Parlamenti Studentor thërret në marsh paqësor kundër aktgjykimit të Speciales
Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës ka bërë thirrje për pjesëmarrje në marshin paqësor që do të mbahet më 21 shtator, në shenjë kundërshtimi ndaj aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë.
Marshi do të nisë në orën 11:30 nga Qendra e Studentëve dhe do të vazhdojë drejt sheshit “Skënderbeu”, ku në orën 12:00 studentët do të mbajnë fjalime.
Në një konferencë për media, përfaqësuesi i Parlamentit Studentor, Flon Kastrati, tha se marshi synon të përcjellë mesazhe për unitet, dinjitet dhe solidaritet.
“Ky marsh është thirrje për unitet, dinjitet dhe solidaritet në një moment të rëndësishëm për vendin tonë”, tha Kastrati.
Ai bëri të ditur se, krahas studentëve të UP-së, në marsh pritet të marrin pjesë edhe studentë nga universitete të tjera publike dhe private. Sipas tij, studentët kanë përgatitur edhe një memorandum me gjashtë pika, i cili do të lexohet gjatë aktivitetit dhe do të publikohet pas përfundimit të marshit.
Ndërkaq, Donart Humolli nga Parlamenti Studentor tha se studentët e konsiderojnë vendimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së të padrejtë dhe kërkoi mbështetje për ta deri në përfundimin e procesit gjyqësor.
“Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës ndjen obligim moral dhe përgjegjësi qytetare që të ngrejë zërin sot ndaj vendimit që e konsiderojmë thellësisht të padrejtë ndaj çlirimtarëve tanë”, deklaroi Humolli.
Ai kërkoi mbështetje financiare, politike dhe morale për të akuzuarit, si dhe bëri thirrje për unitet kombëtar. Humolli u bëri apel edhe partive politike që të bashkëpunojnë dhe të vendosin unitetin mbi interesat ditore.
“U bëjmë thirrje të gjitha partive politike në vend që të tregojnë pjekuri, të gjejnë gjuhën e bashkëpunimit dhe të vendosin unitetin mbi interesat ditore”, tha ai.
Përfaqësuesi i Parlamentit Studentor kërkoi gjithashtu hetim dhe monitorim të detajuar të procesit gjyqësor në Hagë nga organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, duke theksuar nevojën për transparencë në këtë proces.
Në fund, Humolli u bëri thirrje organizatave rinore dhe përfaqësuesve të rinisë kosovare që të koordinohen përmes një strategjie të përbashkët dhe të angazhohen në përcjelljen e zhvillimeve që lidhen me procesin gjyqësor në Hagë.

Average Rating