Liga e Kombeve: Ndërpritet ndeshja Rumani – Kosovë pas thirrjeve `Serbia, Serbia`
Ndeshja Rumani – Kosovë, mbëmë është ndërprerë në çastet e fundit.
Kjo ka ndodhur pas një incidenti, të cilit i kanë paraprirë një kacafytje e Rrahmanit me Alibec dhe një thirrje e tifozëve rumunë “Serbia, Serbia”.
UEFA do të dalë me informacione të mëtejshme në kohën e duhur,” thuhet në komunikatën zyrtare të publikuar menjëherë pas mbylljes së takimit.
Sipas rregullave të UEFA-s, nëse një kombëtare nuk vazhdon lojën për shkak të thirrjeve raciste, UEFA duhet të ekzaminojë nëse situata justifikon vendimin. Në varësi të hetimit, pasojat mund të prekin njërën ose të dyja palët, por rregulloret synojnë të mbrojnë futbollistët dhe të luftojnë racizmin në sport.
Ndryshe, Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar një paraqitje mbresëlënëse, duke krijuar më shumë raste se Rumania, por ku gola nuk ka pasur.
Skuadra e drejtuar nga Franco Foda ka dominuar, por konkretizimi ka munguar.
Në minutën e gjashtëmbëdhjetë, Jashari ka testuar portierin rumun me një goditje të fuqishme, por ky i fundit e ka ndalur topin.
Rasti më i mirë i pjesës së parë ka ardhur në minutën e njëzet e nëntë, kur Zhegrova ka provuar të shënojë nga afër, por është bllokuar nga mbrojtja rumune. Topi i kthyer ka përfunduar te Muriqi, i cili ka goditur me forcë, por sërish portieri vendas ka qenë i pakalueshëm. Rumania e ka patur një shans të artë në minutën e dyzetë, kur Stanciu e ka goditur shtyllën.
Në pjesën e dytë, Kosova ka vazhduar ta kërkojë golin. Në minutën e shtatëdhjetë e nëntë, Vojvoda ka gjuajtur fuqishëm, por portieri Nita ka bërë një pritje vendimtare.
Pesë minuta më vonë, Asllani ka provuar nga distanca, por goditja ka përfunduar mbi portë.
Në ndeshjen tjetër të grupit, Qipro e ka mposhtur Lituaninë me rezultat 2-1.
Pas ndeshjeve të djeshme, Grupi 2 kryesohet nga Rumania me trembëdhjetë pikë, e ndjekur nga Kosova me dhjetë pikë. Qipro është në vendin e tretë me gjashtë pikë, ndërsa Lituania mbetet pa pikë në fund të tabelës.
Average Rating