Pas tensioneve të paradites, situata në veri të Kosovës është e qetë

Read Time:7 Minute, 26 Second

Situata e sigurisë në komunat veriore të vendit u përshkallëzua të premten, pasi kryetarët e rinj në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok, të dalë nga zgjedhjet lokale të 23 prillit, shkuan sot në zyrat e tyre për të ushtruar mandatet e fituara.

Situata në tri komunat veriore të vendit u tensionua në orët e paradites, në kohën kur kryetarët e rinj, të cilët dhanë betimin një ditë më herët, filluan ditën e tyre të parë të punës.

Strukturat paralele serbe, duke organizuar grupe protestuesish në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, tentuan ndalimin e hyrjes së kryetarëve në objektet komunale përmes sulmeve në drejtim të Policisë së Kosovës dhe automjeteve të tyre zyrtare.

Sjellim një kronologji të ngjarjeve të ditës së sotme në këto komuna.

Në mesditë u ndez alarmi në komunën e Zubin Potokut, ku dhjetëra serbë u mblodhën në afërsi të objektit të komunës, për të parandaluar në objekt hyrjen e kryetarit të sapo zgjedhur të komunës, Izmir Zeqiri.

Ndërkohë, në një komunë tjetër, në Zveçan, kryetari i sapo zgjedhur, Ilir Peci, hyri në zyrën e tij në ndërtesën e komunës.

Ai konfirmoi për RTK-në se ndodhet në zyrën e tij, për të kryer detyrën në ditën e parë të punës si kryetar i komunës.

Strukturat paralele serbe, në shenjë pakënaqësie, dogjën një automjet në Policisë së Kosovës.

Vuçiq urdhëron ushtrinë për ngritje të gatishmërisë luftarake

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pak para orës 14:00, lëshoi një urdhër për ushtrinë e Serbisë.

Ai kërkoi  ngritjen e gatishmërisë luftarake në nivelin më të lartë.

 “Është urdhëruar një lëvizje urgjente drejt vijës administrative me Kosovën”, tha ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq për mediat serbe, duke iu referuar kufirit Kosovë-Serbi.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nuk deshi të flasë për zhvillimet në veri.

Nga Vushtrria, shefi i qeverisë tha shkurt për RTK-në se për këtë çështje do të përgjigjen në Prishtinë.

Serbët lokalë bllokuan  rrugën në qendër të Leposaviqit, që çon drejt ndërtesës së komunës.

Gazetarja e RTK-së, Arlinda Sejda nga Leposaviqi raportoi se një kamion ka hedhur zhavorr dhe është vendosur në rrugën që çon drejt kësaj ndërtese.

Ndërkohë,  pjesëtarët e Policisë së Kosovës rrethuan ndërtesën e komunës në Leposaviq.

Përveç policisë, të pranishëm ishin edhe KFOR-i amerikan, të cilët kanë  monitoruar situatën.

Pesë policë të lënduar në veri

Pesë policë u lënduan nga persona të strukturave paralele në zhvillimet e sotme në veri, u konfirmua për RTK-në nga Policia e Kosovës.

Reagon AGK: Gazetarët, të rrezikuar gjatë raportimeve nga veriu

Pas situatës së tensionuar në veriun e vendit ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), duke shprehur shqetësim për sigurinë e gazetarëve, kameramanëve e fotografëve gjatë raportimit nga kjo zonë. Ky asociacion i mediave kërkon nga Policisë së Kosovës që të mundësojnë raportim të sigurt nga atje.

Bislimi: Të ardhur me votë, kryetarët mund të rrëzohen vetëm me votë

Kryetarёt e komunave tё Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, që u betuan dje, e kanë obligim ligjor tё fillojnё punёn menjёherё. Kështu deklaroi zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi. Sipas tij, institucionet publike e kanё obligim tё sigurojnё kushtet qё tё njëjtët tё ushtrojnё detyrat dhe pёrgjegjёsitё e tyre.

SHBA dënon veprimin e autoriteteve të Kosovës në veri

Për situatën e sotme të tensionuar në veri të Kosovës, ka reaguar edhe Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier.

Me një deklarim në llogarinë e tij në Twitter, ai ka dënuar veprimet e autoriteteve të Kosovës për të hyrë në ndërtesat e komunave, në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë veprimet e vazhdueshme të autoriteteve kosovare për të hyrë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës”, shkruan Ambasadori Hovenier.

“Masat e sotme të dhunshme duhet të ndërpriten menjëherë”, shkroi kreu i diplomacisë amerikane në Kosovë.

Kryesuesi i OSBE-së kërkon uljen e tensioneve në veri

Kryesuesi i OSBE-së njëherësh ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani ka bërë thirrje për de-përshkallëzim të situatës në veri të vendit.

Ai përmes një postimi në Twitter ka kërkuar ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë.

Hiqet barrikada, flamuri i Kosovës vendoset në komunën e Leposaviqit

Gazetarja Arlinda Sejda që ndodhet në Leposaviq, njoftoi se flamuri u vendos jashtë ndërtesës së komunës.

Policia e Kosovës largoi kamionin e  vendosur si barrikadë në rrugën afër ndërtesës së komunës së Leposaviqit.

