Besnik Bislimi, pas takimit: Edhe një takim javën e ardhshme
Ka përfunduar takimi trepalësh në Bruksel, Lajçak, Bislimi dhe Petkoviq, pa marrëveshje. Një takim tjetër do të mbahet javën e ardhshme me të njëjtën temë, thuhet pas takimit.
Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë përfunduar pa ndonjë rezultet takimet në Bruksel për çështjen e dinarit serb.
Pas këtij takimi, kyenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi ka thënë se ka nevojë edhe për një takim tjetër, pasi sipas tij, propozimet e palëve për çështjen e dinarit janë larg njëra-tjetrës.
“Ne kemi komentuar propozimet e palës tjetër për të parë se në çfarë mase ato janë brenda kornizave për të cilat jemi dakorduar dhe pastaj kemi argumentuar secili për secilin nen të propozimit tonë, por pastaj gjatë bilateraleve është parë që ka ende nevojë për përafrim të qëndrimeve, andaj është dakorduar që të provohet edhe një takim gjatë javës së ardhshme”, ka deklaruar Bislimi.
Pala e Kosovës, sipas tij, ka nxjerr një propozim shumë konstruktiv që mundëson që mbështetja financiare të shkojë te përdoruesit final pa u lënduar në asnjë moment Rregullorja e BQK-së dhe legjislacioni në fuqi.
Bislimi tha se pala kosovare i ka paraqitur propozimet e veta.
“Ne jemi në kërkim të një zgjidhje praktike që nuk ka asgjë simbolikë, por e ka qytetarin në fokus kryesor, por unë kisha dashur që të mos dëmtohen negociatat duke nxjerrë detaje nga propozimet e të dyja palëve”, është shprehur Bislimi, sipas të cilit “zgjidhja ekziston, por duhet vullnet politik”.
Kujtojmë se takimi i sotme është vazhdimësi e takimit të javës së kaluar, kur të dyja palët u pajtuan, se për çështjen e dinarit duhet një zgjidhje.
Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha se propozimi i Prishtinës nuk çon drejt një zgjidhje kompromisi.
“Ne e kemi paraqitur propozimin tonë, Prishtina ka paraqitur propozimin e saj. Propozimi ynë është i balancuar, merr parasysh interesat e popullit serb në Kosovë dhe është bërë në marrëveshje me ekspertët tanë. Në anën tjetër, ju keni propozimin e Prishtinës, për të cilin nuk do të doja të flisja tani, mjafton të them se ana tjetër nuk bënë as përpjekjen më të vogël që ajo letër mund të quhet propozim, që shkon në drejtimin e një zgjidhje kompromisi”, tha Petkoviq.
“Kjo është ajo që më shqetëson shumë. Nuk e di se në cilin drejtim do të shkojë dialogu. Më shqetëson pozita dhe e ardhmja e popullit serb në Kosovë kur e shihni se nuk ka vullnet politik nga ana tjetër për të arritur një zgjidhje”, theksoi Petkoviq.
Kryenegociatori serb tha se Beogradi do të vazhdojë bisedimet për të arritur një zgjidhje për këtë çështje, teksa paralajmëroi takimin e radhës për prill.
Average Rating