Vazhdojnë tensionet në Tiranë, përplasje me policinë dhe dëmtime materiale

Read Time:4 Minute, 21 Second

Protesta e studentëve në Shqipëri ka vazhduar edhe gjatë ditës së tretë, duke u shoqëruar me tensione, përplasje me policinë dhe dëmtime të pronës publike e private. Protestuesit, të cilët kundërshtojnë rritjen e kostove të arsimit dhe korrupsionin, kanë kërkuar edhe dorëheqjen e qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Sipas mediave në Shqipëri, gjatë tri ditëve të protestave janë lënduar 71 punonjës të policisë, ndërsa forcat e rendit kanë përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion për shpërndarjen e protestuesve.

Mediat në Shqipëri raportojnë se studentë dhe gjimnazistë kanë bojkotuar mësimin dhe kanë marshuar në rrugët e Tiranës, ndërsa protestat janë shtrirë edhe në qytete të tjera të vendit.

Në kryeqytet, protestuesit janë mbledhur pranë Ministrisë së Arsimit dhe Kuvendit, ndërsa tensionet janë përshkallëzuar në disa pjesë të qytetit, përfshirë Rrugën e Durrësit dhe bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Sipas Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH), persona të maskuar u kanë vënë flakën disa kioskave dhe tabelave të reklamave përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, si dhe një pishe. Po ashtu, janë raportuar dëmtime të bizneseve private dhe hapësirave publike.

Policia ka krijuar një kordon sigurie përpara Kryeministrisë, ndërsa ka përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë protestuesit. Nga ana tjetër, disa protestues kanë hedhur gurë dhe mjete piroteknike në drejtim të forcave të rendit.

Sipas raportimeve të mediave shqiptare, protestuesit janë shpërndarë edhe përgjatë parkut “Rinia”, ndërsa përplasjet me policinë kanë vazhduar në pjesë të ndryshme të kryeqytetit.

Policia: 71 efektivë të lënduar gjatë tri ditëve

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka deklaruar në një konferencë për media se gjatë tri ditëve të protestave janë lënduar 71 punonjës të policisë, disa prej tyre me dëmtime të rënda.

“Prej gati 72 orësh, kryeqyteti po përballet me një valë dhune, sulmesh, zjarrvëniesh dhe shkatërrimesh ndaj institucioneve shtetërore, pronës publike dhe private, duke vënë në rrezik jetën dhe sigurinë e qytetarëve. Në këto ngjarje deri në këto momente, gjatë përmbushjes së detyrës për mbrojtjen e rendit dhe sigurisë publike, janë plagosur 71 punonjës të Policisë së Shtetit, disa prej tyre me dëmtime të rënda”, ka deklaruar Hita.

Ai ka theksuar se e drejta për protestë është e garantuar me Kushtetutë, por, sipas tij, ajo nuk mund të përdoret për të justifikuar dhunën dhe dëmtimin e pronës.

“Policia e Shtetit garanton të drejtën kushtetuese të çdo qytetari, studenti apo force politike për të protestuar paqësisht. Por protesta nuk mund të jetë mburojë për dhunën, zjarrvënien, grabitjen dhe shkatërrimin e pronës publike e private”, ka thënë ai.

Hita u ka bërë thirrje edhe prindërve, mësuesve dhe pedagogëve që të mos lejojnë përfshirjen e të miturve në akte dhune.

Dy policë dhe katër protestues nën kujdes mjekësor

Ndërkohë, sipas raportimit të Radio Televizionit Shqiptar (RTSH), Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se dy efektivë të Policisë së Shtetit dhe katër protestues ndodhen nën kujdesin mjekësor në Spitalin Universitar të Traumës.

Efektivi me inicialet D.K. është shtruar në shërbimin e Neurokirurgjisë për monitorim të mëtejshëm dhe paraqitet në gjendje të mirë shëndetësore.

Ndërsa efektivi me inicialet F.R., i ardhur nga Shkodra, po i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale për shkak të një dëmtimi në kokë.

Sa u përket protestuesve, Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se katër prej tyre ndodhen nën kujdesin mjekësor dhe paraqiten në gjendje të mirë shëndetësore.

“Sipas informacioneve paraprake, protestuesja me inicialet E.P. aktualisht ndodhet nën monitorim intensiv. Ajo paraqitet në gjendje të mirë shëndetësore dhe është e vetëdijshme”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Sipas të njëjtit njoftim, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” nuk ka aktualisht persona të lënduar që po marrin trajtim mjekësor.

Raportohen dëmtime edhe në institucione kulturore

Përveç përplasjeve me policinë, gjatë protestave janë raportuar edhe dëmtime në institucione kulturore dhe monumente të trashëgimisë.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka deklaruar se në Tiranë janë dëmtuar hapësirat e jashtme të Muzeut Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”, hapësira të Teatrit të Kukullave, Muzeut Historik Kombëtar dhe Bibliotekës Kombëtare.

Sipas tij, është sulmuar edhe hapësira e jashtme e Xhamisë së Et’hem Beut, ndërsa në Durrës janë shkatërruar vepra dhe instalacione të Bienales së Artit.

“Një muze nuk është i një qeverie. Një teatër nuk është i një partie. Një monument kulture nuk është kundërshtari apo shënjestra e askujt. Këto janë pasuri publike kombëtare”, ka deklaruar Gonxhja.

Ai u ka bërë thirrje prindërve që të flasin me fëmijët e tyre dhe të mos lejojnë përfshirjen e tyre në akte vandalizmi.

“Të protestosh nuk do të thotë të vandalizosh”, ka theksuar ministri.

Anulohet seanca e Kuvendit, Rama reagon për protestat

Ndërkohë, sipas raportimeve të mediave në Shqipëri, seanca plenare e Kuvendit, e parashikuar të mbahej në orën 10:00, është anuluar, ndërsa deputetët janë larguar nga godina, e cila ishte rrethuar nga forca të shumta policie.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar nga ambientet e dëmtuara të Kolegjit të Europës në Tiranë, duke akuzuar opozitën për dhunën gjatë protestave dhe duke paralajmëruar përgjegjësi ligjore.

Protestat e studentëve kanë nisur më 13 tetor, me kërkesa për uljen e kostove të arsimit dhe kundër korrupsionit, ndërsa gjatë zhvillimit të tyre është kërkuar edhe dorëheqja e qeverisë. Ditët e fundit, ato janë shoqëruar me bojkot të mësimit, përplasje me policinë dhe dëmtime materiale në disa pjesë të Tiranës.

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %

Average Rating

5 Star
0%
4 Star
0%
3 Star
0%
2 Star
0%
1 Star
0%

Leave a Reply

Previous post Pse ju rinia studentore e Kosovës nuk po tregoni solidaritet me protestat e studentëve në Shqipëri?