
Vuçiq, Lajçakut: Serbët në Kosovë po përjetojnë tortura
Pas vizitës në Prishtinë, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka vazhduar vizitën në Beograd. Në përpjekje për të shtensionuar situatën në veri të Kosovës, Lajçak është pritur në takim nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Ne patëm një bisedë të sinqertë dhe të hapur për rrugën përpara, duke përfshirë nevojën për zgjedhje të reja lokale me pjesëmarrjen e serbëve dhe kthimin në dialog. Takimi dhe udhëtimi ndihmuan të qartësohen hapat e ardhshëm”, ka shkruar Lajçak në Twitter pas takimit me presidentin serb..
Ndërsa ky i fundit tha se me Lajçakun biseduan për situatën në Kosovë, mënyrat për të qetësuar tensionet në terren dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani.
“Edhe një herë paralajmërova se populli serb në Kosovë është i ekspozuar ndaj torturave dhe persekutimeve më të rënda në 15 vitet e fundit dhe ripërsërita kërkesat për respektimin e të drejtave dhe sigurisë së tyre. I kam bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të angazhohet më konkretisht për të gjitha këto çështje”, shkroi Vuçiq në një postim në Instagram.