjet më profesionale, do të donim shumë të dinim a ishte e vështirë nga ana juaj të përgatiteni për këtë gjykim, duke qenë se nuk po flasim për dikë (një person) të thjeshtë, po flasim për një figurë historike të profilit më të lartë, presidentin Thaçi. A ishte vështirë të përgatiteni?
Avokati: Është gjithmonë e vështirë të përgatitesh për një gjykim, por duhet të ndahet koha dhe duhet të ndahet mundi, duhet të bëhen hetimet, para dhe gjatë gjykimit. Njerëzit mendojnë se hetimet kryhen para gjykimit dhe nuk ka hetim pas gjykimit. Kjo nuk është e vërtetë; hetimet vazhdojnë edhe sot. Kemi njerëz në terren që hetojnë aspekte të ndryshme të këtij rasti. A është e vështirë? Përgjigjja ime ndaj kësaj është diçka që shpesh i them bashkëshortes sime: kjo është jeta që kemi zgjedhur. Kështu, në terma/fjalë të thjeshta kjo është diçka që kam bërë për një kohë shumë të gjatë dhe është vërtetë shumë e ngjashme me tjera raste që kam mbrojtur ndër vite. A është e lehtë? Jo, merr kohë, është e vështirë, dhe esencialisht duhet punuar shtatë ditë në javë.
Por duhet të ketë pak diferencë?
Avokati: Diferencë? Epo diferenca, natyrisht, është që ky është një rast historik. Po shkojmë prapa 25 vjet. Tani jemi në 2023, ato janë ngjarje që fillojnë në 1998 ose më parë… ose edhe më parë. Kështu, në këtë kuptim (kontekst), është e vështirë te dëshmitarët, është e vështirë në aftësinë për të hetuar. Të jemi të sinqertë: shumë njerëz kanë ndërruar jetë përgjatë 25 viteve të kaluara, disa prej të cilëve do të na ndihmonin shumë, më e pakta prej të cilave është ish-Sekretarja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Madellin Allbrajt, që pati një marrëdhënie personale me Presidentin Thaçi. Padyshim, do të ishim shumë më të mirë nëse Presidenti do të kishte këtë rast më herët, ku dëshmitarë si Sekretarja Allbrajt do të mund të kishin dalë para gjykatës për të dhënë dëshmi në emër të Presidentit.
Pyetja: A ka vështirësuar punën tuaj fakti që ne, si shtet, ende nuk kemi një mekanizëm apo një institucion që ka mbledhur (fakte mbi) krimet e luftës që Serbia ka kryer në Kosovë? Ne po synojmë të themelojmë një institucion të tillë derisa po flasim, mirëpo ende nuk e kemi një institucion ku mund të shkosh dhe të shohësh një koleksion të krimeve të luftës në Kosovë. A ka vështirësuar kjo punën tuaj për të hetuar në terren?
Avokati: Ne kemi bërë goxha një punë duke hetuar krimet serbe. Ne kemi… ka shumë prova… më falni, shumë krime dhe ka qenë e vështirë të vërtetojmë gjithçka që ne dimë. Kështu që, sigurisht, nëse ka një arkiv të përgjithshëm, një arkiv qeveritar që ka katologuar (mbledhur) të gjitha këto, e bën hetimin shumë më të lehtë, sigurisht. Por megjithatë ne e kemi bërë (këtë punë) dhe do të vazhdojmë ta bëjmë gjatë gjykimit.
Prokuroria ka kërkuar 2 vjet për të prezantuar rastin, a keni ndonjë ide sa kohë do t’u duhet mbrojtjes për të prezantuar?
