
Partit politike të Kosovës sot përmbyllën fushatën e tyre zgjedhore
Bedri Hamza: Dorëhiqem nëse s’e realizoj premtimin për rritje të pagave
Partia Demokratike fushatën zgjedhore e përmbylli të shtunën në kryeqytet. Kandidati për kryeministër, Bedri Hamza u zotua para qytetarëve se nëse qeveria e tij nuk do t’i realizojë premtimet e dhëna gjatë fushatës, ai do të ofrojë dorëheqje.

Simpatizantë e mbështetës të Partisë Demokratike u mblodhën të shtunën në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, në tubimin përmbyllës të fushatës në të cilin kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, u zotua t’i përmbushë ato që i ka premtuar gjatë fushatës.
Ai tha se do të dorëhiqet, nëse si kryeministër nuk i përmbush premtimet.
“Po ju shikoj në sy sonte dhe po ua jep fjalën që do të punoj me nder dhe çdo premtim do ta realizoj. Unë i qëndroj gjithmonë fjalës sime. Nëse nuk e realizoj premtimin për rritje të pagave dhe pensioneve brenda vitit të parë të mandati tim unë dha dorëheqje. Nuk do të rri asnjë minutë më gjatë nëse thyej fjalën time dhe nëse qeveria ime nuk i realizon premtimet që i kam dhënë. Kjo është besëlidhja që sonte po e kërkoj nga ju”, tha ai.
Nga kryeqyteti u premtoi qytetarëve edhe përmirësim të marrëdhënieve me shtetet aleate të Perëndimit.
“Nga e hëna e 10 shkurtit do t’i përgatis ekipet, do të punoj me ekspertë më të mirë të vendit dhe nga diaspora. Do të filloj dhe të ftoj investitorë nga jashtë dhe nga brenda. Do të koordinohem me aleatët nga SHBA dhe BE. Do të bisedoj me partitë që dëshirojnë bashkimin për një Kosovë më të mirë”, deklaroi Hamza.
Hamza shprehu pritshmëri të mëdha për të dielën.
“Do t’i thyejmë rekordet e daljes në votim. Do t’i thyejmë rekordet e votave dhe do tu tregojmë të gjithëve që një faqe e re e historisë do të hapet”, tha Hamza.
Edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e kërkoi besimin e qytetarëve teksa tha se Partia që e drejton, garon me programin e kandidatit për kryeministër më të mirë.
“Vula e profesionalizimit të tij është në secilin projekt transformues që ka ndodh në Kosovë në dy dekadat e para të lirisë. Bedri Hamza i ngriti pagat dhe pensionet ne të kaluarën, Bedri Hamza e forcoi ekonominë tonë, Bedri Hamza gjithmonë i realizoj premtimet e tij dhe nga e hënë Bedri Hamza do ta bëjë Kosovën më të mirë”, tha Krasniqi.
Partia Demokratike ka premtuar 6 miliardë euro investime në projekte kapitale.
Abdixhiku: LDK-ja është shpresa për Kosovën
Edhe Lidhja Demokratike e ka përmbyllur fushatën me një tubim në kryeqytet. Kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka thënë se partia që e drejton është shpresë për të ardhmen.

Me një video sekuencash nga aktivitetet e ish-presidentit Ibrahim Rugova, Lidhja Demokratike e Kosovës, ka hapur tubimin përmbyllës në Prishtinë.
Kandidati për kryeministër nga radhët e kësaj partie, Lumir Abdixhiku, ka nxitur turmën që përmes dritës së telefonave të tregojnë se sa shumë janë.
Abdixhiku ka thënë se me këtë tubim, është shënuar fillimi i një kapitulli të ri për Kosovën
“Duke ju parë kaq shumë, kaq zjarrtë them me plot bindje se po shkojmë për fitore, fitore dhe asgjë më pak se kaq”, ka thënë ai.
Ai tha se fushata e LDK-së është bërë shembull për të tjerët dhe ka nxitur shpresën për të ardhmen.
“Populli ynë kapërcej gjatë kësaj fushate nxitësit, kapërcej përçarësit. Populli ynë tregoj madhështinë, tregoj urtësinë, tregoj mbi të gjitha vullnetin për të ëndërruar përpara”, deklaroi Abdixhiku.
Abdixhiku ka thënë se thirrja për ndryshim është duke ardhur nga punëtorët, fëmijët e të cilëve janë duke u larguar nga Kosova.
Ai iu përgjigj edhe një deklarate të kryeministrit Albin Kurti, që synon edhe mandatin e ardhshëm.
“Jeta në Kosovë nuk është më e mirë se në Gjermani. Jemi shumë larg në fakt. Po të dashur të rinj, jetën në Kosovë do ta bëjmë të mirë, jemi shumë afër kësaj, jemi vetëm një ditë larg, jemi vetëm një votë larg”, tha Abdixhiku.
Në Prishtinë, Abdixhiku ka përsëritur premtimet e tij për rritje të pagave e pensioneve, për mbulimin e shpenzimeve për fëmijët, për mësimin gjithëditor e për ndërtimin e spitalit të ri.
Haradinaj mbyll fushatën: Do ta bëjmë Trumpin për vete
Koalicioni mes AAK-së dhe subjekteve të tjera, ka përmbyllur fushatën zgjedhore me tubim elektoral që e ka organizuar në sheshin qendror të Pejës. Përfaqësues të partive në koalicion u kërkuan qytetarëve që përmes votës ta ndëshkojnë partinë që qeveris prej katër vjetësh. E, kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj, dha një zotim edhe për raportet me SHBA-në.

