Joe Biden: Mbështetja për Ukrainën “do të vazhdojë për aq kohë sa të ketë nevojë”

Read Time:3 Minute, 51 Second

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se mbështetja e shtetit të tij për Ukrainën “do të vazhdojë për aq kohë sa të ketë nevojë”, teksa priti në Shtëpinë e Bardhë presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Gjatë konferencës për media, Biden tha se presidenti rus, Vladimir Putin, “nuk e ka ndërmend ta ndalojë këtë luftë mizore”.

Biden po ashtu njoftoi për paketën e re të ndihmës ushtarake për Ukrainën, në vlerë prej afër 2 miliardë dollarësh. Në të përfshihen edhe sistemet tokë-ajër, Patriot.

Në paketën e ndihmës po ashtu përfshihen “edhe transfere direkte të pajisjeve në Ukrainë…. por edhe kontrata për të furnizuar me municion Ukrainën, që do t’i duhet për tanket dhe raketahedhësit”, tha Biden.

“Përveç këtyre aftësive të reja, paketa përfshin edhe baterinë raketore Patriot, për përdorimin e të cilës do t’i trajnojmë forcat ukrainase, si pjesë e përpjekjeve për të forcuar mbrojtjen ajrore të Ukrainës”, shtoi ai.

Biden shtoi se Patriot janë “sisteme mbrojtëse, jo përshkallëzuese”, pasi Rusia ka paralajmëruar se armatimet amerikane mund ta përkeqësojnë luftën.

Ndërkaq, presidenti Zelensky tha se vizita e tij në SHBA është historike dhe falënderoi Bidenin për paketën e re të ndihmës.

Sipas Zelenskyt, sistemi i mbrojtjes ajrore, Patriot, do të jetë një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një mburoje ajrore.

“Kjo është mënyra e vetme që ne mund të privojmë shtetin terrorist nga instrumenti i tij kryesor i terrorit – ta privojmë nga mundësia për të goditur qytetet tona dhe energjinë tonë”, tha ai.

Kjo është vizita e parë e Zelenskyt në SHBA, që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Biden dhe Zelensky zhvilluan një takim rreth dy orësh në Zyrën Ovale.

Para takimit, Zelensky falënderoi Bidenin, ligjvënësit dhe “amerikanët e zakonshëm” për mbështetjen e tyre për Ukrainën. Ndërkaq, Biden i tha Zelenskyt se ukrainasit “inspiruan botën”.

Lideri amerikan po ashtu i tha Zelenskyt se “është nder të jem përkrah teje” dhe u zotua se do të vazhdojë ndihmën financiare, ushtarake dhe humanitare për Ukrainën. Ai po ashtu paralajmëroi se Rusia “po tenton të përdorë dimrin si armë” në luftë.

Ndërkaq, Zelensky tha se “lufta nuk ka përfunduar” dhe se shteti i tij po përballet me shumë sfida në luftën ndaj Rusisë.

Ky është udhëtimi i parë i Zelenskyt jashtë vendit, që kur nisi nga pushtimi rus në shkurt.

“Rrugës për në SHBA për të forcuar aftësitë mbrojtëse të Ukrainës”, shkroi Zelensky në Twitter teksa u nis për në Uashington.

Në ditën e vizitës së Zelenskyt në SHBA, SHBA-ja tha se Ukrainës do t’i japë 1.85 miliard ndihmë ushtarake, përshirë sistemin tokë-ajër Patriot.

Zelensky rregullisht pret liderë të huaj në kryeqytetin ukrainas, Kiev, dhe viziton trupat ushtarake nëpër Ukrainë.

Presidenti ukrainas shpesh ka zhvilluar edhe biseda telefonike dhe ka realizuar video-lidhje me liderët botërorë nga zyra e tij në Kiev.

Por, një vizitë e paparalajmëruar në një vend të huaj – që shënon të parën që nga fillimi i luftës – gjithashtu sinjalizon rëndësinë e marrëdhënieve të Ukrainës me SHBA-në, e cila ka luajtur një rol udhëheqës në ofrimin e mbështetjes ushtarake.

Zelensky ka bërë thirrje për më shumë fonde dhe ka thënë se kostoja mujore e mbrojtjes për Ukrainën është rreth 5 miliardë dollarë.

Zyrtarët ukrainas, po ashtu, kanë bërë thirrje prej kohësh për sisteme më të fuqishme të mbrojtjes ajrore nga Perëndimi. Sistemi i ri i raketave Patriot do t’i mundësojë Ukrainës të mbrojë infrastrukturën e saj jetike kundër sulmeve ruse.

Rusia ka vënë në shënjestër sektorin energjetik të Ukrainës, duke lënë miliona njerëz në errësirë në temperaturat e dimrit që janë disa gradë nën zero.

Autoritetet ukrainase thanë se Rusia po sulmon rrjetin elektrik dhe infrastrukturën tjetër duke përdorur dronë kamikazë iranianë.

Tani luftimet e ashpra po vazhdojnë në Donjeck, teksa forcat ruse vazhduan sulmet e tyre në Ukrainën lindore.

Pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës ka kaluar ditën e 300-të.

Kremlini paralajmëroi më 21 se rritja e furnizimeve me armë nga SHBA-ja për Ukrainën do të përkeqësonte luftën. Duke folur gjatë një takimi me liderët ushtarakë, presidenti rus, Vladimir Putin, po ashtu tha se Moska do të forcojë forcat e saj të armatosura dhe do të rrisë kapacitetet e trupave.

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, tha se ushtria ruse do të kontraktojë 695.000 vullnetarë me kontratë. Afër 520.000 pritet të rekrutohen deri në fund të vitit 2023, raportoi AP.

Rusia pritet të përqendrohet në zhvillimin e forcave bërthamore, që përshkruhen si “garantuesit kryesorë të sovranitetit të Rusisë”.

Këshilltari i Zelenksyt, Mykhaylo Podolyak, tha se vizita e Zelenskyt në SHBA është “jashtëzakonisht e rëndësishme” dhe pengon përpjekjet e Moskës për të krijuar ndarje mes Uashingtonit dhe Kievit.

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %

Average Rating

5 Star
0%
4 Star
0%
3 Star
0%
2 Star
0%
1 Star
0%

Leave a Reply

Previous post Volodymyr Zelensky: Ndihma e SHBA-së për Ukrainën është vendimtare
Next post Çfarë mund të bëjnë raketat Patriot për Ukrainën?