Avokati: Mendoj se do të provoj ta liroj presidentin Thaçi pas prezantimit të Prokurorisë dhe shpresojmë të marrim përgjigjen për mocionin tonë për mungesë të rastit… deri tani nuk shoh shumë fuqi në rastin e Prokurorisë sa i përket lidhjes me presidentin Thaçi. Në këtë kontekst, nëse na duhet të prezantojmë një rast të mbrojtës, do të prezantojmë një rast të mbrojtjes… vështirë të thuhet në këtë moment. Po shkoj shumë përpara sepse nëse ju jap një kornizë kohore tash, me të vërtetë nuk e di çfarë do të sjellë Prokuroria për të ardhmen që do të përgjigjesha. Por ne megjithatë do të kemi, nëse jemi të detyruar të prezantojmë rastin, do të kemi një listë të dëshmitarëve ndërkombëtar që do të flasin për presidentin Thaçi, ata do të flasin për presidentin Thaçi si një zë, sigurisht pas luftës, duke provuar të sjellë paqe dhe pajtim në Kosovë. Si personi që ishte aty duke provuar të bindë serbët të mos largohen, si personi që shtynte (përpara) një shoqëri multietnike, si personi që shkonte në vende në kohë të ndryshme për të provuar të qetësojë çdo dhunë potenciale që ndodhte dhe kjo e gjitha është e dokumentuar në media përmes videove dhe punës së shkruar. Ai ishte personi që ishte aty duke bërë të gjitha këto, sigurisht në baza ditore pas luftës. Pra sa kohë do të na duhet neve të zhvillojmë këtë, këtë skenar faktesh? Po shpresoj që mund të marrim pak asistencë nga mediat që të bëjnë një pjesë të hulumtimeve për ne [në kontekst qesharak] por kemi goxha kohë për t’u bërë gati për të qenë shumë i sinqertë dhe nuk janë vetëm mediat e Kosovës, ka media nga e gjithë bota, media të cilat kishin mbuluar luftën në vitet 1998-1999.
Meqenëse po flisni për dëshmitarët, a keni ende ndonjë listë për sa dëshmitarë…?
Avokati: E kam një listë të dëshmitarëve, nuk e kam një listë të sa prej tyre.
Të gjithë ju, të katërtit?
Avokati: Është e vështirë të thuhet, disa nga dëshmitarët që do t’i përdorim do t’i përdorim të gjithë, për shembull ekspertët ushtarak, nuk është e nevojshme t’i kemi katër ekspertë ushtarak. Ne do të… ne do të bisedojmë me njëri-tjetrin dhe do të dalim me një listë të elementeve që një ekspert ushtarak do të mund t’i dëshmojë. Ky është vetëm një shembull
Përafërsisht një numër…
Avokati: Jo, nuk mund t’ju jap një numër.
Meqenëse përmendët Madellin Allbrajt…
Avokati: U prehtë në paqe!
Po. E dimë që Gjykata nuk ju lejoi t’i sillni këta dëshmitarë të profilit të lartë të dëshmojnë përpara dëshmitarëve të ZPS-së për shkak të moshës së tyre, a i keni dëshmitë e tyre të incizuara paraprakisht në rast se diçka u ndodh atyre gjatë gjykimit?
Avokati: Ne jemi duke e bërë këtë derisa po flasim. Kështu, përgjigjja e pyetjes suaj është: a po e bëjmë këtë tani? Po, jemi duke e bërë tani.
Dhe a ka ndonjë tjetër figurë të profilit të lartë që ka parë gjykimin dhe që kanë dashur të vijnë dhe të dëshmojnë për mbrojtjen?
Avokati: Janë disa që… Oh, ka më shumë sesa veç ata.
A mund të na jepni emra?
Avokati: Nuk mendoj se mundem. Do t’ju kisha treguar, mirëpo… nuk kam asnjë problem të flas për emra që kam publikuar në dokumentet e dorëzuara (në gjykatë) por jam pak ngurrues të ju jap emra të njerëzve të të cilëve nuk kam autorizim t’jua përmend. Por, do t’ju them se do të ketë të tjerë dhe ka të tjerë tash.
Në fillim të këtij gjykimi ju kam pyetur nëse do të kërkoni prej Xho Bajden të vijë të dëshmojë, a keni kërkuar?
Avokati: Jo, nuk jam i sigurt se ku mund të dalim me Xho Bajden, ai është pak i zënë në këto momente, kështu që nuk e di për këtë. Më lejoni t’jua them këtë: ne do të thërrasim dëshmitarë të cilët ishin “në skenë” në 1999, të cilët ishin në Kosovë në 1999, të cilët kanë përvoja me Presidentin, të cilët kanë njohuri se çka po ndodhte, jo vetëm brenda viteve 1998-1999, por historikisht për sjelljet e serbëve që shkojnë prapa disa dekada. Fokusi do të jetë në dëshmitarë që kanë qenë aty, që kanë kaluar kohë aty, kanë një bazë të njohurive, shpresojmë disa prej kryesorëve flasin gjuhën. Ky ka qenë fokusi deri tani.
