Ramush Haradinaj: Jemi për një qeveri të unitetit kombëtar, përfshirë edhe VV-në
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në një konferencë për media tha se në mbledhjen e kryesisë kanë diskutuar për krijimin e një qeverie të unitetit kombëtar deri në zgjedhjet e ardhshme.
Sipas tij, qeveria Kurti është në drejtim të rrezikshëm dhe po e rrezikon Kosovën.
Pas takimit të kryesisë së AAK-së, Haradinaj ka thënë se për këtë arsye kanë iniciuar edhe mocion mosbesimi për qeverinë.
Haradinaj njoftoi se kanë vendosur për krijimin e disa strukturave për t’u përballur me gjendjen aktuale në vend.
“Kurti dhe qeveria Kurti është në drejtim të rrezikshëm dhe po e rrezikon Kosovën, ekzistencën tonë, zbatimin e ligjit në veri dhe marrëdhëniet me aleatët tanë. Si mundësi brenda demokracisë sonë për të vepruar në Parlament, sot diskutuam edhe forma tjera dhe veprime potenciale për t’u përballur me qeverinë Kurti dhe me rreziqet që ja shkakton ajo vendit. Njëkohësisht vendosëm krijimin e disa strukturave për t’u përballur me gjendjen aktuale”, tha ai.
Haradinaj tha se kanë diskutuar edhe mundësinë e një qeverie të unitetit kombëtar ku do të përfshiheshin të gjitha partitë politike, përfshirë edhe VV-në.
“Do të vazhdojmë bashkëpunimin me opozitën, pra me të gjithë deputetët e Parlamentit të Kosovës përjashtuar Listën Serbe, për mocionin. Sipas bindjes sonë nuk e kemi luksin të shkojmë në zgjedhje. Kemi diskutuar si opsion edhe mundësinë e një qeverie të unitetit kombëtar ku do të ishin të gjitha partitë politike, përfshirë edhe VV-në. Pra, një qeveri të ardhshme pa Kurtin. Është e pakuptimtë të vazhdojmë të sillemi normalisht në Parlament me punët e zakonshme pasi nuk është situatë e zakonshme”, tha ai.
Ai u shpreh se do të bashkëpunojnë me opozitën për bojkot në Parlament por edhe për mundësinë e protestave.
Average Rating