Ky kamion ishte vendosur disa metra larg ndërtesës së komunës, ku edhe ishte vendosur një sasi zhavorri në rrugë.   

Kryetari Peci lëshon objektin e komunës

Rreth orës 19:00, kryetari i ri i komunë së Zveçanit, Ilir Peci,  e ka lëshuar objektin e komunës. Ai në mes tensionesh qëndroi në zyrë për disa orë.

RTK raporton se situata në këtë komunë aktualisht është e qetë.

Reagime të shumta për situatën në veri

Chris Murphy, senator amerikan

“Në takimin tim të hënën në Prishtinë me kryeministrin Kurti, ai nuk përmendi një plan për qasje në ndërtesat komunale. Si mik i Kosovës jam kapur totalisht në befasi dhe duhet t’i japë fund këtij provokimi menjëherë”, shkroi Murphy.

Lumir Abdixhiku, Lidhjes Demokratike të Kosovës

“Qeveria e Kosovës duhet të shmanget nga çfarëdo gracke potenciale destabilizuese që vie nga Serbia e më pas përkthehet në koncesione tjera dialoguese për Republikën e Kosovës. Përgjegjësia dhe sjellja e matur në këto momente është jetike për funksionimin e Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Reagimi i PDK-së

“Në këtë moment, të vetëdijshëm se përshkallëzimi i situatës nuk i sjellë asnjë dobi Kosovës, bëjmë thirrje për përmbajtje, rend dhe qetësi, për t’i lënë hapësirë respektimit dhe zbatimit të vullnetit të qytetarëve”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës

“Tensionet në veri janë të papranueshme! Sulmet dhe lëndimi i policëve janë akt i rëndë dhune dhe si të tilla janë të dënueshme. Serbët lokalë të heqin dorë nga dhuna dhe të mos bijnë pre e interesave politike të Aleksandër Vuçiqit, të cilit edhe ashtu po i lëkundet pushteti”, ka thënë Haradinaj.

Carl Bildt, diplomat suedez

“Është Vuçiq që ka interes të provokojë tension për të larguar vëmendjen nga më shumë çështje të brendshme në Serbi. Sido që të jetë sfondi, situata Serbi-Kosovë po përkeqësohet qartë – përsëri!”, ka thënë ai.

Reagimi i Bashkimit Evropian

“Ne dënojmë fuqishëm sulmet ndaj patrullave të misionit civil të BE-së në Kosovë, EULEX. EULEX-it duhet t’i lejohet të zbatojë mandatin e tij në mënyrë paqësore. Të gjithë duhet të ndërmarrin veprime për të qetësuar situatën e tensionuar dhe për të rivendosur qetësinë menjëherë. BE-ja nuk do të pranojë asnjë veprim të mëtejshëm të njëanshëm ose provokues dhe ruajtja e paqes, dhe siguria në terren duhet të jetë prioritet”, ka thënë ai. “Siç ka deklaruar vazhdimisht BE-ja, zgjedhjet e fundit të pjesshme në veri të Kosovës nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë për komunat e përfshira. Një zgjidhje e tillë mund të gjendet vetëm përmes një dialogu real ndërmjet të gjitha palëve kyçe, që përfshijnë Kosovën, Serbinë dhe komunitetin serb të Kosovës – nën lehtësimin e BE-së”.

Reagimi i Presidentes së Kosovë, Vjosa Osmani

“Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm, ndaj mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj. (Neni 2 i Kushtetutës) Veprimet e Policisë së Kosovës ndaj strukturave ilegale e bandave kriminale të Vuçiqit janë legjitime, në realizim të detyrave të tyre kushtetuese dhe në mbrojtje të të gjithë qytetarëve, pa dallim”, ka thënë Osmani. “Qëndrueshmëria, jetëgjatësia dhe suksesi i këtyre veprimeve varen njëkohësisht edhe nga koordinimi me aleatët që ishin dhe mbeten garantues të sovranitetit dhe pavarësisë sonë. Bashkë, jemi gjithnjë më të fortë!”. 

Reagimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Përveç Sekretarit Amerikan Antony Blinken edhe Departamenti Amerikan i Shteitit ka lëshuar një komunikatë zyrtare për media përmes së cilës dënojnë veprimet e Qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat e komunave në veri të Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënojnë ashpër veprimet e Qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, veprime që ajo ndërmori kundër këshillave të Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë të Kosovës. Këto veprime kanë përshkallëzuar në mënyrë të ashpër dhe të panevojshme tensionet, duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të kenë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe me Kosovën. I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të ndryshojë kursin dhe të gjitha palët të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm që do të ndezë tensionet dhe do të nxisë konfliktin”, thuhet në reagimin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Sekretari Blinken, më tej, i bëri thirrje kryeministrit Kurti që ti ndalojë menjëherë këto masa të cilat i quajti të dhunshme dhe të ripërqendrohet në dialogun e ndërmjetësuar nga BE.

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %

Average Rating

5 Star
0%
4 Star
0%
3 Star
0%
2 Star
0%
1 Star
0%

Leave a Reply

Previous post Shkrihet Akademia e Studimeve Albanologjike
Next post Vuçiqi pas situatës në veri të Kosovës, ngre gatishmërinë luftarake në nivelin më të lartë