Josep Borrell: Duhet angazhim në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese

Read Time:2 Minute, 18 Second

Shefi i diplomacisë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka diskutuar në Bruksel me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe avancimit të rrugës së Beogradit drejt bllokut evropian.

Sa i përket dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, Borrell ka kërkuar angazhim në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese mes palëve për normalizimin e raporteve.

“Përfaqësuesi i lartë Borrell ka ritheksuar se BE pret si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia që të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, me mirëbesim dhe në frymën e kompromisit, dhe të arrijnë pa vonesa marrëveshjen gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese për normalizimin e marrëveshjeve në përputhje me bazën ligjore të BE-së dhe të drejtës ndërkombëtare. Prioriteti më i lartë është të lëvizjet përpara me zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve. Përfaqësuesi i lartë Borrell ka rikujtuar se rrugët respektive evropiane të Kosovës dhe Serbisë kalojnë përmes dialogut”, tha BE-ja përmes një njoftimi për media.

Palët, që dialogojnë nga viti 2011, vitin e kaluar arritën Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve.

Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Por, BE-ja ka thënë se kjo marrëveshja – e cila nuk është nënshkruar për shkak të refuzimit të Serbisë, por vlerësohet obliguese për palët – nuk ka nisur të zbatohet.

Gjatë takimit në Bruksel më 17 korrik me Gjuriqin, Borrell ka biseduar edhe për avancimin e rrugës drejt BE-së dhe rritjen e bashkëpunimit në fushën e politikës së jashtme dhe sigurisë.

“Përfaqësuesi i lartë Borrell nënvizoi rëndësinë e përshtatjes së Serbisë me qëndrimet dhe vendimet e BE-së në politikën e jashtme dhe sigurisë, përfshirë edhe në kontekstin e luftës së agresionit të vazhdueshëm të Rusisë ndaj Ukrainës. Përfaqësuesi i lartë ka shprehur pritjet e fuqishme të BE-së që Serbia të rrisë përpjekjet e saja drejt përshtatjes së plotë të qëndrimeve, përfshirë edhe masat restriktive”, thuhet në komunikatën e BE-së.

Serbia është shteti i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk ka mbështetur qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme, të cilat kanë të bëjnë me sanksionet kundër Rusisë për shkak të luftës ndaj Ukrainës.

Megjithatë, BE-ja ka falënderuar Serbinë për ndihmën ofruar Ukrainës, pa specifikuar se për çfarë ndihme bëhet fjalë.

“Përfaqësuesi i lartë është në dijeni për ndihmën që Serbia po i ofron Ukrainës dhe popullit të saj”, tha blloku evropian.

Serbia, aleate e Rusisë, pavarësisht se nuk i ka vendosur sanksione Moskës, ka mbështetur disa rezoluta të Kombeve të Bashkuara që dënojnë pushtimin rus të Ukrainës.

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %

Average Rating

5 Star
0%
4 Star
0%
3 Star
0%
2 Star
0%
1 Star
0%

Leave a Reply

Previous post Lojërat Olimpike `Parisi 2024`: Ekipi olimpik i xhudos i Kosovës niset për në Paris
Next post OPINION: ARËSYET PSE NUMRI I PUSHUESVE NGA KOSOVA KA RËNË