Bujanoc: Më 23 qershor qytetarët e Tërnocit do të votojnë sërish
Në vendvotimin numër gjashtë në Tërnoc, të regjistruar janë 1080 qytetarë me të drejtë vote. Në votimin e parë dhe përsëritjen e dytë, bartësi i listës së KSHL – Shaip Kamberi e kishte fituar mandatin e deputetit, por ankesat e partisë së Ivica Daçiqit, të cilit i humb një deputet me fitoren e shqiptarëve, bëri që në këtë vendvotim zgjedhjet të përsëriten edhe për herë të katërt.
Komisioni Republikan Zgjedhor ka caktuar datën 23 qershor për mbajtjen e këtij rundi zgjedhor në Tërnoc të Bujanocit.
Fejzi Beqiri kryetar i KKZ-së thotë se Komisioni Republikan Zgjedhorë me aktvendim të posaçëm e ka caktuar datën e zgjedhjeve e cila është për datë 23 qershor 2022 ditë e enjte.
Ai po ashtu tha se Komisioni Komunal Zgjedhor i ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura ashtu siç kërkohet me dispozitat ligjore.
Ndërkohë edhe përfaqësuesit e tri subjekteve politike që formojnë Koalicionin e Shqiptarëve të Luginës, PVD, PD dhe LPD-së janë shprehur të gatshëm për pjesëmarrje edhe në këtë rund zgjedhor.
Enver Ramadani nga PVD tha se Partia për Veprim Demokratik bashkë me partnerët e koalicionit do të marr pjesë në zgjedhjet parlamentare të cilat do të mbahen ditën e enjte edhe pas presionit të vazhdueshëm të shtetit dhe Komisionit Republikan Zgjedhorë i cili ka caktuar gjashtë koordinatorë ekstra për vendvotimin në Tërnoc. “Ne jemi të vendosur që të vetmin zë të shqiptarëve ta kemi në parlamentin republikan”, tha ai.
Ndërsa, Sali Salihu nga PD tha se Partia Demokratike si pjesë përbërëse e këtij koalicioni do të angazhohet që elektoratin e saj ta e mobilizoj për të dalë sa më masovisht në këto zgjedhje.
Ndërkaq, Jetmi Ismaili nga LPD tha se Lëvizja e Progresit Demokratik e përkrah Koalicionin e Shqiptarëve të Luginës.
“I ftoj të gjithë qytetarët e fshatit Tërnoc që ditën e enjte të dalin sa më masovikisht ta përkrahin këtë listë përkundër presionit që Qeveria e Serbisë po bënë ndaj shqiptarëve të fshatit Tërnoc”, tha ai.
Të enjten vendvotimi numër gjashtë te shkolla fillore “Muharrem Kadriu” në Tërnoc, do të jetë i hapur në orën 7 dhe qytetarët do të mund të votojnë deri në orën 20:00.
Average Rating