Një tjetër shqetësim i madh është që ZPS-ja po sjellë shumë prova serbe në gjykatë. Kemi parë shumë dëshmitarë që po vijnë dhe po flasin bazuar në dokumente serbe dhe shërbime sekrete nga ana serbe. Si e keni parë këtë deri tani dhe a po prisni njerëz tjerë që do të japin dëshmi të bazuara në dokumentet serbe, duke qenë se kjo po ndodh tani?
Avokati: Nuk mund t’ju tregoj dëshmitarët që janë në listë sepse nuk lejohemi ta bëjmë këtë. Por, keni të drejtë, gjithçka që po vjen nga shërbimet e inteligjencës serbe apo edhe nga aparti i qeverisë serbe, ne po verifikojmë autenticitetin e atij dokumenti, për provincën e atij dokumenti, nga erdhi, kush e mori, etj. Këto janë shqetësime të rëndësishme që ne, dhe them ne për katër mbrojtësit, kemi.
A keni folur me dikë jashtë gjykatës për këto shqetësime që keni?
Avokati: Sigurisht.
Cilat ishin përgjigjet, nëse mund të na thoni?
Avokati: Jo, nuk mund ta bëj atë por sigurisht ne të gjithë duam ta kontrollojmë autenticitetin e një dokumenti në mundësitë që kemi dhe kjo bëhet në kategori të ndryshme. Nga ku dyshohet se është sekuestruar, ku u prodhua, a u prodhua sepse dikush në Serbi shkruajti një libër, apo a është shkrimi autentik, a janë nënshkrimet autentike. Ka shumë mënyra të ndryshme se si një dokument mund të kundërshtohet në gjykatë dhe ne po i eksplorojmë të gjitha …
Avokati: Jo, nuk mund të hyj në atë çështje. Ne jemi duke folur përgjithësisht dhe gjithçka në këtë aspekt konsiderohet si mbrojtje e dëshmitarëve dhe thjesht nuk mund të flas për këtë. Fatkeqësisht.
Për ne është shumë e vështirë të raportojmë për procesin, shumica e seancave janë private, në seancën e fundit zoti Smith tha se ju duhet të bëni një zgjedhje se si të bëhen seancat më publike. A keni kontaktuar me ZPS-në për këtë problem?
Avokati: Shiko, pozicioni ynë, pozicioni i klientit tim është që të gjitha duhet të jenë publike. Ne nuk kemi qenë në favor të seancave të mbyllura ose seancave private. Ne do të donim që e gjithë kjo të ishte… e gjithë kjo të publikohej. Unë mendoj se Gjykatësi Smith po fliste për një “çare”, por për një “çare të pjesshme” dhe kjo është përmes transkripteve paraprake, çfarë nevojitet të redaktohet dhe çfarë nuk nevojitet të redaktohet. Por ju jeni raportues (gazetarë), ju raportoni në baza ditore dhe përveç nëse jeni duke shkruar një roman historik për çka po ndodhë është rast i rrallë të gjeni dikë që kontrollon të gjitha transkriptet dhe nxjerrë të gjitha transkriptet për t’i lexuar. Është thjesht diçka e vështirë të bëhet, në veçanti kur je duke tentuar të raportosh diçka që po ndodhë tani ose një ditë më përpara. Edhe një herë, ne do të donim që i gjithë ky proces të ishte më i hapur sesa që ka qenë. Sigurisht, përvoja ime në vende tjera siç është GjND (Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë) ka qenë më e hapur dhe ne do të vazhdojmë të përpiqemi për këtë. Si do ta bëjmë këtë zgjidhje me transkriptet mbetet të shihet.
Çka ka ndodhur realisht me dëshmitarin e 89-të, ende nuk e dimë këtë?
Avokati: Më fal?