Premtimet e fundit për zgjedhjet e 9 shkurti, përfaqësues të Koalicionit për Kosovën Fituese i dhanë në Pejë.
Në tubimin përmbyllës të mbajtur të shtunën në sheshin qendror të këtij qyteti, kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj, premtoi një varg investimesh dhe kërkoi mbështetjen e pejanëve.
“Duam Pejës me ia dhanë hakun e vet se është taksapaguesja më e madhe në Kosovë. Peja me vuajt për qarkore, për hyrje-dalje, për transit, për rrugën deri në Kuqishtë. Peja mos me pas stadium, mos me pas ngrohtore, nuk lejojmë më. Duam t’i kryejmë e jo si këta që i premtojnë e kurrë si bëjnë”, ka thënë Haradinaj.
Edhe në Pejë, Haradinaj u zotua se me të kryeministër nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë.
Ai premtoi mbështetje edhe për prodhuesit vendorë dhe për bizneset.
“Po 137 se dojmë me u dhanë mbështetje fermerëve, bujqve në gjithë vendin. Pa prodhim, pa industri të prodhimit nuk jeton asnjë popull. Do t’i përkrahim si i ka hije. Duam pra paga të dinjiteshme për të gjithë, i dojmë për punëtorët në sektorin privat, i dojmë me i zhvillu bizneset tona duke i rritë, duke i fuqizu e jo duke i terrorizu përmes inspektorëve”, ka thënë ai.
Gjatë fjalës së tij, Haradinaj theksoi se do t’i përmirësojë marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në.
“Me ua marrë zemrën, me e ba për veti edhe presidentin Trump edhe popullin e Amerikës prapë dhe krejt udhëheqësve të shteteve që na kanë ndihmu në ditë të vështira”, ka deklaruar Haradinaj.
E kryetari i Nisma-s, Fatmir Limaj, tha se të dielën, në ditën e votimit, qytetarët do të rreshtohen krah subjektit politik që i përket. Ai ftoi qytetarët për ta ndëshkuar me votë qeverisjen aktuale.
“Ai vjen këtu, premton e flet sikur me qenë Lenin i vogël, e ku, në Pejë. Edhe ku, ku vjen e na shpalos programin e mjerimit, ai na fton në mjerim e varfëri. Ai ju thotë burra e gra të Kosovës krejt çka keni kam me ua marrë, bimni mua. Edhe shtetin, edhe ligjin, edhe prokurorinë, edhe votat, edhe popullin edhe fëmijën”, ka thënë Limaj.
E kandidati për deputet, Shemsedin Dreshaj, qytetarëve të Pejës u tha se duke e votuar numrin 137 do të largohet 15-vjeteshi që e cilësoi diskriminues nga skema pensionale, si kusht për pension kontributdhënës.
VV-ja i pret në aeroport mbështetësit nga mërgata
Një ditë para datës së zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka shënuar ndonjë aktivitet sikurse ka bërë gjatë një muaji. Megjithëkëtë, zyrtarë të saj, përfshirë kandidatin për kryeministër, Albin Kurti, kanë pritur në Aeroportin e Prishtinës mbështetësit nga mërgata.
Kryeministri Albin Kurti që synon edhe një mandat, si dhe kandidatë për deputetë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë pritur mbështetës të tyre të shtunën në Aeroportin e Prishtinës.
“Mërgata fluturon, voton dhe feston”, është mesazhi që është sjellë nga një numër mërgimtarësh.
Kurti u është bashkuar atyre për fotografi e për të brohoritur numrin e Vetëvendosjes në këto zgjedhje.
Disa prej kandidatëve i janë bashkuar edhe festës që është zhvilluar në hapësirat e aeroportit.
Ndryshe nga partitë tjera, Lëvizja Vetëvendosje tubimin përmbyllës e ka mbajtur të premten mbrëma në Prishtinë.
E një ditë para ditës së zgjedhjeve, këtij subjekti politik i ka ardhur një mesazh mbështetës nga Franca.
Sekretari i parë i Partisë Socialiste të Francës, Olivier Faure, ka bërë thirrje për mbështetje të Vetëvendosjes e të Albin Kurtit.
Ai ka thënë se gjatë këtij mandati, Qeveria ka siguruar stabilitet në Kosovë e me gjithë pengesat ka orientuar vendin drejt standardëve evropiane.
“Dhe sot arritjet janë të dukshme. Si në rastin e mbështetjes për foshnjat, pastaj rritjes së pensioneve, shkollimit universitar falas, përfshirjes së grave dhe të të rinjve në tregun e punës, deri te ai i mbështetjes për tranzicion ekologjik. Për të gjitha këto arritje mund të jeni krenarë dhe po ashtu t’i thoni vetes se sot jeni në rrugën e duhur që nesër Bashkimi Evropian t’ju hapë dyert e tij”, tha Faure.
Kurti ka pranuar mbështetje edhe nga ish-kongresisti republikan i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Joe DioGuardi.
Derisa dita e fundit e fushatës nuk është shënuar me ndonjë aktivitet nga Kurti, ai ka përmbledhur ato që janë zhvilluar në dy ditët e fundit në Prishtinë, Pejë, Drenas, Klinë, Istog, Malishevë, Leposaviq, Zubin Potok e Mitrovicë të Veriut.
Average Rating