
Pse Familja Trashëgimtare e Skënderbeut, nuk ka Status Diplomatik në Shqipëri…?!
Pse Familja Trashëgimtare e Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut, nuk ka Status Diplomatik në Shqipëri…?!

Dje, në Lezhë, në Ditën e Kuvendit të Lezhës, në përurimin e Shtatores së Skënderbeut – Heroit tonë Kombëtar, nuk ishte ftuar, sikurse herë të tjera, Loris Kastriota Skanderbegh II – në Itali, Pasardhës i Familjes së Skënderbeut.
Ky fakt, edhe po të jetë një harresë rastësore zyrtare, nuk e nderon aspak Kryebashkiakun Lezhës, Pjerin Ndreu…!
Ky fakt më shtyni të trajtojë një çështje ma shumë se një Ftesë për Pasardhësit e Familjes së Skënderbeut; të ngrejë një çështje ma shumë se përurimi i një Shtatorje të Skënderbeut në vendin e Kuvendit të Beslidhjes Arbërore e të vendvarrimit të Tij, të flasë për vlerësimin e sotëm shtetëror, për Statusin Diplomatik të Familjes Trashëgimtare të Heroit tonë Kombëtar:
Nuk është as në nderin e Shtetit Shqiptar, që në mbi tre dekada demokraci, nuk i ka dhënë Familjes Pasardhëse të Skënderbeut një Status Diplomatik me atributet përkatëse, me qëndrim në Tiranë, siç ka shembuj të ngjashëm edhe në Shqipërinë e pas 1990-tës, edhe në disa shtete euroatlantike në BE dhe NATO…!
Skënderbeun e mbajmë kudo, në histori, në zyra, në shtatore, po pasardhësit e Familjes Skënderbegiane i mbajmë larg, i lamë në mërgim, sikurse tash pesëqind vjet, pa një Status Diplomatik në Tiranë – kryeqytetin e Shqipërisë.
Mendo sadopak Politikë Shqiptare, Shteti ynë Shqiptar, sikur pas pesë shekujsh të kthehej në Shqipëri Familja e Skënderbeut, sa ndikim do të kishte edhe në një ulje të mërgimit të madh shqiptar në dhera të huaja…!
Mendo sadopak Shteti ynë Shqiptar, Diplomacia jonë Shqiptare, sa nder e nderime historike, shtetërore, diplomatike, do i bënte Vendit tonë e Kohës Tonë, prania në Tiranë e Pasardhësit të Familjes së Skënderbeut me një Status Diplomatik e atributet përkatëse shtetërore!
Sigurisht, nuk po kërkojmë që ta sillni në Fronin e Shqipërisë Pasardhësin e Skënderbeut – Heroit tonë Kombëtar, po është koha e duhur dhe e mundshme që Diplomacia e Politika Shqiptare të përmirësojnë e ndryshojnë sjellje ndaj vlerësimit plotor e nderimit të gjithanshëm të Figurave Kombëtare Shqiptare, edhe ndaj Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut të lavdishëm, ndaj Pasardhësve të Familjes së Tij të sotme, në Itali.
Ende nuk e di saktësisht në se Pasardhësit e Familjes së Skënderbeut do të vinin nga Italia në Shqipëri, por mendoj se ka ardhë koha, dita, ora, që të kenë Status Diplomatik me të gjitha atributet shtetërore të qëndrimit të përhershëm në Tiranë- Kryeqytetin metropolitan të Shqipërisë.
Ramiz LUSHAJ
Dardani, 3 mars 2025
Average Rating