Çka ka ndodhur realisht me dëshmitarin e 89-të që refuzoi të jepte dëshmi madje edhe pranoi të shkonte në burg?
Avokati: Nuk mund t’i përgjigjem kësaj pyetjeje fatkeqësisht. Më duhet ta them që ka gjëra specifike rreth dëshmitarëve të cilat janë nën urdhrat e gjykatës. Edhe pse do të doja t’ju jepja informacion nuk lejohem për shkak të urdhrave të gjykatës.
Nuk e di ndoshta nuk lejoheni të na tregoni edhe si i keni parë pyetjet e bëra nga Kryetari i Trupit Gjykues Smith ose rastet në përgjithësi?
Avokati: Gjykatësi po kërkon, po bën pyetje për faktet që ai sheh, po provon të bëjë bashkë të gjitha pjesëzat, nëse ka boshllëqe në dëshmi ose nëse don qartësime. Është çka ata bëjnë.
Do të bëj edhe një pyetje tjetër. Gruaja serbe që erdhi të dëshmojë ishte gjithashtu pjesë e [nuk dëgjohet]. A e keni ngritur këtë shqetësim dhe çka keni bërë?
Avokati: Mendoj se e di për kë po flisni, mendoj se ka pasur një zhvillim të plotë rreth asaj dëshmitareje në procesverbalet e gjykatës. Kështu që…
Ka gjithashtu disa njerëz, disa viktima, të cilët kanë vdekur gjatë këtij gjykimi dhe po zëvendësoheshin me anëtarët e familjeve, a i keni dëshmitë e tyre të shkruara dhe si mund ta dimë, duke qenë se kanë vdekur?
Avokati: Epo dëshmitarë të caktuar, nëse ata janë qoftë të paaftë për të dëshmuar për shkak të arsyeve fizike ose sepse kanë vdekur, është një rregull, rregulli 155 që nën rrethana specifike dëshmitë e tyre mund të pranohen si prova. Por duhet të shikoni rregullin dhe ka kërkesa shumë rigoroze që aplikanti duhet t’i plotësojë para se ajo dëshmi të dorëzohet. Pra jo çdo dëshmi e çdo të vdekuri mund të pranohet, duhet t’i plotësojë rregullat e autenticitetit, etj. përpara se ta pranojmë atë. Rregulli ekziston që t’i mundësojë dëshmitarëve që kanë vdekur që dëshmitë, ose të them më mirë deklaratat, të pranohen si prova.
E fundit, a keni ndonjë mesazh për njerëzit në Kosovë për këtë rast, për rastin e Thaçit dhe të tjerëve?
Avokati: E vetmja gjë që mund të them është kjo: ne po luftojmë për klientët tanë çdo ditë, ne po bëjmë mbrojtjen çdo ditë. Mbrojtja jonë është e fortë dhe besoj se në fund të ditës klientët tanë do të shpallen të pafajshëm dhe do të kthehen në shtëpi. Tani, do të doja të ndodhte më shpejt sesa që mund të ndodhë por s’mund të bëj shumë në “tavolinën e kohës”.
Dhe a po bëjnë institucionet e Kosovës mjaft për t’ju ndihmuar disi në mënyrën që mund t’ju ndihmojnë në këtë gjykim?
Avokati: Do të thosha që deri tani ata na kanë ndihmuar. Ne kemi kërkuar procesverbale/regjistrime të ndryshme nga entitete të ndryshme në Kosovë dhe ata kanë plotësuar kërkesat. Kështu që… ne nuk i përdorim ato vazhdimisht, nuk dua të them se ka aplikime të vazhdueshme për gjëra, po kemi marrë ndihmë.
Ka njerëz të tjerë që janë arrestuar për pengim të drejtësisë, a ka kjo lidhje me rastin e Thaçit?
Avokati: T’ju them të drejtën nuk e di se çka kanë penguar ata. Jam pak i zënë me çka po bëj kështu që nuk kam shpenzuar aspak kohë për t’i shikuar rastet e tyre, por nuk kam dëgjuar diçka që ata kanë qenë të përfshirë në këtë… Do t’ju mashtroja po t’ju thosha të kundërtën sepse thjesht nuk e di.
Average Rating