
Shqipëri: Mijëra qytetarë protestuan në Tiranë në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së
Mijëra qytetarë, të ardhur nga të gjitha viset e shqiptarisë, janë mbledhur të premten pasdite në sheshin “Skënderbej” të Tiranës në një protestë gjithëpopullore në mbështetje të ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me drejtësinë në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Me moton “Liria Ka emër” kjo protestë ka bashkuar qytetarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Presheva dhe diaspora të cilët mbajnë në duar flamuj kuqezi dhe pankarta me thirrje kombëtare për lirimin e ish-drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Me flamujt kuqezi, flamuj të UÇK-së, këngë patriotike dhe bluza të stampuara “Liria ka emër”, qytetarët jane shprehur mjaft entuziastë për këtë protestë të organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Në protetestë ishin të pranishëm deputetë të Shqipërisë, e përfaqësues politik nga Kosova, Presheva e Maqedonia e Veriut.
Protesta është organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe ka për qëllim të kërkojë drejtësi për të akuzuarit dhe të mbrojë vlerat e luftës çlirimtare.
Ahmeti: Akuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së janë riciklim i të mëparshmeve
Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së, në tubimin protestues që po mbahet në Tiranë në sheshin “Skënderbej”, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po mbahen në paraburgim nga Gjykata Speciale në Hagë, tha se në këtë tubim po ngremë zërin për drejtësi, për respekt për njohje të luftës sonë të drejtë.

Ai shtoi se aktakuza e ngritur ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk ka të bëjë me trafikim organesh, por një riciklim i akuzave të mëhershme ndaj Ramush Haradinajt, Fatmir Limajt e të tjerëve.
Ahmeti tha se në këtë tubim po ngremë zërin për drejtësi, për respekt për njohje të luftës sonë të drejtë për pragun e shtëpisë, për liri e demokraci, për pavarësi e miqësi me Amerikën dhe Evropën.“Zanafilla e Gjykatës Speciale të Kosovës është nga raportime trilluese ruso-serbe për trafikim organesh që bëri bujë padrejtësisht në botë. Këtë çështje inekzistente që doli nga kuzhinat e shërbimeve serbe, me institucione ruse, e hetoi edhe Tribunali i Hagës dhe konstatoi se nuk është e vërtetë dhe e mbylli hetimin”, nënvizoi Ahmeti.
Ai më tej shtoi se këtë temë e mediatizoi Dick Marty me prorosi ruso-serbe dhe inicoi miratimin e raportit në KE që detyroi themelimin gjykatës për të hetuar trafikimin e trilluar të organeve.
“Pra kjo gjykatë u themelua që të zbardhë pretendime për trafikim organesh me mandat nga 1 janar 1998 deri më 31 dhjetor 2000”, theksoi Ahmeti, teksa shtoi se kjo gjykatë u themelua nga vetë Kosova me qëllim që t’ia pamundësonte Serbisë që nëpërmjet Rusisë ta themelonte atë në KS të OKB-së dhe ta rikthente UNMIK-un, ku Rusia ka të drejtë vetoje.
Tutje, Ahmeti vuri në dukje se aktakuza e ngritur ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk ka të bëjë me trafikim organesh, por një riciklim i akuzave të mëhershme ndaj Ramush Haradinaj, Fatmir Limajt e të tjerëve.
Gucati: Gjykata Speciale ka humbur besimin e shqiptarëve
Tubimi, i thirrur nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, nisi me himnin kombëtar dhe thirrjet “UÇK”, ndërsa pjesëmarrësit kërkuan drejtësi për ish-krerët Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
“Ne sot po protestojmë për të ngritur zërin për drejtësi, për të mbrojtur luftën e shenjtë të UÇK-së, për të mbrojtur gjakun e derdhur për liri dhe nderin e çlirimtarëve tanë,” tha kryetari i Organizatës së Veteranëve të luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati.
Ai shtoi se UÇK-ja nuk ka nevojë të dëshmojë karakterin e saj çlirimtar, pasi këtë e ka dëshmuar historia, populli dhe dëshmorët e kombit. Sipas tij, gjykata të padrejta po përpiqen ta njollosin luftën, por shqiptarët nuk do të lejojnë që të përdhoset emri i komandantëve.“Kjo protestë nuk ka lidhje me politikën, është protestë e popullit shqiptar.
Ne nuk po kërkojmë mëshirë, por drejtësi para ligjit dhe para historisë. Tirana sot është kryeqyteti i gjithë shqiptarëve,” theksoi ai.
Në përmbyllje të fjalës së tij, Gucati u shpreh se Gjykata Speciale ka humbur besimin e shqiptarëve dhe se proceset që po zhvillohen në Hagë janë të njëanshme dhe të padrejta.
Moisiu: Jemi mbledhur për të mbrojtur dinjitetin kombëtar
Ndërsa ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, tha se pjesëmarrësit janë mbledhur për të mbrojtur dinjitetin kombëtar dhe për të ngritur zërin kundër padrejtësisë që, sipas tij, po u bëhet bijve më të mirë të Kosovës dhe të kombit shqiptar, të cilët luftuan për lirinë e atdheut.

