
Reagimet pasi Gjykata Speciale nuk e lejon Thaçin për varrimin e babait
Gjykata Speciale në Hagë nuk ka lejuar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të babait të tij.
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka reaguar duke shprehur indinjatën dhe revoltën e saj të thellë siç thonë ndaj vendimit të padrejtë, jo human dhe të papranueshëm të Gjykatës Speciale, e cila sipas kësaj organizate, ka refuzuar lirimin e bashkëluftëtarit të tyre, ish-presidentit, Hashim Thaçi që të marrë pjesë në ceremoninë mortore dhe të japë lamtumirën e fundit babait të tij.
Gjykata Speciale në Hagë nuk ka lejuar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të babait të tij.Nga OVL e UÇK-së thonë se ky vendim nuk është vetëm një shkelje flagrante e të drejtave themelore të njeriut, por edhe një akt që bie ndesh me vlerat universale të humanizmit dhe drejtësisë.
“Të ndalosh një bir që t’i japë nderimin e fundit babait të tij, është një akt i dhimbshëm që cenon dinjitetin dhe ndjenjat më të thella njerëzore”, thuhet në reagim.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka konsideruar këtë veprim si një akt të qëllimshëm dhe dashakeq të Gjykatës Speciale, që siç thonë ata synon të poshtërojë dhe të degradojë jo vetëm Hashim Thaçin dhe familjen e tij, por të gjithë ish luftëtarët dhe vlerat për të cilat ata luftuan, në shenjë hakmarrje për mungesën e provave për inkriminimin dhe dënimin e drejtuesve të UÇK-së.
OVL e UÇK-së bënë thirrje institucioneve ndërkombëtare, organizatave të drejtave të njeriut, institucioneve dhe faktorit politik të Kosovës dhe Shqipërisë që të reagojnë fuqishëm ndaj kësaj shkeljeje të të drejtave themelore dhe të marrin masa që raste të tilla të mos përsëriten, sepse të drejtat themelore nuk duhet të jenë objekt i abuzimit apo i hakmarrjeve.
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po ashtu deklaron se nuk do ta toleroj heshtjen e institucioneve të Republikës së Kosovës ndaj shkeljeve, abuzimeve dhe trajtimit përçmues që po iu bëhet bashkëluftëtareve tanë nga Gjykata Speciale në Hagë!

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka quajtur të padrejtë vendimin e Gjykatës Speciale për të mos lejuar ish-presidentin Hashim Thaçi të marrë pjesë në varrimin e babait të tij.
Përmes një postimi në Facebook, Ministrja ka bërë të ditur se do t’i shkruaj kryetares së Dhomave të Specializuara.
Tutje Haxhiu e ka cilësuar këtë vendim si absurd dhe shkelje të të drejtave themelore njerëzore.
“Proceset gjyqësore duhet të jenë të drejta e të bazuara mbi respektimin e të drejtave më elementare njerëzore. Nuk ka gjë më njerëzore sesa të marrësh pjesë në varrimin e prindit. Andaj, krejt absurde nga ajo që kuptuam nga mediat se ish-presidentit Thaçi nuk i është dhënë leja për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të babës”, ka thënë Haxhiu.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Speciale për të mos e lejuar ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, të marrë pjesë në varrimin e babait të tij.
Në një postim në rrjetin social ‘X’, Rama e ka cilësuar vendimin si një “poshtërim të ri” dhe kritikoi ashpër Gjykatën Speciale, duke e akuzuar për shndërrimin e drejtësisë ndërkombëtare në një farsë.
“Një poshtërim i ri nga një tribunal i turpshëm dhe i paturpshëm, i cili e ka kthyer drejtësinë ndërkombëtare në një farsë, të drejtat demokratike në fjalë boshe dhe vullnetin e mirë të Parlamentit të Kosovës në bumerangun më brutal!”, ka shkruar Rama.


Average Rating