Nga fillimi i muajit të ardhshëm nis regjistrimi i popullsisë në Luginë të Preshevës
Nga fillimi i muajit të ardhshëm në Serbi nis regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave. U bëhet thirrje gjith shqiptarëve të Luginës së Preshevës, përfshirë edhe atyre që janë larguar nga vendlindja, që t’i përgjigjen këtij regjistrimi. Bëjmë me dije se dhjetë vjet më parë, shqiptarët kishin bojkotuar regjistrimin e popullsisë, që më pas Serbia e shfrytëzoi si pretekst për fshirjen nga listat dhe për zvogëlimin e buxhetit për Komunën e Preshevës dhe Bujanocit.
Nga data një deri më datë tridhjetë e një tetor të këtij viti, në Serbi nis aksioni i regjistrimit të popullatës, ekonomive familjare dhe banesave. Ndryshe nga dhjetë vite më parë, kur shqiptarët e patën bojkotuar regjistrimin në Serbi, partitë politike që i tubojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës kësaj radhe kanë arrit konsensus për pjesëmarrje në regjistrim.
Por përkundër unifikimit rreth këtij qëndrimi, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile po mungon një fushatë sensibilizuese.
“Regjistrimi i popullsisë në Luginë të Preshevës është shumë i rëndësishëm, ne i ftojmë qytetarët e Luginës që të marrin pjesë në regjistrim, por shohim se po mungon një fushatë sensibilizuese nga të gjitha partitë politike në Luginë të Preshevës. Pasojat janë të mëdha pasi që mos regjistrimi i tyre po rrugëton drejt shlyerjes nga regjistri civil”, thotë Shefki Jonuzi nga OJQ “Vizioni për Zhvillim dhe Kooperim”.
Thirrje për regjistrim ka bërë edhe ambasadori i OSBE-së i akredituar në Beograd, Jan Braathu.
” Madhësia e popullsisë së një pakice kombëtare, ashtu siç arrihet në regjistrimin e popullsisë, vendos edhe për lartësinë e fondeve për Këshillat Kombëtare të Pakicave Kombëtare, që janë të dizajnuara për të ruajtur identitetin kulturor të një grupi të caktuar. Prandaj unë inkurajoj pjesëmarrjen tuaj dhe bashkëpunimin tuaj me regjistruesit si dhe me institucionet që e zbatojnë këtë proces”, tha ambasador i OSBE-së në Serbi, Jan Braathu.
Se duhet konfirmuar numrin real të shqiptarëve në Serbi, përmes regjistrimit të popullatës e thonë edhe këshilltarët shqiptarë në Kuvendin Komunal të Medvegjës.
“ I ftojë gjithë shqiptarët që kanë mundësi edhe ata që s`kanë mundësi të krijojnë kushtet deri në regjistrimin e popullatës dhe të vijnë së paku kryefamiljari dhe të qëndrojnë në shtëpitë e tyre deri sa të përfundon regjistrimi i popullatës”, tha Florim Beha, këshilltari PD-së në Medvegjë.
Si pasojë e bojkotit të regjistrimit të popullatës dhjetë vite më parë, shqiptarët në Luginë të Preshevës janë përballur me shumë pasoja, tërheqja e institucioneve shtetërore nga pushtetet lokale, mos investimet, zvogëlimin e buxheteve, zvogëlimin e numrit të këshilltarëve në Kuvendin e Këshillit Nacional, deri të shlyerja e shqiptarëve nga regjistri civil. Aktualisht kushtet për regjistrim të popullatës janë të favorshme, meqë një qytetarë mund të ofroj dëshmi për regjistrim edhe për ata që nuk janë rezident në kohën e aksionit për regjistrim.
Average Rating