Lista Serbe i kërkon Vuçiqit ndërprerjen e dialogut me Kosovën deri në tërheqjen e të gjitha forcave speciale
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, kërkoi nga autoritetet në Serbi që të ndërpresin dialogun me Kosovën, derisa, siç tha ai, “të tërhiqen të gjitha forcat speciale”.
“I kërkojmë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Qeverisë të ndërpresë ose të pezullojë çdo lloj dialogu deri në tërheqjen e të gjitha forcave speciale” të Policisë së Kosovës, tha Rakiq gjatë një konference për media më 27 maj.
Dialogu për normalizimin e plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.
Kjo kërkesë e Listës Serbe vjen një ditë pas rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Grupe të serbëve lokalë u përleshën me Policinë e Kosovës, teksa tre kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut hynë në ndërtesat komunale për të nisur mandatin e tyre.
Policia përdori gaz lotsjellës dhe shok-bomba për të shpërndarë serbët e mbledhur para ndërtesave komunale, teksa në Zveçan u raportua edhe për të shtëna me armë.
Disa makina policore u dogjën, ndërkaq të paktën pesë policë u lënduan.
Lista Serbe, që është partia më e madhe e serbëve në Kosovë, kërkoi po ashtu tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga ndërtesat komunale, dhe zyrtarë të kësaj partie vlerësuan se kryetarët e rinj shqiptarë “janë të paligjshëm”.
Gjatë konferencës për media, Rakiq përsëriti qëndrimin e partisë së tij se serbët nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës derisa të plotësohen kushtet e paraqitura më herët nga ta, përkatësisht themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe tërheqjen e njësive speciale nga veriu./rel
Average Rating