Bislimi takon ministrin shqiptar, Igli Hasani, flasin për shqiptarët në Luginë

“Kënaqësi të takohemi e të thellojmë angazhimin e përkushtimin tonë për bashkëpunim sa më të ngushtë”. Kështu u shpreh zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, në takimin me ministrin për Evropë dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani.

Gjatë bisedës, zëvendëskryeministri Bislimi vuri në pah bashkëpunimin ndërqeveritar, i cili ka njohur zbatim të plotë dhe efektiv të pothuajse të gjitha marrëveshjeve të arritura gjatë kësaj qeverisjeje.

“Marrëveshjet tashmë të zbatuara kanë kontribuar pozitivisht në arsim, kulturë, shëndetësi, infrastrukturë e bashkëpunim ndërkufitar të frytshëm mes shumë të tjerash”, ka deklaruar Bislmi.

Ministri Hasani iu bashkëngjit këtij konstatimi duke theksuar intensifikimin e vëllimit tregtar mes Kosovës dhe Shqipërisë, i cili është rritur për 100 milionë euro vetëm vitin e kaluar, njofton Zyra për Informim e qeverisë..

Më tej, u diskutua rreth sfidave të përbashkëta ku mund të bashkëpunojmë akoma më shumë, si integrimi evropian, mirëpo edhe në fushën e sigurisë dhe të bashkërendimit për ruajtjen e të drejtave të shqiptarëve në rajon, e në veçanti në Luginën e Preshevës, pasur parasysh diskriminimin me të cilin përballen shqiptarët.

Në këtë drejtim, zëvendëskryeministri Bislimi përmendi masat që Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë për të përkrahur Luginën.

“Të dy u pajtuan që kontributi i përbashkët është i rëndësishëm, e për sa më shumë vëllim e peshë të përkrahjes sonë për shqiptarët atje. Qëndrojmë me dëshirë të mirë e energji të plotë, për ta rritur bashkëpunimin e afruar shtetet tona sa më afër me njëri tjetrin”.

Në këtë takim, sipas njoftimit, është diskutuar edhe mbi rëndësinë e mbështetjes së Shqipërisë ndaj Kosovës edhe në sfera të ndryshme, veçanërisht anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, ku ministri Hasani ka shprehur gatishmërinë e tij për të përkrahur Kosovën në këtë drejtim.

Duke e falënderuar për bisedën e takimin vëllazëror, zëvendëskryeministri Bislimi shprehu gatishmërinë për takime të ardhshme, sinergji, bashkëpunim e ndërveprim më të ngushtë mes Kosovës dhe Shqipërisë, njon Zyra për informim e Qeverisë së Kosovës.

Prezent në takim ishin dhe ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi, dhe ai i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.

Lini një Përgjigje

Previous post Albin Kurti në Davos takon O’Brien: Gjithmonë të bashkërenduar me SHBA-të
Next post Mustafi: Shqiptarët e Luginës me asnjë kusht nuk do ti përgjigjen shërbimit në Ushtrinë serbe