Ai kujtoi vizitën që kishte zhvilluar bashkë me ish-presidentët Rexhep Meidani dhe Behgjet Pacolli në Hagë, ku kishin takuar ish-krerët e UÇK-së. Sipas tij, ata po qëndrojnë të qetë dhe të vendosur për të sakrifikuar në mbrojtje të pastërtisë së luftës së UÇK-së, e cila padrejtësisht po tentohet të njolloset nga ata që, siç tha Moisiu, “nuk ia duan të mirën shqiptarëve”.
“Ata nuk kanë kryer krime, por kanë bërë detyrën më të lartë që njeh historia bashkëkohore – çlirimin e Kosovës dhe mbrojtjen e popullit të vet,” deklaroi Moisiu.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama, ka reaguar në Facebook pas protestës që u mbajt në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së. Ai ka theksuar rëndësinë e bashkimit të shqiptarëve nga të gjitha trojet dhe diasporës dhe ka përshkruar atmosferën e protestës si simbol të unitetit kombëtar.

“Sot, ky shesh frymon me gjakun dhe nderin e të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë tonë!” dhe ka theksuar se sheshi ishte “zemra e kombit që rrah me një ritëm të vetëm: ritmin e dinjitetit, të kujtesës dhe të krenarisë”, ka shkruar Rama.
Ai ka nënvizuar respektin për luftëtarët e UÇK-së dhe sakrificën e tyre për kombin. “Në këtë shesh, përkulemi me mirënjohje para atyre që rrokën pushkën për nder, për tokë, për gjuhë”, ka potencuar kreu i Prishtinës.
Rama ka theksuar drejtësinë e luftës së UÇK-së dhe rëndësinë e gjakut të djemve e vajzave të saj për shtetin e Kosovës. “Se lufta jonë ishte e drejtë, e pastër, çlirimtare! Se gjaku i djemve e vajzave të UÇK-së është themel i shtetit të Kosovës dhe forca e gjallë e qenies shqiptare në Ballkan”, ka shkruar ai.
Ai mes tjerash ka bërë thirrje që kjo ditë të shërbejë si një betim i ri kombëtar, duke kujtuar sakrificën dhe drejtësinë.
“Nga ky shesh, le të ngrihet një zë i vetëm: Nder për luftëtarët e lirisë! Krenari për bijtë e kombit! Drejtësi për çlirimtarët! Tirana, Prishtina, Shkupi, Ulqini, Presheva, diaspora janë sot një trup, një zemër, një flamur Asnjë mur, asnjë pengesë, asnjë proces s’ka forcë me nda atë që u lidh me gjak e me besë”, ka shkruar Rama.
Average Rating