
Donald Trump pezullon ndihmat e jashtme të SHBA-ve për 90 ditë
Presidenti Donald Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që pezullon përkohësisht të gjitha programet e ndihmave të jashtme të SHBA-ve për një periudhë 90-ditore, derisa të kryhen rishikime për të përcaktuar nëse ato janë në përputhje me qëllimet e tij politike.

Urdhri ekzekutiv, i nënshkruar në ditën e tij të parë pas kthimit në detyrë më 20 janar 2025, thekson se “industria dhe burokracia e ndihmave të jashtme nuk janë në përputhje me interesat amerikane dhe shpesh janë kundër vlerave amerikane,” duke pretenduar se këto ndihma destabilizojnë paqen globale.
“Nuk do të shpërndahet më asnjë ndihmë e jashtme amerikane në një mënyrë që nuk është plotësisht në përputhje me politikën e jashtme të Presidentit të Shteteve të Bashkuara,” deklaroi Trump në urdhrin e tij.
Rubio do të vendosë për rishikimin e ndihmave
Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, do të udhëheqë procesin e rishikimit të ndihmave, në konsultim me Zyrën e Menaxhimit dhe Buxhetit, shkruan apnews.
Rubio theksoi gjatë dëgjimit të tij në Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit se çdo dollar i shpenzuar duhet të justifikohet me tre pyetje kryesore:
A e bën Amerikën më të sigurt? A e bën Amerikën më të fuqishme? A e bën Amerikën më të begatë?
Ndikimi i pezullimit
Nuk është ende e qartë se sa fonde do të ndikohen nga urdhri i Trump-it, pasi një pjesë e madhe e fondeve janë të miratuara nga Kongresi dhe të destinuara për t’u shpenzuar.
Ndihmat për shtetet si Izraeli ($3.3 miliardë në vit), Egjipti ($1.5 miliardë në vit) dhe Jordania ($1.7 miliardë në vit) ka të ngjarë të mos pësojnë ndryshime të mëdha, pasi janë pjesë e marrëveshjeve afatgjata të lidhura me traktate.
Ndërkohë, financimet për agjencitë e OKB-së, përfshirë paqeruajtjen, të drejtat e njeriut dhe refugjatët, pritet të jenë ndër objektivat kryesore të shkurtimit nga administrata Trump, siç ka ndodhur në mandatin e tij të parë.
Kritikë për ndihmat ndaj Ukrainës
Trump ka qenë veçanërisht kritik ndaj ndihmave të dhëna për Ukrainën, përfshirë miliarda dollarë ndihma ushtarake për mbrojtjen e saj ndaj agresionit rus. Administrata Biden kishte raportuar se deri në dhjetor 2023, SHBA-të kishin ndarë $68 miliardë për ndihma të jashtme në 204 vende dhe rajone, përfshirë ndihmat për fatkeqësitë natyrore, shëndetin dhe iniciativat pro-demokracisë.
Ky vendim i Trump ka nxitur debat mbi ndikimin e tij në rolin e SHBA-ve në botë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
Average Rating